Një kamerë e fshehtë është zbuluar rreth katër ditë më parë në afërsi të Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë. Pajisja ishte vendosur në një prej plepave përgjatë rrugës që të çon drejt institucionit penitenciar.
Burime bëjnë me dije se, pas informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi i personave të dyshuar për vendosjen e kamerës. Nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kamera ishte vendosur për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos, me qëllim organizimin e një sulmi ndaj tij në momentin kur do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili po vuan dënimin në Burgun e Drenovës për plagosjen me thikë të Nikolla Agollit.
Hetuesit dyshojnë se vendosja e kamerës lidhet me motive hakmarrjeje ndaj Brian Syzos.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe lokalizimin e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa po heton edhe rolin që ka pasur kamera e vendosur pranë burgut në planifikimin e sulmit.




















