Qymyrguri mbetet edhe më tej i pazëvendësueshëm

1182
Edhe pas mbylljes së minierës së fundit të qymyrit në 2018, Gjermanisë do t’i duhet për një kohë të gjatë qymyr për prodhimin e energjisë, nevojë që nuk e plotësojnë energjitë e ripërtëritshme.
Megjithëse në vitin 2018 do të ketë pushuar së nxjerri qymyrguri edhe miniera e fundit në Gjermani, ky burim fosil energjetik do t’i duhet ekonomisë gjermane edhe dekadat e ardhshme. Në vitin 2022 do të shkëputen nga rrjeti edhe centralet e fundit bërthamore, në një kohë që energjitë e ripërtëritshme kontribuojnë deri tani me vetëm 31 përqind të prodhimit të energjisë. Në këtë situatë, qymyri mbetet një pjesë e rëndësishme e furnizimit me energji. 
Gjermanisë do t’i duhet atëherë të importojë qymyr nga vende të tjera. Aktualisht Gjermania importon rreth 55 milionë tonë qymyr në vit, thotë Franz-Josef Wodopia, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Importuesve të Qymyrit. “Kjo sasi na duhet në dy të tretat për termocentralet dhe një e treta për industrinë e çelikut. Kësaj i shtohet edhe një sasi e vogël për tregun e ngrohjes.”
Nxjerrja e qymyrgurit po përfundon
Në kuadër të mbylljes së minierave të qymyrgurit në Gjermani, sasia e qymyrit të nxjerrë në Gjermani u pakësua vitet e fundit vazhdimisht, deri në 3.8 milionë tonë në vitin 2016. Pa qymyr nga importi, nevojat nuk do të plotësoheshin dot. Pjesa më e madhe e qymyrit të importuar në vitin 2015, 36,5 milionë tonë, u përdor për prodhimin e energjisë.
Vitet e kaluara, furnizuesit kryesorë të tregut gjerman me burimin e zi energjetik qenë Kina dhe Afrika e Jugut. Por ndërkohë kjo ka ndryshuar, sepse Kinës i duhet vetë të importojë qymyr në masën 200 milionë tonë në vit. Ndërkohë, thotë Franz-Josef Wodopia, “për termocentralet, furnizuesit kryesorë janë Rusia me 15 milionë tonë dhe Kolumbia me afërsisht dhjetë milionë tonë.” Kësaj i shtohen edhe gjashtë milionë tonë nga SHBA.
Termocentrali i linjitit në Schkopau, Landi i Saksoni-Anhaltit
Sasitë më të mëdha të qymyrit koks janë nga Rusia dhe SHBA. Ky lloj qymyri i distiluar me një vlerë të lartë kalorike i duhet industrisë së çelikut në furnalta. Vetë qymyrguri nuk është i përshtatshëm për këtë, sepse në djegien e tij çlirohet shumë qymyr dhe blozë, të cilat e ndotin hekurin.
Energjitë e ripërtëritshme nuk i plotësojnë ende nevojat
Tregtia e përbotshme e qymyrit, vitin e kaluar arriti shumën e 1,1 miliardë tonëve. Qymyri në Gjermani kontribuon me 40 përqind në prodhimin e energjisë. 23 përqind e energjisë prodhohen nga linjiti, 17 përqind nga qymyrguri, edhe më tej i pazëvendësueshëm.
Varësia nga importi përllogarit edhe lëkundjet e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Në mes të vitit të kaluar, një ton qymyri të importuar kushtonte ende rreth 50 euro. Deri në fund të vitit, çmimi u ngjit në 100 Euro. “Kurse në rastin e qymyrit koks kemi madje një tre-deri-katëfishim të çmimit. Varësisht nga cilësia që dëshiron”, thotë Wodopia. Kjo do të thotë se shpenzimet kapën shumën 250 dollarë për ton. Wodopia thotë se “në atë masë që do të braktiset qymyrguri, për shkak të kthesës energjetike, në atë masë do të rritet rëndësia e qymyrit koks”. Qymyri koks është i domosdoshëm për çelikun. Dhe në fund të fundit, çeliku gjerman ka emër të shkëlqyer në botë.
Kjo do të thotë: megjithë kthesën energjetike dhe synimeve ambicioze për klimën: ekonomia gjermane nuk do ta braktisë qymyrin, edhe pas mbylljes të minierave të qymyrgurit në Gjermani.
Sigal