Prokurori federal Gjon Junçaj/ SPAK-u dhe BKH-ja do t’ua bëjë të vështirë jetën zyrtarëve që përfshihen në korrupsion

487
Sigal

Zëri i Amerikës/ Intervistë me prokurorin federal Gjon Junçaj

SPAK-u do t’ua bëjë të vështirë zyrtarëve të përfshihen në korrupsion

Gjon Junçaj, prokurori federal amerikan që ndihmoi në kryerjen e reformës në drejtësi në Shqipëri, thotë se strukturat reja anti-korrupsion, si SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, do ta bëjnë shumë të vështirë për zyrtarët e lartë që të përfshihen në akte korrupsioni. Në intervistën për VOA, Junçaj u përgjigjet pyetjeve mbi rolin që duhet të luajë SPAK-u në raport me disa nga dosjet më të bujshme në Shqipëri, të mbyllura ose në proces hetimi.

Junçaj, në korrik 2016 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën duke i hapur rrugë reformës në drejtësi. Rreth tre vite e gjysmë më vonë, a mendoni se janë përmbushur pritshmëritë?

Mendoj se të gjithë e kuptuan kur u miratua reforma, se do të ishte një rrugë e gjatë. Kurdoherë që bëhen reforma e ndryshime aq të thella në një sistem juridik, duhet kohë që reforma të kryhet në mënyrën e duhur e me kujdes. Kjo po merr kohë, por gjëja e rëndësishme është se jemi drej asaj rruge.

A mendoni se do t’i përmbushë pritshmëritë SPAK?

Le të jemi të qartë për diçka. Ajo që ka nisur nga puna është zyra e Prokurorit të Posaçëm. SPAK-u është më shumë se kaq. Ne kemi gjithashtu nevojë për Byronë Kombëtare të Hetimit, krahu hetues i SPAK-ut, si dhe gjykatat e SPAK-ut. Ky është SPAK-u! Nuk është vetëm tetë apo 10 prokurorë, është më shumë se kaq. Mendoj se ky është një hap i parë i rëndësishëm, për të cilin u desh shumë kohë për të arritur deri këtu. Por po aq e rëndësishme mendoj është, nëse pyesni prokurorët në Shtetet e Bashkuara ose në Shqipëri, ata do t’ju thonë se kemi nevojë për këta hetues dhe ky është hapi tjetër që duhet të presim. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit do të jenë atje për të ndihmuar në këtë proces.

Po thoni se SPAK-u nuk mund të punojë pa BKH-në?

Mund të funksionojë, por ne presim që ajo të funksionojë më mirë me të sapo trajnuarit, hetuesit e rinj që do të bëhen pjesë e BKH-së. Sigurisht që mund të funksionojë. Duhet të kemi parasysh gjithashtu se kjo është një strukturë e re që trashëgoi të gjitha rastet që kishte Prokuroria e Krimeve të Rënda, pra ata nuk po fillojnë gjithçka nga e para. Ata gjithashtu duhet të zbatojnë rregullat e tyre të brendshme, duhet të kuptojnë se si të veprojnë më mirë si një strukturë e re prokurorie. Jam i sigurt që populli shqiptar do të donte të shihte rezultate që në ditët e para, por pritshmëritë duhet të jenë që në planin afatgjatë, në muajt dhe vitet në vazhdim, ata do të kenë një zyrë prokurorie që do t’u shërbejë atyre më mirë sesa ajo që ishte më parë.

Sipas organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar gjatë 4 viteve të fundit. Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?

Kam biseduar me qytetarët atje, e natyrisht që ata kanë arsye të shqetësohen për mënyrën se si vendi i tyre është drejtuar 30 vitet e fundit dhe padyshim përpara kësaj, gjatë periudhës së komunizmit. Pra ata janë shumë të pakënaqur. Informacioni më i rëndësishëm që unë kam marrë, ka ardhur nga vetë njerëzit atje. Por jo çdo fjalë në rrugë, nëse mund të shprehem kështu, është e vërtetë. Mirëpo, në kushtet kur rinia shqiptare largohet nga vendi, në një shkallë që është më e lartë se në çdo vend tjetër në Evropë, kjo në vetëvetë thotë gjithçka që ju duhet të dini, se cilat janë problemet në rrënjë. Dhe mendoj se ato të çojnë gjithmonë tek politika dhe sistemi i drejtësisë që nuk u ka shërbyer qytetarëve ashtu siç duhej. Kështu që shpresoj se po ecim përpara. Ndërsa reforma përparon, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Bashkimin Evropian do të ndihmojnë që ajo të kryhet ashtu siç duhet, që gjërat të përmirësohen.

