Beqir Sina: Protestë e madhe e shqiptarëve në New York

Beqir SINA – New York City


NOA

New York, 6 qershor 2026 – Qindra shqiptarë u mblodhën sot paradite para Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në New York, duke ngritur zërin kundër projektit kontrovers të Zvërnecit dhe lagunës së Nartës. Protesta, e cila u organizua në mënyrë spontane përmes thirrjeve në rrjetet sociale, bashkoi rreth 1000 pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar i metropolit.

Protestuesit u bashkuan me thirrjet e nisura në Shqipëri, duke shprehur solidaritet të plotë me banorët lokalë. Grupe të tjera të komunitetit si “Jo Skavica” dhe “Drejtësi për Rrjollin” u rreshtuan gjithashtu në këtë grumbullim, duke e kthyer ngjarjen në një manifestim të gjerë kundër cenimit të territorit shqiptar.

Që në orën 14:00, para godinës së misionit diplomatik, atmosfera u ngarkua me energji qytetare. Folësit, duke përdorur megafon, theksuan se çështja e Zvërnecit shërbeu si shkëndijë për një pakënaqësi të thellë të grumbulluar ndër vite. Ata kërkuan dorheqjen e Kryeministrit Rama dhe një llogaridhënie të qartë nga qeveria shqiptare dhe ndalim të menjëhershëm të çdo projekti që rrezikon zonat e mbrojtura natyrore dhe pronën publike.

“Territoret tona nuk janë në shitje”, ishte një nga mesazhet kryesore që u dëgjua nga megafoni. Protestuesit kërkuan dorëheqje nga përgjegjësit e këtij projekti dhe transparencë të plotë në vendimmarrje.

Fjalimet theksuan rëndësinë e ruajtjes së pasurive kombëtare për brezat e ardhshëm, duke lidhur çështjen me një shqetësim më të gjerë mbi menaxhimin e burimeve në Shqipëri.

Pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë, pankarta me parulla të qarta dhe simbole të identitetit shqiptar. Mes tyre spikatën thirrjet “Rama ik”, “Drejtësi për Nartën” dhe “Diaspora thotë stop”.

Bashkëpunimi me grupet “Jo Skavica” dhe “Drejtësi për Rrjollin” dha një dimension shtesë, duke treguar unitet në mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave territoriale.

Protesta e cila u kontrollua nga forca të shumta të policisë njujorkeze u zhvillua e qetë dhe pa incidente, duke zgjatur disa orë.

Organizatorët theksuan se kjo ishte një vazhdim i natyrshëm i valës së protestave qytetare në atdhe, e cila ka gjetur jehonë të fortë në diasporë.

Interesi i lartë i shqiptarëve të Amerikës dëshmon se çështjet kombëtare kalojnë kufijtë gjeografikë dhe bashkojnë komunitetin përtej oqeanit.

Në mbyllje të tubimit, pjesëmarrësit u rreshtuan në një formacion simbolik, duke brohoritur parulla uniteti dhe kërkimin e fortë për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ata shprehën vendosmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj çdo iniciative që mbron integritetin territorial dhe mjedisor të Shqipërisë.

Ky grumbullim kaq madh në New York dërgoi një mesazh të qartë: diaspora nuk është spektatore, por pjesëmarrëse aktive në jetën politike dhe shoqërore të vendit të origjinës.