Suplementi Pena Shqiptare/Zafina Hasani: Kthim në rrëfimin e Xhevdet Ferit

626
Sigal

Zafina Hasani

Në përqafim me Borën, vetëm pak momente para se Xhevdet Feri të përcillej për në qytezën tjetër, (kështu ma ka ënda t’i quaj varrezat, që kur përcolla atje edhe unë babin), i vetmi ngushëllim që munda të jap ishte ajo ç’kam përjetuar: “ndodh dhe duhet ta përballosh Bora, duhet të mësohesh të jetosh me këtë ikje”. Pastaj kujtuam të dyja, aty shpejt e shpejt si për t’u harruar, kohën kur për të parën e për të vetmen herë, Xhevdet Feri pranoi të jepte një rrëfim për jetën e tij personale e familjare. Kujtuam si “u dorëzua” pas shumë lutjesh. Qeshëm me Borën duke kujtuar nervin e tij, kur ne i thoshim se duhej të ndërronte veshjen, që të bënim disa lloj fotosh. Kur e tepruam ai na kërkoi thjesht ta linim rehat. E lamë, sepse ndryshe s’do arrija t’ja merrja rrëfimin (në marsin e 2009-ës), për kopertinën e revistës “One”, ku sigurisht fotot (realizuar nga Bevis Fusha) janë të gjitha me të njëjtën bluzë. Po e risjell disa pjesë të shkëputura të atij shkrimi, sigurisht pasi mora më parë aprovimin e Borës, që ishte atëherë password-i i duhur për të hyrë në familjen Feri, bashkëpunëtorja më e mirë, për t’i nxjerrë sa më shumë fjalë Xhodës, që pothuajse s’fliste kurrë për veten. Mes rreshtash të këtij shkrimi është dhe rrëfimi i Xhodës, për betejën e shtëpisë, pronë e babait, e fituar me shumë mund në 1997-ën dhe e shijuar deri në ditën, kur do të duhej ta përcillnin, pikërisht nga ai oborr e ajo derë….


***
Krejt rastësisht qëlloi t’ua kërkoj Xhevdet e Rozeta Ferit këtë rrëfim, pikërisht në një kohë kur vajza e tyre Bora është 23 vjeç, aq sa ishin edhe ata, kur vendosën të lidhin jetën me njëri- tjetrin. Ndaj me të drejtë Xhevdeti tha që në fillim: “Këtë familje e kemi nisur të tre, në të njëjtën kohë. Na duket sikur jemi rritur bashkë”. Por duhej të mbërrinte Bora në këtë moshë, kur mund të kishte pushtetin dhe argumentin e fortë që t’u tërhiqte vëmendjen prindërve pse s’kanë qenë prezent në gjithë këto vite e për t’i bindur se kishe ardhur momenti ta bënin tashmë…
Kështu vendimi i gjithhershëm se “Familja nuk është për publikun” u la mënjanë për t’u zëvendësuar me një rrëfim modest mbi momentet më kyçe që kanë shenjuar jetën e tyre në më shumë se 25 vitet e bashkëjetesës. “Sapo përfunduam studimet në Akademinë e Arteve, më 1983, u fejuam. Një vit më pas, më 1984, u martuam duke ndjekur deri më një të gjitha rregullat tradicionale”, nis të tregojë Xhevdeti kohën kur do të përcaktoheshin konturet e qarta se si do të ishte në vijim familja Feri. Konture që në fakt kishin nisur të ravijëzoheshin që në historinë e tyre të dashurisë. U lidhën që në bankat e shkollës, ndonëse secili prej tyre ishte përbetuar se nuk do të ngatërrohej brenda llojit, pra me aktorë, pasi prej çfarë shikonin e dëgjonin në ata auditorë, nuk besonin se mund ta gjenin aty njeriun e duhur për një marrëdhënie e familje serioze. “Por ja që përbetimi yni, nga fat u kthye në fatalitet ose nga fatalitet në fat”, pohon Xhevdeti, duke e vënë më shumë theksin tek pjesa e dytë e fjalisë. “Jetonim në Durrës, në shtëpinë e prindërve të Xhodës. Filluam të dy punë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Bora lindi në qershorin e 85-ës, ndërsa ne nuk ishim veçse 24 vjeç”, kujton Rozeta, ndërsa Xhevdeti shton aty për aty se që atëherë ajo nisi të vendosë pikat mbi “i”. Deri edhe në plazh kishte rregulla fikse, sidomos për kujdesin dhe mirërritjen e Borës. “Ndaj jo më kot, pas lindjes së Borës unë krijova një distancë edhe më të madhe me oferat e filmave. Kështu Xeta më detyroi ta merrja edhe unë më seriozisht familjen, jo vetëm në fillimet tona por edhe kohë më pas, sidomos kur kjo ishte edhe më e domosdoshme, kur u shpërngulëm në Tiranë”. Ai vetë i kishe nisur vatje- ardhjet Durrës- Tiranë dhe anasjelltas që në 1989-ën, kur nisi punë si pedagog, në Akademinë e Arteve, ndërsa e gjithë familja u shpërngul në 1992-shin, për t’u sistemuar në shtëpinë (në rrugën “Hoxha Tahsim”) ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. “Vila, ku për ca kohë do të mund të menaxhonim vetëm një dhomë, një korridor e një tualet të përbashkët me fqinjët brenda së njëjtës godinë, ishte pronë e tim eti, e ndërtuar që në ‘38-ën, që administrohej nga shteti”, tregon Xhevdeti për ditët kur ndjenë se fituan lirinë, por humbën komoditetin, kur nisën të aplikonin për herë të parë durimin ndaj vështirësive që ekzistonin vetëm brenda shtëpisë së madhe, të cilën nuk mund ta kishin dot të gjithën. “Ky ishte i vetmi shqetësim. Jashtë asaj shtëpie, në Tiranën që s’ishte aspak ambient i ri për ne, ndiheshim shumë mirë. Ndërkaq unë isha emëruar dekan në Akademinë e Arteve, ndërsa Rozeta u aktivizua në Teatrin Kombëtar”. Beteja për shtëpinë do t’ua prishte jo pak herë terezinë deri në 1997-ën, kur do të fitonin më në fund të drejtën për ta pasur atë shtëpi të gjithën për vete, pa fqinj të huaj nëpër koridore e oborr. Kjo ishte njëra nga betejat e shumta të Xhevdet Ferit në ato kohë, e cila përderisa kishte të bënte me shtëpinë e babait të tij, sigurisht që mund të konsiderohej më e rëndësishmja. Por edhe të tjerat nuk ishin më pak. Angazhimi politik në vitet ’96- ’97 si deputet i PD-së, ishte prova e krijimit të një profili tjetër, të cilin nuk e kristalizoi dot qartë. U tërhoq sapo kuptoi se kishte ca gjëra të tjera që mund t’i bënte më mirë. Që kishin të bënim me profesionin e tij, me filmin dhe teatrin.