Integrimi/ Bullgaria i përgjigjet Ramës: E papranueshme që marrëdhëniet mes dy vendeve të mbahen peng nga gjuha fyese e një kryeministri

146
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim në Twitter për t’iu përgjigjur Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, e cila shprehej në një deklaratë zyrtare se “i refuzon me vendosmëri sugjerimet e tij si të papranueshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE”. Deklarata nga Sofia zyrtare lidhet me ato ç’ka Rama tha në samitin e Bled-it në Slloveni dhe thekson se “retorika antibullgare e Edi Ramës, është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimit të tij politik”. Rama në Forumin e Bledit u shpreh se Shqipërisë iu pengua hapja e negociatave nga vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Ministria e Jashtme e Bullgarisë i konsideron të rreme këto deklarata të kreut të qeverisë shqiptare. “Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme, antibullgare të Kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bledit më 29-30 gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi për 8 vjet fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. MPJ i refuzon deklaratat e papërgjegjshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Tani është kombinuar me një fokus anti-europian dhe një përpjekje për të poshtëruar mekanizmat e procesit evropian. Deklaratat tregojnë keqkuptime rreth procesit politik për të vendosur në shinat evropiane marrëdhëniet në rajon. Bëhet fjalë ose për mungesë të aftësive komunikuese evropiane ose për nxitje të qëllimshme të ndjenjave anti-europiane. Bullgaria rezervon të drejtën të reagojë në mënyrën e duhur ndaj sjelljes së Kryeministrit shqiptar, duke ndjekur parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë. Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare kërkon që dikush t’ia përkthejë qartë miqve bullgarë fjalimin e tij në Bled. “Ndoshta dikush duhet të ndihmojë miqtë tanë të Ministrisë së Jashtme bullgare me përkthimin e qetë të përgjigjes sime në Bled se si Bullgaria bllokoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kur më në fund të gjithë të tjerët ranë dakord pas 8 vitesh të gjata! Thjesht përsërita të njëjtat gjëra, që thashë në qershor”,- shkruan Rama.