Zoti Junçaj, a mendoni se qeveria aktuale ka vullnetin të luftojë korrupsionin?

Siç e thashë përpara, transferimi i të gjitha çështjeve në SPAK ishte diçka që e priste Prokurorinë e Posaçme. Nuk mund të ofroj një mendim nëse ai ishte një vendim i duhur, apo i gabuar nga prokuroria për t’i mbyllur apo tranferuar ato, sikurse shembujt që ju dhatë më parë. Padyshim që gjykimi i prokurorit që e ka dosjen në dorë, është më i rëndësishmi dhe nëse ai është vendimi i duhur apo i gabuar, u takon të tjerëve ta gjykojnë. Por patjetër për fat të keq, ka pasur raste që tashmë ishin në këtë prokurori që nuk kishin përfunduar. Do të ketë raste të tjera të reja që ecin përpara. Mendoj se shqiptarët duhet të presin, pasi do të duhet kohë që këto gjëra të zbatohen e të bëhet përpara. Mendoj se do të jetë më mirë të gjykosh suksesin e Prokurorisë së Posaçme në të ardhmen.

Ju përmendët hetimin e ish-Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Çfarë mendoni për këto dy raste tani?

Di që ish-ministri i Brendshëm u dënua, nuk u dënua me afat burgimi. Por mendoj se është një gjë e rëndësishme në kuptimin që kjo do të jetë një njollë që do ta ndjekë ish-ministrin kudo. Mendoj se dërgon edhe një mesazh në një mjedis shumë të vështirë. Duhet të keni parasysh sigurisht që kjo ndodhi para SPAK-ut ose gjykatës së SPAK-ut, pra prokurorët ishin të gatshëm ta hetonin atë duke bindur gjykatën se ai ishte fajtor për krimin për të cilin ishte akuzuar. Jam i sigurt se kjo dërgon një mesazh edhe tek njerëzit e tjerë, politikanët e tjerë dhe njerëzit në qeveri që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme. Mendoj se ajo që duhet të presin ata tani është se do të jetë më e vështirë të kryhen krime kur të jenë një post zyrtar. Ajo që i pret ata në të ardhmen, do të jetë një zyrë e Prokurorit të Posaçëm dhe hetuesish që do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara e partnerëve të tjerë për të bërë një punë më të mirë se sa deri tani. Shpresoj se do të bëhet më e vështirë që kjo lloj veprimtarie kriminale të ndodhë në të ardhmen.

A do të vazhdojë të ndodhë kështu në Shqipëri? Hetime, akuza dhe në fund shpëtojnë pa vuajtur dënimin?

Por ata po largohen me njollë. Sigurisht, mendoj se çdo prokuror do t’ju thotë se ku ka një dënim sidomos për shpërdorim detyre, ose korrupsion, ose lloje të tjera të krimeve si mashtrimi, ne presim një dënim që përfshin burgosjen ose diçka tjetër, që është e përshtatshme. Mendoj se ajo me të cilën populli shqiptar është më shumë i irrituar deri tani është se ka shumë njerëz që shkojnë në burg, por gjithnjë janë njerëz të rangjeve të ulta, janë njerëzit që nuk kanë mbrojtje politike. Shqiptarët kanë të drejtë të shpresojnë, apo të presin në të ardhmen që njerëzit vërtet të ndëshkohen, pavarësisht se cilët janë. Kështu që mendoj që ky është një hap i parë i rëndësishëm, por nëse do të isha një politikan shqiptar dhe do të isha i përfshirë në korrupsion në Shqipëri, nuk do t’i bëja më llogaritë duke shpresuar për të njëjtin rezultat në të ardhmen. Mendoj se kjo u dërgon një mesazh politikanëve dhe kriminelëve të tjerë, që gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen, kjo është ajo që populli shqiptar pret dhe Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë për përgatitjen e prokurorëve dhe hetuesve, që të kryejnë një punë më të mirë.

Zoti Junçaj a besoni që ka ardhur koha t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?

Besoj që populli shqiptar e meriton. Ne si SHBA jemi krah për krah me popullin shqiptar gjithmonë, prej ditës së pavarësisë më shumë se 100 vite më pare e deri sot, dhe në vitet që do vijnë gjithmonë do të jemi krah për krah me popullin shqiptar. Ne presim që premtimi që u dha në 2016, për sa i takon reformës në drejtësi, të mbahet.