Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Ka një politikë okulte për shbërjen e Shqipërisë, me emigrimin e  shqiptarëve dhe “importimin e aziatikëve, si fuqi punëtore

624
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intervistoi: Jakup B. GJOÇA

Ftesa për karrierë ndaj studentëve që diplomohen jashtë nga vetë kryeministri, e ka shndërruar administratën e shtetit në instrument politik

Prof. Elmaz Sherifi, ekpert konstitucionalist, shprehet se Gjykata Kushtetuese, mund të shpallë zgjedhjet e 30 qershorit 2019 si antikushtetuese, por do jetë politika, ajo që duhet të vendosë më vonë mbi zhvillimin e zgjedhjeve vendore të parakohshme, duke i kërkuar Presidentit të Republikës të shpallë dekret.  Prof. Sherifi pohon se Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë SPAK-ut, që të hetojë edhe shkeljet ligjore për prishjen e Teatrit Kombëtar. Prof. Sherifi thotë, se nëse duam që sovrani të zgjedhë deputetët, duket të kemi system mazhoritar të korrektuar, sikurse kishim deri në 2008. Ndërsa qëndrimi i Bashës ndaj 25 prillit, kur deklaron se 25 prillin nuk e njeh, por do të marrë pjesë në parlament, Prof. Sherifi e cilëson si instrument propagandistik për të ndikuar tek ndërkombëtarët, ndërsa sulmet e vazhdueshme të kryeministrit ndaj BE-së i gjykon se  sa ka gënjyer, kur ka thënë se negociatat u hapën para 3 viteve dhe tregon, dëshpërimin e thellë, duke u shndërruar aktor tragjik.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Prof. Sherifi, arrestimet  nga SPAK të kryebashkiakut socialist të Lushnjës, zëvendësministres së Brendshme dhe  disa zyrtarëve të lartë në ministri, a janë tregues se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë ndaj kujtdo dhe tashmë, askush në Shqipëri nuk është mbi ligjin?

-Për këtë pyetje mund të jepen dy mendime, apo dy përgjigje. Nëse do të arsyetonim sipas parimeve e ligjeve të logjikës formale, vendimet e SPAK-ut do i lumturonin shqiptarët, që e dëshirojnë luftën kundër korrupsionit të politikanëve, administratës qendrore dhe kryetarëve të bashkive e administratës vendore, sepse, kur po arrestohen kryetarë bashkie, zëvendësministra e zyrtarë të niveleve të ulta, për “cironka”, mendohet, se do të bëhet nami, me ministrat, deputetët e drejtorët, që akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën në organizimin e tenderave me dhjetra e qindra milionë euro me procedura,  që kanë prishur konkurencën e ndershme, por, edhe me prokurorët e gjyqtarët, që ua  kanë hequr lakun nga fyti “peshkaqenëve” reale. Nëse do të vazhdohet me raste të ngjashme,  dhe “peshkaqenët” nuk do të preken, por do të “ledhatohen”, humbja e besimit të SPAK-u, mendoj se do të shndërrohet në urrejtje nga taksapaguesit shqiptarë, por, edhe nga votuesit e ndershëm të mazhorancës, pasi do të kuptohet, se ky institucion nuk është i pavarur, dhe nuk ka mision luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik, por dirigjohet nga kryeministri dhe është një “dorë e zgjatur”  e pushtetit ekzekutiv.

“Politika mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse 30 qershorin 2019 e shpall si antikushtetues, me konsensus t’i kërkojë Presidentit të Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin lokal”

“Gjykata Kushtetutese ka shfuqizuar vetëm pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor dhe vendimi nuk ka fuqi prapavepruese. Ajo do i sjellë pasoja juridike për zgjedhjet parlamentare të ardhshme”

-Tri pyetjet që Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias për opinion për Çështjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019, a shprehnin thelbin e gjykimit? 

