Edi Rama dhe Ilir Meta takohen në Itali

492
Sigal

Itali/ Torino, Rama: “Era për Europën po fryn majtas”. Meta u premton emigrantëve

 Edi Rama dhe Ilir Meta janë takuar në Itali në kuadrin e një konference të të Majtës Europiane. Rama tashmë ka dhe autoritetin e Zv/Presidentit të Internacionales Socialiste, ndaj dhe në auditorin ku ka folur kanë marrë pjesë autoritete dhe personalitete të shquara evropiane. Burime konfidenciale bënë të ditur dje se kreu i PS-së, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, janë takuar dhe kanë biseduar për një aleancë të mundshme parazgjedhore. Oferta e Ramës ka qenë për t’i dhënë LSI-së 40 për qind të pushtetit në rast fitoreje në zgjedhjet e 23 qershorit. Meta, megjithëse i entuziazmuar nga kjo ofertë, është treguar i përmbajtur, duke thënë se miratimin ose jo do ta japë pak ditë më vonë.

Rama: “Era po fryn majtas”

Kryetari i Partisë Socialiste dhe zëvendëspresidenti i Internacionales Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën “Rilindje për Europën: Paqe, prosperitet dhe progres”, të zhvilluar në Torino të Italisë dhe ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të së majtës Europiane, në një aksion politik për të mbështetur Pierluigi Bersanin, kandidatin e majtë për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 24 shkurt në këtë vend. Gjatë konferencës është diskutuar gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit mes të majtës veçanërisht në këtë vit që është vit elektoral për disa vende europiane si dhe është theksuar se tashmë në realitetin europian fitorja e së majtës progresiste duket mjaft e sigurt. Kreu i PS, Edi Rama pas konferencës është shprehur: “Ne ndjemi të përkëdhelur në sedër që Partia Socialiste Europiane ka përqafuar sloganin e një rilindje për Europën, ndërkohë që, modestish ne kemi përqafuar idenë e një Rilindje Shqiptare. Dhe sot ishte një kënaqësi e veçantë që në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë isha mes udhëheqësve të lartë të socializmit europian së bashku me disa kryeministra të partive socialiste e socialdemokrate të Europës, për të mbështetur kandidatin e rilindjes europiane për Italinë, Pierluigi Bersanin. Është e ndjeshme kudo që era për Europën e të nesërmes po fryn majtas dhe ne sot ndamë një frymëzim europian me kryetarin e Parlamentit Europian Martin Schulz, me një sërë kryeministrash që sot përfaqësojnë aspiratat e të majtës socialiste dhe progresiste me kandidatin për kryeministër dhe kryeministrin e së shpejtshëm të Italisë Pierluigi Bersani dhe plot të tjerë. U fol për Europën e nesërme, u fol për domosdoshmërinë e një bashkimi europian që është shumë më pranë qytetarëve, që është shumë më i angazhuar për rritjen, zhvillimin, solidaritetin mes qytetarëve të Europës së nesërme ku padyshim bëjnë pjesë edhe shqiptarët e Shqipërisë së sotme”. Kryesocialisti ka folur edhe për bashkëpunimin që PS është duke forcuar me partnerët europianë në funksion jo vetëm të zgjedhjeve të 23 Qershorit, por edhe më tej për ta çuar vendin drejt standardeve të Europës së bashkuar. Në konferencë binte në sy pjesëmarrja e shumë drejtuesve dhe personaliteteve të së majtës europiane si Piero Fassino, kryebashkiak i Torinos; Martin Schultz, President i Parlamentit Europian, Gerhard Schroeder, ish kryeministri gjerman, Victor Ponda, kryeministri rumun, Zoran Milanovic, Kryeministri kroat, Elio di Rupo, kryeministri belg, Sergei Stanishev, President i PES, Hannes Sëoboda, Kryetar i grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian, etj..

Meta takim me emigrantët në Piemonte

Ilir Meta: Duhet konsensus për votën e emigrantëve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, zhvilloi gjatë ditës së djeshme një takim me më shumë 300 emigrantët shqiptarë të rajonit të Piemontes në Itali.  Në takim i shoqëruar dhe nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha,  Meta tha se krenohet me arritjet dhe me kontributin e jashtëzakonshëm të emigrantëve në Itali. Gjatë takimit, kreu i LSI-së ka nënvizuar nevojën për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore.  Ndërsa, lidhur me të drejtën e votës që ata duhet të gëzojnë edhe pse jetojnë jashtë vendit, Meta shprehu bindjen se për këtë çështje nevojitet patjetër konsensus. Meta deklaroi se mënyra më e mirë për të përballuar pasojat  e kësaj krize të madhe financiare, mënyra më e mirë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për të përballuar jetën dhe ajo është për të mbrojtur vendet e punës dhe për të hapur vende të reja të punës. Sipas tij edhe angazhimi i LSI-së ka qenë dhe mbetet në këtë drejtim parësor sepse rruga më e mirë për të luftuar varfërinë është rritja e punësimit.