Gjekmarkaj: Paketa anti-KÇK është një batutë e kthyer në ligj

1053
Sigal

Analisti  i njohur Agron Gjekmarkaj mendon se kryeministri Edi Rama ka një mllef të vjetër me gazetarët, duke kujtuar dhe etiketimet e tij të mëparshme për ta.

Duke iu referuar deklaratës së Ramës në parlament se ‘ka media e analistë që janë paguar nga krimi i organizuar’, Gjekmarkaj deklaroi në “Real Story” në News24 se opozitarizmi gazetaresk e ka bezdisur shumë Ramën dhe i ka thënë shumë të vërteta.

Përsa i përket paketës anti-kçk, ai u shpreh se është një batutë e kthyer në ligj.

“Kryeministri e di që gënjen sidomos në raport me gazetarët, me analistët. E ka mllef të vjetër ai këtë sepse ca kohë i quajti ‘kadrinj’, ‘kazanë’. E ka shumë problem sepse mbase opozitarizmi gazetaresk e ka bezdisur shumë, i kanë thënë shumë të vërteta, i kanë vënë në dukje një problematikë të rëndë që e ka shoqëruar gjatë 7 viteve, sjelljen në parlament, në pushtet lokal dhe pak a shumë kudo në hierarkinë e lartë të shtetit të personave të cilët kanë pasur një të shkuar të errët kriminale dhe tani ai i kthehet botës mediatike me të njëjtën akuzë. Kjo është qesharake, është e pakuptimtë por është edhe e turpshme dhe e rrezikshme në të njëjtën kohë. Të gjitha të vërtetat nuk flenë tek shtëpia e Edi Ramës. Nuk është padron i të vërtetave absolute në këtë vend. Ligjërimi i tij të lë të kuptosh sikur ai sapo ka komunikuar me Zotin dhe na jep verdiktin nga foltorja e parlamentit por nuk është kështu. E vërteta është shumë relative herë pas here. Në këtë kontekst atij i duhet sepse ai e di se çfarë ka bërë me KÇK-në. Një batutë e ka shndërruar në ligj, kjo tregon se sa banale në thelb është gjithë lëvizja, gjithë ngrehina e institucioneve që i shkojnë nga pas, të cilat komandohen prej tij në mënyrë hierarkike dhe e di që po cenon thelbin e të drejtave të njeriut”, deklaroi Gjekmarkaj.

Ky i fundit tha se me këtë ligj, drejtorët e policisë kanë të drejtë të vënë në përgjim këdo për të cilin kanë dyshime dhe këta mund të jenë kriminelë por edhe kundërshtarë duke e kthyer në një gjueti shtrigash.

“Në një vend demokratik edhe kriminelët kanë të drejta, unë nuk kam simpati për kriminelët, nuk i mbroj kriminelët por në çdo vend kanë të drejta. Njerëzit e zakonshëm kanë të drejta, të dyshuarit kanë të drejta dhe këto të drejta i përcaktojnë institucionet, i përcakton prokuroria dhe mbi të gjitha Gjykata. Në këtë rast këto të drejta i ka në dorë drejtori i Policisë. Nuk është kaq e thjeshtë. Është edhe një hakmarrje, jo tamam por më shumë dhe tallje në reformën në drejtësi që ai prokurorit të përgjithshëm, kryetarit të SPAK-ut i vë në krye Ardi Veliun dhe në rreth çdo drejtor policie ka të drejtë të fusë në përgjim këdo që ai mund të dyshojë. Pra, dyshimi në vetvete ngrihet si institucion por dyshimi mund të jetë dhe gjueti shtrigash. Dyshimi mund të përdoret për kriminelët por mund të përdoret dhe për kundërshtarët. Unë jam i bindur që kjo është një gjë që nuk bind në vetvete duke gjykuar 7 vitet e Edi Ramës, serioziteti i tij ndaj luftës së krimit. Gazetarët i thonë filloje nga Surreli, nga vila jote. Shumë mirë, le ta fillojë, le tua mbyllë gojën gazetarëve por nuk e bën. Vetëm bën retorikë nga foltorja e parlamentit. I thonë për ministrat, përsëri nuk e bën. I thonë për një oligark dhe njerëzit që ka përreth, përsëri i mbron”, deklaroi analisti.

Sipas tij, sulmi ndaj gazetarëve e analistëve është një akt i shëmtuar po aq sa paketa antishpifje.

“Kështu që në këtë kontekst ai sot ka preferuar që të mbrohet duke sulmuar botën mediatike. Unë mendoj që ka kryer një akt të shëmtuar po aq të shëmtuar saç ishte ligji që tentoi të miratonte në parlament dhe nuk ia doli për momentin për shkak të presionit kombëtar dhe ndërkombëtar që ishte ai i antishpifjes. Kjo më trishton sa i përket sulmit që i bën kolegëve dhe gazetarëve. Unë nuk mendoj se ti e merr rrogën nga krimi, as unë dhe as të tjerët. E marrim secili nga puna që bëjmë. Se si e merr rrogën kryeministri dhe rrogat e tjera duhet ta shohim me lupë këtë punë”, tha Gjekmarkaj.