Prof. Dr.Afrim Krasniqi: Në Shqipëri, politikanët e përballur me skandale ofrojnë të njëjtën përgjigje: heshtni për 4 vjet më pas mund të votoni

Afrim Krasniqi

 

Në demokraci kontrata përfaqësuese bazohet në legjitimitet dhe besim. Mandati përfaqësues nuk është pronë e politikanit dhe as ky i fundit nuk është imun nëse përfshihet në skandale. As në parti, as në qeveri, as në parlament.

Nigel Farage, liderit i Reform UK dhe një nga politikanët më kontrovers në Britaninë e Madhe, shpesh edhe me qasje kritike ndaj shqiptarëve dhe të huajve në përgjithësi. Në gjykimet profesionale politike një populist nacionalist spekullativ nuk meriton vlerësime pozitive, por kur e përball me nahijen tonë mund të jetë një ilustrim pozitiv që nderlidh përgjegjësinë dhe zgjidhjen politike. I përballur me akuza për mbështetje financiare të padeklaruar, të cilat ai i mohon, Farage dha dorëheqjen si deputet, dhe ndërkohë shpalli rikandidimin në zgjedhje të pjesshme, duke deklaruar se gjykimin për veprimet e tij duhet ta japin edhe qytetarët e zonës që përfaqëson. Deputeti në UK zgjidhet me sistem mazhoritar, nuk emërohet.

NOA

Ky rast nuk do të thotë se vota mund të zëvendësojë drejtësinë. Përgjegjësia penale dhe ligjore përcaktohet nga organet e drejtësisë, mbi bazën e fakteve dhe të ligjit. Por përgjegjësia politike lidhet me besimin e qytetarëve dhe, për këtë arsye, duhet të përballet edhe me votën.

Në Shqipëri, politikanët e përballur me akuza të rënda, skandale publike ose humbje të dukshme të besimit shpesh ofrojnë të njëjtën përgjigje: heshtni për 4 vjet më pas mund të votoni. Me këtë logjikë mandati trajtohet si një autorizim i pakthyeshëm për të gjithë legjislaturën, pavarësisht zhvillimeve, skandaleve apo akuzave që mund të cenojnë legjitimitetin politik të të zgjedhurit. Kjo, edhe kur në sistemin tonë zgjedhor qytetarët nuk kanë votuar de facto për rreth 80% të deputetëve, për 100% të ministrave dhe as për kryeministrin. Këtë të fundit e zgjedh partia, ai zgjedh ministrat dhe 80% të deputetëve. E njëjta formë edhe për sistemin e emërimit në opozitë.

Dy sistemet janë të ndryshme, megjithatë standardi demokratik mbetet i vlefshëm: akuzat përballen me drejtësinë, përgjegjësia morale përballet me besimin publik, përgjegjësia politike përballet me votën. Vota nuk jep fajësi/pafajësi, por as mandati 4 vjeçar nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj hetimit, mocionit dhe votëbesimit qytetar.

Thelbi? Në demokraci kontrata përfaqësuese bazohet në legjitimitet dhe besim. Mandati përfaqësues nuk është pronë e politikanit dhe as ky i fundit nuk është imun nëse përfshihet në skandale. As në parti, as në qeveri, as në parlament. Mandati është instrument besimi i deleguar periodikisht nga qytetarët dhe, kur ky besim vihet seriozisht në diskutim, kontrata thyhet ndaj edhe nuk mund të jetë e mjaftueshme t’u thuhet atyre: “nuk ju jap llogari, prisni edhe katër vjet”.

Kjo vlen për dy rastet, si për ata në pushtet ashtu edhe për ata që duhet të jenë alternative konkurruese ndaj pushtetit.