Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “për Policinë e Shtetit” i cili në nenin 131 të tij pëson disa ndryshime të cilat i heqin kompetencën prokurorisë për të urdhëruar përgjime.
Deuptetja e LSI, Silva Caka në një postim të bërë në Facebook, ka reaguar në lidhje me këtë ligj duke thënë “ Kjo nuk është thjesht shkelje me të dyja këmbët e privatësisë dhe e të drejtave të njeriut; kjo është diktaturë e pastër”
Postimi i plotë i Cakës
Narkopolicia po na vëzhgon!
Ndryshimet e propozuara rishtazi në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, synojnë të monitorojnë gjithkënd, kudo dhe kurdo, pa miratim nga Prokuroria; mjafton që polici i zakonshëm t’a ketë mirë me shefin e tij e ai t’i japë lejen për përgjim të të gjitha llojeve!
Çdo qytetar, do bëhet shumë kollaj pre e përgjimeve dhe kjo nuk bën asgjë tjetër veçse e kthen Policinë e Shtetit në shantazhiste dhe gjobëvënëse.
Kjo nuk është thjesht shkelje me të dyja këmbët e privatësisë dhe e të drejtave të njeriut; kjo është diktaturë e pastër!!!
Nuk na ka ngelur gjë tjetër, veçse të spiunojmë vetë vëllezërit e motrat, të cilët nuk duhet të na prishin moralin e pastër komunist!