Hyqmet Zane: Patronazhistët vazhdojnë aksionin paszgjedhor

387
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjoba bizneseve jo me qeverinë, por me drejtësinë e patronazhuar

Ja si Lef Nosi i thoshte Eriksionit 100 vjet më parë

Biznesmenët që nuk kanë qenë të lidhur me qeverinë dhe me gjasa nuk ia kanë dhënë votën Edi Ramës, po gjenden nën trysninë e një sulmi të pikasur mirë nga patronazhistët. Shumë biznese në Tiranë veçanërisht, po përballen me grupe të ndryshme në formë kontrollesh pa plan dhe pa mendje, fill pas zgjedhjeve. Gjobat janë gjoba, por edhe donacionet në xhepat e kontrolluesve, po kthehen në një realitet tronditës. Ka pasur edhe përplasje dhe kundërshtime, por duket që patronazhistët që kanë bërë database, e kanë bërë tanimë i kanë futur në një shoshën njerëzve e besuar dhe atyre që nuk janë të tillë.

Shumë nga biznesmenët janë gjendur të papërgatitur dhe nuk e kanë pritur një goditje të tillë në një kohë që kanë kaluar shumë vështirësi nga situata e pandemisë dhe në heshtje me gjoba dhe me detyrimin që, nëse nuk japin atë “dhuratën” për grupin, e kanë gjobën shumë herë më të lartë. Çfarë po ndodh, drejtësi në emër të drejtësisë së re apo vjedhje për të plotësuar shumat e harxhuara në votime? Askush nuk guxon të flasë dhe të thotë se mendojnë ndëshkimin deri në falimentim. Një biznesmen ndërtimi të objekteve jo të mëdha, i njohur për bindjet e djathta, të thotë në koefidencë që “ma kërkuan votën dhe ua dhashë, se mezi e kam kapur këtë tender objekti sa për të mbajtur gjallë biznesin, se po të vërtetonin që nuk i kisha votuar, do më falimentonin. Kam gjithë ato makineri, ku t’i çoja, për skrap ? Këta janë të paparë, të marrin më qafë”. Ndoshta ky është modeli i drejtësisë pas vetingut ?!

“Një ambasadore amerikane me besimin e pozicionit që ka, e ka shprehur hapur mbështetjen ndaj votimeve të fituara nga Edi Rama, pa pritur drejtësinë e denoncimeve të bëra për shkeljet e konstatuara gjatë fushatës elektorale dhe që çuan në votimet e 25 prillit.”

Dhe hajde të marrësh vesh se ku është drejtësia, ku janë deklaratat e kryeministrit dhe të ndërkombëtarëve, aq më tepër të ambasadores Yuri Kim që, edhe pse e dinte shumë mirë që çfarë po bëhej në kohën parazgjedhore dhe tani po shikon denoncimet e shitblerjes dhe shkatërrimit të votimeve,  nxitoi të pohonte njohjen e këtyre zgjedhjeve. Përse e bëri këtë gjë ? Në emër të drejtësisë amerikane apo të vetingut palo drejtësi të aplikuar në Shqipëri ? Mënyra se si po veprojnë ata që po analizojnë denocimet e PD-së dhe LSI-së, duket se porositë janë dhënë: “të hidhen poshtë provat”. Me një fjalë, edhe drejtësia e kapur, tamam siç kanë pohuar shumë personalitete, që atë e ka kapur Sorosi përmes drejtësisë së Edi Ramës dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Ku janë ata etalonët e demokracisë, ku është ajo drejtësia për të cilën flasim dhe flasim dhe nuk po e shohim? Vrasjet mafioze dhe larjet e hesapeve mes grupeve kriminale, që po ndodhin dita-ditës në çdo kënd të vendit, duket sikur kanë një shesh të lirë dhe dorë të gatshme nga shteti që sikur u thotë “lajini hesapet, se mua nuk më duhen dëshmitarë të pushtllëqeve tuaja që keni bërë, dhe që unë kam bërë sikur nuk i kam parë”. Këto mendime qarkullojnë pas çdo vrasjeje sa në Vlorë dhe në Elbasan, sa në Tiranë dhe në Durrës e kudo ku pazaret e drogës nuk janë mbyllur me “drejtësi” dhe tanimë vepron vetgjyqësia, me vrasës të mirëstërvitur me pagesë, për t’i bërë hapur karshillëk të ashtuquajturës drejtësi me veting të bërë për faqe të zezë.

