“Torta” e milionave/ Ja lista e bashkive dhe ministritë që marrim më shumë para nga thesi i taksave dhe atyre që u shkurtohen fondet

57
Sigal

Mbrojtja trajtohet me prioritet. Bien fondet për financat, infrastrukturën dhe bujqësinë

Drafti i buxhetit ndan edhe “fatin” e ministrive për vitin e ardhshëm, pasi përcaktohet se sa para do të kenë në dispozicion për të shpenzuar, ku përfshihen të gjitha detyrimet, siç janë pagat, investimet, etj. Por si është ndarë “torta” e fondeve për vitin 2024 dhe cilat nga ministritë kanë marrë më shumë dhe më pak para?

Nga analiza e bërë nga SCAN, rezulton se në total Ministria e Shëndetësisë zë peshën më të madhe në buxhet, pasi ka një fond total prej rreth 78 miliardë lekësh. Ndjekur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila mbulon shpenzime të rëndësishme sociale, më pas renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 52.7 miliardë lekë, e cila mban peshën e investimeve, ndjekur nga Ministria e Arsimit me 52.2 miliardë lekë dhe e Mbrojtjes me 48.3 miliardë lekë.

Por nëse do të bëjmë krahasimin me buxhetin fillestar të vitit 2023, vihet re se është bërë shkurtime fondesh për disa nga ministritë më të rëndësishme. Kështu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka humbur 8.7 miliardë lekë në krahasim me këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka një shkurtim fondesh në masën 0.19 miliardë lekë; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i janë shkurtuar fondet buxhetore me 2 miliardë lekë dhe bujqësia do të ketë në dispozicion 0.06 miliardë lekë më pak se buxheti fillestar i 2023.

Nga ana tjetër, vihet re shtesë e konsiderueshme buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes me 8 miliardë lekë dhe për Ministrinë e Arsimit jepen 5 miliardë lekë më shumë, fond me të cilin parashikohet të mbulohet dhe rritja e pagave. Po ashtu, për Ministrinë e Brendshme buxheti i 2024-ës do të rritet me afro 1.79 miliardë lekë, për Ministrinë e Drejtësisë 2.3 miliardë lekë, për Ministrinë e Turizmit, 1.2 miliardë lekë, ndërsa një shtesë të vogël buxhetore është parashikuar edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Kulturës.

02-

Bashkitë : 365 milionë dollarë transfertë në 2024, parashikohet edhe rritja e pagave

Bashkitë do të marrin nga buxheti i shtetit gjatë viti 2024 në formën e transfertës së pakushtëzuar afro 360 milionë dollarë, me një shtesë prej 49 milionë dollarësh krahasuar me këtë vit.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin e ardhshëm, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 24,343 miliard lekë, do të shtohet fondi prej 1,500 miliard lekë për kompensimin e pagave dhe fondet prej 10,740 miliard lekë, për financimin e funksioneve të reja, të cilat për periudhën 2016-2018, janë financuar nëpërmjet transfertave specifike. Në total, për vitin 2024, transferta e pakushtëzuar do të jetë 36,583 miliard lekë.

Formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar përcaktohet në ligjin “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, sipas së cilës identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë (që reflekton diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki.

Përveç ekualizimit të kostove të shërbimeve që bëhet nëpërmjet komponentit të dendësisë, formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar sjell edhe ekualizimin e kapacitetit fiskal, i cili bazohet në të ardhurat faktike nga tatimi mbi të ardhurat personale, nga taksa vjetore e automjeteve të përdorura dhe taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Por cilat janë bashkitë që përfitojnë më shumë fonde nga transferta e pakushtëzuar dhe ato që përfitojnë më pak?

Referuar projektbuxhetit,  Tirana, si bashkia me numrin më të lartë të popullsisë do të marrë dhe fondin më të lartë prej rreth 5.2 miliardë lekësh për vitin 2024, ndjekur nga Bashka Durrës me afro 2 miliardë lekë, më pas renditet bashkia Elbasan, e cila përfiton 1.5 miliardë lekë, Bashkia Shkodër 1.4 miliardë lekë, rreth 1.3 miliardë lekë do të shkojnë për Bashkinë Vlorë, 1.1 miliardë lekë për Kamzën dhe 1 miliardë lekë për bashkinë Korçë.

Ndërsa të gjitha njësitë e tjera të vetqeverisjes vendore përfitojnë një nivel fondesh nën nivelin 1 miliardë lekë. Ndër bashkitë që përfitojnë më pak, janë njësitë e vogla, si Finiq, Fushë-Arrëz, Klos, Kolonjë, Këlcyrë, Përmet, Roskovec, Poliçan, dhe listën e mbyll Pusteci me vetëm 89 milionë lekë fonde.