Servet Elezi:Në Greqi, pedofili abuzoi me dy vëllezërit që na kishin pranuar për të fjetur

600
Sigal

Flet Servet Elezi, burri që banoi në një dhomë me monstrën e Përrenjasit

Zbardhen detaje të reja për mashtrimet e pedofilit, Ardian Përrenjasi, i cili ka mashtruar me dhjetëra njerëz. Faktet e monstruoziteteve dhe aktet e tij kriminale i dinë të gjithë, por mesa duket ato kanë mbetur jashtë vëmendjes ë organeve kompetente. Në numrin e sotëm po tregojmë rastin e një bashkëqytetari të tij nga Përrenjasi.

Si jeni njohur me Ardian Përrenjasin dhe ku u takuat?

Ishte viti 1997. Në Shqipëri kishte pllakosur  papunësia, amullia, frika, çarmatosja e shtetit, ku edhe qyteti i Përrenjasit, si gjithë Shqipëria kishte rrëmujat dhe papunësinë e tij. Këtu nuk mund të gjeja punë, ashtu si të gjithë shqiptarët, mora rrugën e emigrimit për në Greqi.

Kur ka ndodhur kjo ngjarje?

Ishte rreth muajit prill-maj, 1997. Unë ika në Greqi pasi nuk kisha punë këtu. Kalova nga Kapshtica, ku unë udhëtova në këmbë, për disa ditë nën lodhjen dhe torturën e rrugës, së gjatë, ku isha bashkë me disa refugjatë të tjerë, arrita në Veria të Greqisë, atje fillova të kërkoja punë, ku takova disa nga bashkëfshatarët e mi, nga Përrenjasi. Ata më morën në punë dhe më gjetën edhe një dhomë. Aty u takova me Ardian Përrenjasin, Arben dhe Leonard Ademin,  (dy vëllezër).

E kujt ishte ajo dhomë?

Këtë nuk e kuptova dot tamam, nëse ishte e dy vëllezërve apo e Ardianit. Por mendoj se dy vëllezërit e kishin ndihmuar të flinte aty pasi atë e kishte nxjerrë gruaja nga shtëpia. Pra, pasi ajo e kishte divorcuar  dhe dëbuar ai e kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Por papritur ishte bërë komandant në shtëpinë e tyre.

Kemi fjetur në një dhomë të katër. Pra, edhe unë rrija me ta në një dhomë, sepse nuk e njihja gjuhën dhe as qytetin. Dhe meqenëse ishin nga Përrenjasi mendova se do të më gjendeshin. Ardian Përrenjasi flinte me Arbenin, në një krevat dhe bënin vepra të turpshme, që vetëm varrit do t’ia tregoj.

Çfarë veprash të turpshme, konkretisht?

Ata natën bënin shfaqje pederastie. Në atë kohë, ne kishim dëgjuar për aktet e pedofilit të Ardian Përrenjasit, por aty po i shihja me sytë e mi. Gjatë gjithë natës ata bënin vetëm atë veprim.

Çfarë moshe kishte Arbeni?

Ishte i ri në moshë dhe nuk kishte forcë kundërshtimi. Por Ardian Përrenjasi ishte shumë i dhunshëm në këto lloj momentesh.

Po pastaj çfarë ndodhi?

Kjo vazhdoi për disa ditë. Ndërsa, një natë na erdhi policia dhe na arrestoi të gjithëve,

Kush iu kallëzoi në polici?

Ishte Leonardi, i cili denoncoi tek policia greke dhe na arrestuan. Na morën në pyetje dhe unë vetëm rrija atje kot sepse nuk kuptoja çfarë po flitej. Nuk merrja vesh asnjë fjalë se çfarë thoshin policët grekë.

Kush shërbente si përkthyes?

Gjatë kohës që merreshim në pyetje, Leonardi është paraqitur si përkthyes, sepse unë nuk e njihja gjuhën greke. Ata pyesnin dhe ai tregonte tjetër për tjetër për përkthyesit, më pas më dhanë një letër, ku kërkohej për të vënë firmë. Unë pyeta se çfarë është. Ai më tha që do të firmosësh e do të dalësh. Nga ai moment ndodhi burgosja e Ardian Përrenjasit. Prokuroria kërkoi dënimin me 20 vjet burg për pedofili. Kjo më pas u la më 14 .6 vjet burg, ku nga kjo bëri 6.8 vjet burg. Por më vonë bëri 4 vjet dhe u lirua.

Pra, ju thoni se ka abuzuar me Arbenin?

Po sepse kanë bërë veprime nga më të ndryshmet që më vjen turp t’i tregoj. Nuk di nga t’ia filloj. Për këtë shkak, vëllai i Arbenit, Leonardi njoftoi policinë, ku erdhën e arrestuan Ardian Përrenjasin. Ku të dy vëllezërit jetojnë edhe sot në Greqi. Ndërsa, unë u dënova kot sepse nuk njihja gjuhën dhe kam firmosur pa ditur se çfarë shkruhej. Por Ardiani është një kriminel që duhet të mos e shikonte dritën e diellit. Por pasi doli, sapo erdhi këtu në Përrenjas,  filloi abuzimet dhe më pas e përzunë ata të shtëpisë dhe nuk e di se çfarë u bë me të, vetëm kur dëgjova nga televizori. Shteti duhet të hetojë shumë orë për këtë njeri.

