Të martën në një prononcim për mediat Drejtoresha e QSUT-së Albana Fico tha se shërbimet emergjente në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë nuk kanë ndaluar në asnjë moment, pavarësisht problematikës së shfaqur nga zjarri pak ditë më parë tek godina e re e Urgjencës në QSUT. “Për ne gjëja më e rëndësishme është t’i shërbejmë ashtu siç duhet qytetarëve. Ne vijojmë të bëjmë gjërat që bëjmë si QSUT, operacione komplekse, adresimin e të gjitha sëmundjeve tumorale, që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente. Kirurgjia vaskulare, kirurgjia kardiake, ose të themi kirurgjia e zemrës. Urologjia, shërbimet e tjera, të gjitha adresojnë emergjenca. E vetmja gjë është që ne jemi riorganizuar brenda vetes për t’i shërbyer njerëzve. Emergjenca brenda QSUT nuk ka ndaluar. Fillimisht nis rikthimi i shërbimeve me kirurgjitë dhe aksidentet neurovaskulare. Ndërkohë, gatishmëria e emergjencës së Urgjencës polivalente, që trajton këto lloj emergjencash është dhe ka qenë gjithnjë e disponueshme 24 orë në ditë për 7 ditë, njerëzit janë aty. Kemi diskutuar me stafin dhe për ato problematika që nuk adresohen askund tjetër përveç se në QSUT. Ato do të vazhdojnë këtu. Nuk na pengon asgjë teknikisht për të vijuar në këtë mënyrë”, -tha Drejtoresha e QSUT-së Albana Fico.