Shorti i play-off të Botërorit 2026 do të hidhet sot prej orës 13:00, ku Shqipëria dhe Kosova do të njohin kundërshtarët për një vend në finalet e këtij turneu.
Dy përfaqësueset janë në vazon e tretë dhe do të kenë rivalë të mundshëm Poloninë, Uellsin, Çekinë dhe Sllovakinë, që ndodhen në vazon e dytë. Kuqezinjtë dhe Dardanët do të luajnë këtë fazë në transfertë për shkak të renditjes më të ulët në FIFA, që u publikua dje. Shqipëria ishte në vendin e 63, ndërsa Kosova në të 80.
Ndeshjet play-off të Kupës së Botës 2026 do të luhen në fund të muajit mars. Fillimisht zhvillohet gjysmëfinalja dhe, nëse kalojnë me sukses, finalja. Në vazon e parë janë Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina, të cilat mund të sfidohen vetëm në finalen e play-off, pengesa e fundit për të qenë verën e ardhshme në turneun më të rëndësishëm për ekipet përfaqësuese.
16 skuadra garojnë për 4 vendet e fundit nga zona europiane. Faza finale e Botërorit 2026 do të transmetohet në TV Klan nga 11 qershori deri më 19 korrik.






