A ka abuzuar ai me ndonjë tjetër në Greqi?

Ardiani ishte një mashtrues dhe ai në çdo rast mendonte vetëm për këtë gjë. Ku të gjente ndonjë të mitur, i afrohej dhe i qepej me mënyrat e tij. Por edhe në burg ai synonte të gjente partnerë dhe shfaqte akte pederastie.

 Po më parë a dini gjë për të?

Po i mora vesh më vonë. Ai është arrestuar në vitin 1988, për vjedhje, pasi punonte si  shofer në NFP,  në Ndërmarrjen e Furnizimit të Punëtorëve, Përrenjas ku u kap duke vjedhur, por më pas doli nga burgu me ardhjen e demokracisë. Po kështu, policia ka ndjekur veprimtarinë e tij, gjatë gjithë kohës, por askush nuk e di se si janë mbyllur hetimet. Ardiani Përrenjasi është arrestuar në vitin 1995, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, por që kjo dosje është mbyllur. Ndërsa, në vitin 2004 ai rrëmbeu nipin e vet dhe bashkëmoshatarin e tij, nga 10 vjet përkatësisht, duke u fshehur në një bunker, në Malin e Çervenakës të Pogradecit, 10 km, nga Qafë -Thana, ku policia e Librazhdit e arrestoi, ku sekuestroi dhe një makinë kamionçinë me targa PG 0592 B. Më pas ky person u la i lirë. Ndërkohë, mësohet sipas burimeve tepër konfidenciale për këtë person është bërë kallëzimi në Prokurorinë e Elbasanit, më datën, 24.12.2004, ku figurojnë dhe regjistrat e ndalimit të tij. Nuk kuptohet se përse  ky shtetas me banim në  bashkinë e Përrenjasit dhe licencën e transportit e ka nxjerrë në Komunën e Qukësit kur nuk ishte banor i kësaj komune.

Ardian Përrenjasi, monstra që tronditi vendin

Ardian Përrenjasi është lindur më 2 nëntor 1968, në Përrenjas. Vite më parë, familja e tij e ka përzënë nga shtëpia për shkak se e kishte rrëmbyer dhe abuzuar seksualisht një fëmijë të lagjes. Ardiani ishte i divorcuar dhe kishte 3 fëmijë, ndërkohë që, aktualisht bashkëjetonte me një grua nga Dibra. Devijimet seksuale të Ardianit ishin shfaqur pas kthimit nga ushtria. Sipas familjarëve, ata dinë 4 raste të abuzimit të tij me fëmijë në Përrenjas. Edhe pse ai këto shenja i ka shfaqur që në vitin 1989, rasti i parë i kësaj natyre është regjistruar në policinë e Librazhdit në vitin 2004. Familja e tij ka pohuar se, Ardiani është dënuar në Greqi për pedofili me 4 vjet burg. “Pas kthimit që andej, kujtuam se u rehabilitua, u fejua. Kur ishte në prag të martesës, një rast tjetër ndodhi në Përrenjas. E denoncuan sërish, filloi procesi gjyqësor, por nuk është dënuar”, ka deklaruar e ëma. Pasi kthehet nga Greqia në vitin 2008, Ardian Përrenjasi vendoset në lagjen e Laprakës në Tiranë në shtëpi me qira. Dhe këtu fillon të sillet si më parë. Sipas të dhënave zyrtare, rezultojnë 2 raste të abuzimit me të mitur para vrasjes së Julian Çelës dhe rrëmbimit të 10-vjeçarit A.C, por drejtësia jonë asnjëherë nuk e ka dënuar me burg. Dënimi i vetëm që ka marrë në Shqipëri ka qenë gjobë me një shumë qesharake lekësh, për rrëmbim fëmije. Në vendimin e firmosur nga gjykata më 14 nëntor 2008, Përrenjasi, është dënuar me 90 mijë lekë gjobë dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht do të paguante vetëm 60 mijë lekë gjobë, pasi mbajti peng të miturin M.A. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Shefkije Demiraj. Neglizhenca e drejtësisë shqiptare, bëri që ai me 30 nëntor 2012 të rrëmbente dhe të vriste Julian Çelën, ndërsa dy ditë më parë të rrëmbente edhe të miturin A. Cani. Pikërisht, ka qenë rrëmbimi i 10-vjeçarit dhe zbulimi i rastësishëm i këtij rasti që çoi edhe në gjetjet e vrasësit të djalit të ish-drejtorit të Anti-terrorit në SHIK, ndërsa përkundër vazhdimit të kërkimeve, trupi i tij ende nuk është gjetur.