Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot, në takimin e zhvilluar në Bazën Ajrore të Farkës me efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile, drejtues të bashkive dhe partnerë ndërkombëtarë, në kuadër të përgatitjeve për përballimin e sezonit veror dhe rritjes së riskut nga zjarret për shkak të temperaturave të larta.
Duke sjellë në vëmendje situatën e rëndë të zjarreve në Francë dhe Spanjë, ku mijëra qytetarë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, Rama deklaroi se ndryshimet klimatike kanë bërë që zjarret masive të mos konsiderohen më ngjarje të jashtëzakonshme, por një rrezik që kërkon përgatitje të vazhdueshme.
“Nuk duhet të pyesim më nëse mund të ndodhë edhe tek ne, por sa të përgatitur jemi kur të ndodhë”, u shpreh kryeministri, duke e cilësuar sezonin e sivjetshëm si një provë për kapacitetet e shtetit shqiptar.
Sipas Ramës, Shqipëria ka rritur kapacitetet teknologjike për përballimin e zjarreve, duke përmendur katër helikopterë në gatishmëri, mundësinë e shtimit të tyre në gjashtë dhe blerjen e tre avionëve për ndërhyrje ajrore, që pritet të mbërrijnë në fund të vitit.
Por krahas pajisjeve, Kryeministri theksoi se elementi kryesor mbeten njerëzit që përballen drejtpërdrejt me flakët.
“Në qendër të këtij sistemi nuk janë makinat, nuk janë dronët, janë njerëzit që veshin uniformën dhe dalin në terren pa pyetur për orarin, temperaturat apo rrezikun”, tha Rama, duke vlerësuar sakrificën e zjarrfikësve dhe familjeve të tyre.
Një nga vendimet e bëra publike nga Kryeministri ishte shpërblimi financiar për forcat e angazhuara në operacionet kundër zjarreve. Rama tha se i ka propozuar qeverisë që efektivët e Ministrisë së Mbrojtjes të përfshirë në këtë proces të marrin menjëherë një pagë ekstra, ndërsa u bëri thirrje bashkive të ndjekin të njëjtën praktikë për trupat zjarrfikëse në territor.
“Kjo nuk është një mirënjohje vetëm me fjalë, por me mbështetje konkrete”, deklaroi ai, duke premtuar vijimin e investimeve në pajisje, trajnime dhe modernizimin e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri.
Një tjetër masë e prezantuar nga Rama ishte sigurimi i tre avionëve për luftën kundër zjarreve, të cilët pritet t’i shtohen kapaciteteve të vendit në fund të këtij viti.
Në fund të fjalës së tij, Rama apeloi edhe për kujdesin e qytetarëve, duke përmendur si shkaktarë të shpeshtë të zjarreve pakujdesinë me cigaret, mbetjet e pashuara pas piknikëve, por edhe rastet e zjarrvënieve të qëllimshme.
“Një vend nuk mbrohet vetëm nga ligjet dhe muret, një vend mbrohet nga njerëzit dhe nga zemra e tyre”, ishte mesazhi përmbyllës i Kryeministrit, i cili e cilësoi figurën e zjarrfikësit si simbolin e sakrificës në mbrojtje të qytetarëve.




















