COVID-19/ Nga kërkesa për rihapjen e kufijve tokësorë tek apeli për qytetarët, zbardhet takimi i Metës me Manastirliun

52

Ndërsa numri i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë vijon të jetë i lartë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim pune me kërkesë të tij me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit e informoi Metën se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.

Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, – tha Manastirliu.

Kreu i Shtetit pasi e siguroi Ministren për solidaritetin dhe mbështetjen e tij të plotë për institucionet shëndetësore, shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit.

Ndër të tjera ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët. Kreu i Shtetit apeloi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.

Në këtë kuadër, presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan domosdoshmërinë e vijimit të koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore.

Gjithashtu, kreu i Shtetit nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë. Presidenti Meta dhe Ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”.