– Unë kam menduar se tani që Gjykata Kushtetutese e ka koorumin për të gjykuar e vendosur, dhe e ka aftësinë profesionale për interpretimin e Kushtetutës, nuk ka nevojë për leksionin e Gjykatës Evropiane Drejtësi nëpërmjet ligjit, apo Komisionin e Venecias, pasi ky institucion, ofron mendime, si amicus curiae, (mik i Gjykatës) dhe soft law, (ligji i butë), por, nuk ka kompetencë të vendosë. Madje, në rastet kur një çështje është në gjykim, si është rasti, që pyesni, ajo mund të refuzojë të japë një përgjigje pyetjes. Por, Gjykata Kushtetutese, duke gjykuar se  frekuenca e konfliktit institucional, midis Presidentit me pushtetin legjislativ dhe me pushtetin ekzekutiv dhe konfliktin e acaruar politik, midis mazhorancës dhe opozitës, nëpërmjet tri pyetjeve, synon t’u japë përgjigje inteligjente antikushtetushmërisë së procesit të zgjedhjeve të vetëqeverisjes vendore më 2019, dhe mungesës së legjitimitetit të këshillave bashkiakë të dala nga ai proces. Për rrjedhojë, logjike, pyetja e dytë dhe e tretë, synon të kuptohet edhe nga ata që nuk e kanë aftësinë të gjykojnë për procesin zgjedhor, por e kanë inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar, se me ato zgjedhje, duhej që parimi i pluralizmit politik, të prevalonte mbi parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Logjikisht, zgjedhjet nuk duhej të zhvilloheshin pa opozitën reale, si vendosi mazhoranca groteske, që u mbështet te Teza e Baba Takut, se zgjedhjet ishin legjitime,  edhe sikur të merrnin pjesë tre votuesë, ashtu si e konsideroi Partinë, Bindja Demokratike, opozitën reale, e cila, edhe në Raportin e OSBE-ODIHR-it, u konsiderua si subjekt i palegjitimuar për të marrë pjesë në zgjedhje. KQZ e kishte regjistruar atë si subjekt elektoral, pa u shpallur subjekt politik me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mungesa e pluralitetit  politik u shfaq dukshëm, kur në mbi 50% të zonave zgjedhore,  kishte vetëm një kandidat të mazhorancës, procedurë që u mohoi zgjedhësve të drejtën e zgjedhjes midis kandidatëve alternativë, procedurë, që i vendosi interesat e votuesit, si shfaqje e interesit publik, nën interesat politike të Partisë Socialiste, e cila e preferonte një pushtet lokal monokolor për ta përdorur si strukturë politike për të fituar zgjedhjet parlamentare. Shkurt dhe qartë. Zgjedhjet vendore eleminuan pluralizmin dhe risollën në vetëqeverisjen vendore, këshillat popullore të rretheve, si në epokën e Diktaturës së Proletariatit. Ky model autoritarist i ka shfaqur problemet, pasi deri tani,  janë mbi 10% e bashkive, pa kryetarë, një fakt që i bën zgjedhjet e parakohëshme domosdoshmëri, për të rikthyer pluralizmin politik  në  vetëqeverisjen vendore, si kusht për funksionimin e demokracisë lokale, në parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Nëse Komisioni i Venecias i cilëson ato zgjedhje si antikushtetuese, a ka kompetencë Gjykata Kushtetuese të kërkojë  tashmë, zgjedhje të parakohshme për pushtetin lokal?

– Komisioni i Venecias ofron vetëm mendim juridik. As Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të vendosë të bëhen apo jo zgjedhjet e parakohshme. Ajo ka kompetencë të shpallë antikushtetuese zgjedhjet dhe politika mbi atë vendim me konsensus t’i kërkojë Presidentit të Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin lokal.

“Deri tani janë mbi 10% e bashkive, pa kryetarë, një fakt që i bën zgjedhjet e parakohëshme domosdoshmëri, për të rikthyer pluralizmin politik  në  vetëqeverisjen vendore”

“Nëse duam që sovrani të zgjedhë midis kandidatëve për deputetë, duhet rikthyer te sistemi mazhoritar  i korrektuar, ashtu si ishte deri më 2008”

– Prof. Sherifi, edhe pse Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e saj për 25 prillin 2021, interpretimet politike janë folklorike. Cili është gjykimi juaj për këtë vendim të Kushtetueses?

