Çështja e ish-kompleksit Partizani/ Berisha do të paraqitet sot për herë të parë në SPAK

39
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha do të merret sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Kjo është hera e parë që Berisha i përgjigjet thirrjes së SPAK për t’u marrë në pyetje, ndërsa në të gjitha rastet e tjera nuk është paraqitur me argumentin se procedura e ndjekur ndaj tij ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Seanca e ditës së sotme pritet të mbahet në orën 10:00.

Kujtojmë se, GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës më 30 dhjetor 2023.

Sipas vendimit të gjykatës, Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre “që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.