Ku është shteti dhe policia, ku janë fjalët e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, po kryeprokurori dhe kryepolici i këtij vendi ? Në këto kushte lind pyetja: Kështu do të kërkojmë ne, hyrjen në Evropë ? Jo vetëm që Evropa nuk ka se si të gënjejë veten, por ajo ka kaq shumë probleme të vetat sa nuk ka ngenë të fusë edhe ca mafiozë në “tepsinë” që Edi Rama ia di shijen dhe e do këtë gjë si bonus për mandatin e tretë që nuk po i beson syve se ku është.

Evropa ka një shekull që është tallur me shqiptarët, edhe në kohën kur vendi sa kishte hedhur hapat për të bërë shtet. Mjaft t’i hedhëdsh një sy një bisede të personalitetit elbasanas Lef Nosi që i ka bërë Charles Telford Erikson dhe që është botuar në librin e tij  “Shqiptarët – Enigma e Ballkanit”,  misionari amerikan, mik i shqiptarëve. Bëhet fjalë për ndihmë që Lef Nosi i kërkon misionarit amerikan (përfaqësues ndërkombëtar në atë kohë në Shqipëri).

Ja biseda e cituar :

“Lef Nosi më pat thënë: ‘Ne e dimë që ju e keni ilaçin e duhur shërues, që po t’i jepet popullit tonë, do t’ia shpëtojë jetën. Por çfarë po bëni ju për këtë ? Ju vetëm sa na e tregoni ilaçin, dhe kur ju kërkojmë të na e jepni ta pimë, ju thoni prisni pak, se ende nuk jeni gati. Por ne po vdesim… Nëse vërtet doni të na ruani, na e jepni ilaçin shërues të sëmundjes dhe na shëroni. Nëse nuk e bëni këtë, ju lutem, na lini të provojmë diçka tjetër ose na lini të vdesim në paqe”.(f.114)

Duket, më shumë se një shekull më pas, historia vazhdon. Një ambasadore amerikane me besimin e pozicionit që ka, e ka shprehur hapur mbështetjen ndaj votimeve të fituara nga Edi Rama, pa pritur drejtësinë e denoncimeve të bëra për shkeljet e konstatuara gjatë fushatës elektorale dhe që çuan në votimet e 25 prillit. Ku është drejtësia, është pyetja që thuhet në koridoret e politikës dhe që kanë krijuar një situatë mosbesimi që aq bukur e ka thënë Lef Nosi.

Po merret vesh dhe po dëgjohet me zë e me figurë se, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ,  u mohoi shqiptarëve transparencën për masakrën zgjedhore të 25 prillit. 3 anëtarët e zgjedhur nga PS refuzuan, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë argument të marrin nga institucionet shtetërore provat që faktojnë se PS përdori burimet shtetërore dhe kriminale për deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Duket që edhe këta janë patronazhistë që i orienton kryepatronazhisti kryeministër.

“Vrasjet mafioze dhe larjet e hesapeve mes grupeve kriminale, që po ndodhin dita-ditës në çdo kënd të vendit, duket sikur kanë një shesh të lirë dhe dorë të gatshme nga shteti që sikur u thotë “lajini hesapet, se mua nuk më duhen dëshmitarë të pushtllëqeve tuaja që keni bërë, dhe që unë kam bërë sikur nuk i kam parë”.”

Duke refuzuar të marrë dhe administrojë informacionin zyrtar për punësimet masive të paligjshme, përdorimin e personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, dhënien e paligjshme të lejeve të legalizimit apo favoreve të tjera shtetërore në këmbim të votave, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Drejtues të PD dhe të tjerë po e thonë hapur dhe po e dëgjojnë edhe ndërkombëtarët e ambasadave që po rrinë si “Çjellovjek v futljarje” (Njeriu në këllëf) siç e ka shkruar Çehovi.

Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore, se atë e dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët, e dinë demokratët dhe socialistët, e dinë edhe patronazhistët me kryepatronazhistin, se ka një Zot që i di të gjitha dhe llogaritë me Zotin dhe ndërgjegjen, duhet të jenë në rregull, nëse vërtet flasim për shtet ligjor dhe drejtësi të re.  Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS. Bërja palë më këtë model zgjedhjesh me blerje nuk të çon askund dhe nuk mund të gënjehet Evropa këtu dhe Amerika atje, duan apo nuk duan ata që pretendojnë se kanë në dorë fatin e një populli që po futet në një zullum të paparë, që duhet pastruar me rrënjë nëse vërtet duam të ardhmen tonë.

Gjej rastin të citoj drejtorin aktual të “Zërit të Amerikës” Dr. Elez Biberaj, që është një lajmëtar i demorkacisë, kur thotë “Vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar me Partinë Socialiste në fuqi, që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet”. Duket se me këtë realitet nuk janë dakord patronazhistët, sepse atë e ka krijuar kryepatronazhisti i madh me ndihmën e paudhësive të mosdenocuara dhe mosndëshkuara nga drejtësia që duam.