Olldashi: “Rama llafosi për rrugët, si e ëma e Zeqos kur binte nga thana”

442
Sigal

Reagon ministri i Transportit pas kritikës së Kryetarit të PS-së, për rrugët e ndërtuara në Shqipëri

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ironizon në blogun e tij deklaratat e Kryeministrit Berisha, duke shkruar: “Kemi bërë 10 mijë km rrugë dhe punësuar 58 mijë vetë. Këtë tha në mëngjes kryeministri nga një foltore, ku shkruhej “Rrugët janë punësim”. Kemi punësuar çdo vit 45 mijë vetë nëpër rrugë. Këtë e tha në darkë ministri i Rrugëve. Me siguri pas ndonjë dreke të gjatë. Por fakti është se, në gjatësinë e dy vakteve luga e zbrazur e qeverisë u mbush pesë herë më shumë me supën e propagandës. Sidoqoftë në këtë tollovi shifrash që qerthullojnë ca prej paturpësisë organike që Kryeministri e quan politikë, ca prej çorganizimit të organizuar të qeverisë që nuk rakordon as shifrat e gënjeshtërta mes folësve të vet të ndryshëm, një hall i madh e ka gjetur çetën qeveritare”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, në Facebook-un e vet, duke e cilësuar kritikën e Edi Ramës, si “Rama llafosi për rrugët, si e ëma e Zeqos, kur binte nga maja e thanës”.  Ministri Olldashi në reagimin e tij argumenton të kundërtën e kritikës së Ramës, duke thënë: “Edi Rama llafosi prapë për rrugët mbrëmë. Të themi të vërtetën, llafosi si e ëma e Zeqos kur binte nga maja e thanës. Por, të paktën, ai ishte zbavitës mbrëmë, si gaztor. Tregoi logje më shumë se “Portokallia”. Fati i zi i atyre që ishin mbledhur të mollohiseshin me ‘të, e që prisnin që z.Rama të fliste me mend në kokë e jo me gisht në “tunel”. Nuk është humor, që rrugët kanë krijuar 45 mijë vende pune çdo vit  dhe më lejoni të jem i qartë me z.Rama. Ne kemi krijuar 58 mijë vende pune në infrastrukturë, çdo vit, edhe pse z.Rama i detyroi deputetët e vet të votojnë kundër financimit të çdo projekti. Sepse, siç e bëri krejtësisht të qartë, z.Rama mendon se rrugët nuk sjellin vende pune, ai i trajton rrugët si barcaleta. 10 mijë km rruge dhe qytetarët që udhëtojnë në to, nuk janë barcaleta. Këto rrugë tashmë janë prekur nga qytetarët, të cilët e ndjejnë impaktin e tyre, duke u mundësuar hapjen e bizneseve të reja, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe hapjen e tregjeve të reja për fermerët, manifakturën dhe gjithë sektorin prodhues të vendit. Në estradën e tij, z. Rama është në të drejtën e tij që të mendojë broçkulla dhe të bëjë qyfyre. Por, z.Rama bën gabim që citon shifra, veçanërisht tani që nuk i shënon më në dorë dhe, domosdo, s’i mban dot edhe mend. Sepse, teksa azdis nëpër Shqipëri duke shpalosur numrat që shpik vetë, ai edhe i sheh, edhe i përdor këto rrugë. Shyqyr Zotit që s’i ha dot me sysh. Dikush duhet medoemos t’i thotë z. Rama se Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë në Shqipëri. Dikush duhet t’i tregojë z.Rama diferencën mes zonave dhe distancave, mes kilometrave dhe metrave, sepse në faqen e tij në Facebook, ai flet për rrugët me metra katrore, ndërkohë që, rrugët maten me km dhe jo me metra katrorë. Nëse z.Edi Rama di ndonjë rrugë që ne kemi ndërtuar, që është një km katror e gjerë, ne i kërkojmë mirësisht të na e tregojë… Nëse ai nuk di ndonjë rrugë të tillë, atëherë ai duhet të jetë i vetmi shqiptar që mendon se rrugët maten me metra katrorë dhe jo me kilometra. Rama në Gines. Është i vetmi politikan që është parë e dëgjuar që rrugët i mat me kilometër katrorë, llafet e tij me kilogramë dhe rreshtat e paloprogramit me decibel. Ne do të vazhdojmë të shtrojmë rrugë, sepse ka ende shumë punë për të bërë, sepse rrugët krijojnë vende të reja pune, sjellin paga më të mira, sjellin mbrothësi për shqiptarët.