Një vendvarrim në Lezhë do të kushtojë 25 mijë lekë (të reja). Vendimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe pritet të hyjë në fuqi pasi të marrë miratimin e prefektit.
Me këtë vendim, në varrezat publike nuk do të ketë më varrime pa lejen e Bashkisë.
Familjarët do të duhet të paraqiten pranë njësive administrative certifikatën e vdekjes për të marrë autorizimin dhe për të kryer pagesën përkatëse.
Nga tarifa do të përjashtohen familjet në nevojë. Vendi i varrit nuk do të zgjidhet më sipas preferencave por do të caktohet nga Bashkia, sipas planit për hapësirat e lira.
Çdo varrim do të regjistrohet në regjistrin elektronik, ndërsa zhvarrimet do të lejohen vetëm në rastet e parashikuara nga ligji. Po ashtu, ndërtimi i varreve familjare, vendosja e monumenteve apo çdo ndërhyrje tjetër në varreza do behet me leje te posaçme.





