– Gjykata Kushtetutese ka shfuqizuar vetëm pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor dhe vendimi nuk ka fuqi prapavepruese. Ajo do i sjellë pasoja juridike për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Koha vërtetoi shumë shpejt lojën e kryeministrit Rama me “opozitën e sajuar” për “listat e hapura”, e cila prodhoi për interesa te mazhorancës, disa parti politike dhe u tall me elektoratin shqiptar, sikur për herë të parë ai vendoste cili do të ishte përfaqësuesi i saj në parlament. Modeli i ofruar, nuk i përgjigjet sistemit propocional rajonal dhe mentalitetit shqiptar. Ai fut dhe thellon përçarjen edhe midis kandidatëve të së njëjtës parti. Nëse duam që sovrani të zgjedhë midis kandidatëve për deputetë, duhet rikthyer te sistemi mazhoritar i korrektuar, ashtu si ishte deri më 2008.

– A mendoni se zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar duhet të jetë shkak për SPAK, që të fillojë hetimet për ata përgjegjës, të cilët shkelën ligjin dhe e prishën Teatrin, apo nuk pritën që ankimimet e palëve për ligjet  dhe VKM e miratuara  nga qeveria e parlamenti të gjykoheshin nga Gjykata Kushtetuese?

– Gjykata Kushtetutese, duke shpallur antikushtetuese ligjin e Parlamentit të Sajuar dhe vendimin e qeverisë, për kalimin e Teatrit në Bashkinë e Tiranës, Gjykata nuk e bëri koorumin për ta shqyrtuar prishjen e Teatrit Kombëtar, por, me interpretimin logjik, nënkuptohet se prishja e Teatrit Kombëtar,  është antiligjore dhe e detyron bashkinë ta rikthejë objektin te Ministria e Kulturës në gjendjen fizike që e mori. Me këto veprime, SPAK-u e ka rrugën e hapur të hetojë mbi atë krim, me disa forma të veprës penale. Le të presim reagimin e saj.

Ju si e gjykoni vendimin e kryetarit të PD-së, se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit, por beteja opozitare  vazhdon në Parlament?

– Praktikë e njohur si vendim politik për ta përdorur si argument në luftën politike  parlamentare. Njëkohësisht, si instrument propagandistik, për të ndikuar tek faktorët ndërkombëtarë.

Prof. Sherifi, kryeministri Rama ditët e fundit u dha ultimatum 60  kryebashkiakëve (si edhe ministrave të qeverisë së tij) se, nëse nuk reflektojnë ndaj ligjit, do t’i çojë vetë ai, kryeministri, në SPAK. A është ky qëndrim i kryeministrit si direktivë politike ndaj SPAK se ndaj kujt duhet të fillojnë hetimet për korrupsion?

– Kryeministri Rama me diskurset propagandistike që po emeton, synon të përpunojë mendjet e ndryshkura shqiptare, se atë nuk e lidh asnjë fije me korrupsionin masiv, të cilin e ka mohuar tetë vjet, por, e pohon dhe e pranon pa e dëshiruar, duke e denoncuar. Është një model sui generis i qeverisjes, sepse ai që e kultivoi dhe e mohoi në dy mandate qeverisje, shfaqet si “kampioni antikorrupsionit” në mandatin e tretë. Deklarimet publike janë premisë për fillimin e hetimeve nga “koka e korrupsionit”, i cili nuk e pranoi dhe nuk e luftoi për tetë vjet, për ta patur aleatin kryesor për të siguruar mandatin e tretë.

“Qëndrimi i Bashës ndaj 25 prillit, praktikë e njohur si vendim politik për ta përdorur si argument në luftën politike parlamentare. Njëkohësisht, si instrument propagandistik për të ndikuar te faktorët ndërkombëtarë”

“Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, SPAK-u e ka rrugën e hapur të hetojë mbi atë krim, me disa forma të veprës penale. Le të presim reagimin e saj.”

– Pse kryeministri Rama po i shton kritikat ndaj Bashkimit Evropian për mos hapjen e negociatave, kur ndërkohë, kryeministri Zaev i Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ka deklaruar asnjë kritikë ndaj BE-së për të njëjtën çështje? 

