Dako në Manskuri: “Shkollë të re dhe ivestime në ndihmë të fermerëve”

416
Kandidati i ASHE për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako ka qenë në fshatin Manskuri, një fshat kodrinor nga më të largëtit e bashkisë së Durrësit pas ndarjes së re administrative-territoriale.
Për shkak të pozicionit gjeografik dhe mungesës pothuajse të plotë të investimeve për një periudhë të gjatë, problemet me të cilat ndeshen banorët e këtij fshati janë të mprehta dhe më të shumta se sa njësitë e tjera.
Në takimin me banorët e fshatit, Dako u shpreh se i njeh me imtësi të gjitha problemet e Durrësit, por edhe te Manskurisë dhe fshatrave ngjitur me të. Në rendin e punëve që do të kryhen, janë ndërtimi i shkollë së fshatit, krijimi i inspektoriatit të arave, si dhe kanale vaditëse dhe rrugë në ndihmë të fermerëve, po kështu zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm pas investimeve që do të kryhen në të gjithë Durrësin.
Dako tha se ”jam shumë i ndërgjegjshëm, pasi e njoh situatën në çdo qelizë të Durrësit. Po kështu, di edhe problemet e fshatit tuaj. Di mirë problemet me tokën bujqësore, problemet e furnizimit me ujë e shumë probleme të tjera me të cilat ju ndesheni.”
Më pas, kryebashkiaku Dako u angazhua për ndërtimin e një shkolle të re, “aq të domosdoshme për fëmijët tuaj,” siç e quajti ai. “Do të krijojmë Inspektoriatin e Arave për të mbrojtur tokën bujqësore nga abuzimet, mbylljet e kanalizimeve nga ndërtimet e paligjshme, si dhe problematika të tjera,” – vazhdoi më tej ai.
“Do të ndërtojmë rrugë për të lidhur parcelat, duke i ardhur kështu në ndihmë fermerëve që të shkojnë nëpër ara duke i dhënë mundësi atyre që të ulin kostot e prodhimit e të rrisin rendimentin”.
Më pas Dako i kërkoi votën banorëve të këtij fshati në mënyrë që sëbashku të realizojmë projektet për të gjithë këtë zonë që i bashkangjitet bashkisë së Durrësit pas ndarjes së re territoriale.
Sigal