– Kryeministri ka deklaruar disa herë prej 2018, se negociatat ishin hapur, duke u bërë grotesk, komedian. Me sulmet ndaj BE-së, shfaqet para atyre që e besojnë sa ka gënjyer dhe tregon dëshpërimin e thellë, duke u shndërruar aktor tragjik.

– Prof. Sherifi, a e vlerësoni të sinqertë ftesën e kryeministrit Rama ndaj shqiptarëve që kanë studiuar jashtë dhe punojnë në Diasporë, që të kthehen në Shqipëri e të kontribuojnë këtu?

– Praktikat e kontakteve  ‘on line’ me studentët ekselentë që jetojnë jashtë Shqipërisë, janë prova më e “sinqertë”  e drejtimit shtetëror autoritariste, pasi kryeministri po shkel hapur ligjin e shërbimit civil për karrierën, në administratën shtetërore, ka eleminuar Departamentin e Administratës Publike, që e ka mision krijimin e shërbimit civil të qëndrueshëm, profesional, jo politik, të bazuar në meritë dhe në integritetin moral. Ftesa për karrierë nga vetë kryeministri, e ka shndërruar administratën e shtetit që shtohet me taksat e shqiptarëve, për t’u shndërruar në instrument politik, që i partisë në pushtet dhe pushtetit personal të “reformatorit”, i cili i “shkrin” si bora në korrik, të gjithë ata që nuk sigurojnë vota. Kjo është një fushë tjetër e hetimit për shpërdorimin e detyrës dhe grabitjen e kompetencave të institucioneve ligjore.

“Kryeministri Rama me sulmet ndaj BE-së,  shfaqet para atyre që e besojnë sa ka gënjyer dhe tregon dëshpërimin e thellë, duke u shndërruar aktor tragjik”

A mund të ketë luftë kundër korrupsionit, nëse nuk hetohen tenderat dhe koncesionet, që kanë monopolizuar tregun e punës, kanë shtuar borxhin publik, kanë shkaktuar humbjen e vendeve të punës, kanë krijuar klimë jo të përshtashme për investimet e huaja, etj?

– Ka një parim të njohur prej Antikitetit. Korrupsionin nuk mund ta luftojë, krijuesi i tij. PPP janë maja e Ajsbergut, për të hetuar bazën e tij të fshehur në thellësi. Pushteti absolut , korrupton në mënyre absolute. Kjo po shfaqet dukshëm dhe do e kutërbojë mjedisin social, nëse SPAK-u do e fillojë sulmin ligjor nga maja e piramidës korrupsionit. Kompanitë e Gjermanisë dhe jo vetëm ato, janë larguar nga Shqipëria, duke e deklaruar pamundësinë e investimit në tregun e punës në Shqipëri, si rezultat i korrupsionit në administratën e lartë shtetërore. Raportet e institucioneve ndërkombëtare, janë të mbushura me treguesit më të lartë korruptiv, borxhin më të lartë në tre dekada dhe nivelin më të ulët të pagave e mirëqënies së punëmarrësve shqiptarë. Investuesit e huaj praktikojnë parimin e Lejlekut. E “ndërtojnë” folenë në pikën më të lartë, që të jenë të sigurtë nga grabitqarët.

–  “Ftesa” për të sjellë në Shqipëri krahun e lirë të punës nga Azia e Afrika, kur ndërkohë papunësia në Shqipëri është mbi 50%, kur emigracioni shqiptar është tejet i lartë, a është fasada e shpopullimit të Shqipërisë? 

– Nuk jam i pari që e them, por, thjesht e përsëris, që të ngulitet fort në kujtesën e njerëzve të përgjegjshëm. Duket sikur ka një politikë okulte për shbërjen e Shqipërisë.  Po investohet për largimin e burimeve njerëzore të kualifikuara shqiptare, për të sjellë në Shqipëri, punëmarrës hallexhinj, që pranojnë të punojnë me paga minimale. Punëmarrësit hallexhinj rrisin të ardhurat e punëdhënësve abusive  dhe i shërbejnë me përulje pushtetit, se si ka thënë vetë “arkitekti”, gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, ata nuk kanë kërkesa politike. Edhe kjo mendoj, se duhet të jetë, një nga fushat e hetimit.

– Ju falenderoj Prof. Sherifi!