Organet e hetimit, gati akuzën për ministrin Demiraj

508
Filmimi, ministri i Brendshëm pengon prokurorinë
Shfaqen pamjet ku Dritan Demiraj nuk lejon sekuestrimin e pajisjeve të përdorura gjatë mitingut të PD-së, ku u dëmtuan 140 protestues
Për çfarë akuzohet Demiraj
Sipas juristëve, veprimet e ministrit Demiraj të dielën në mbrëmje, mund të përbëjnë vepër penale. Në kushtet kur ministri i Brendshëm, në kundërshtim me detyrën e tij, paraqitet në një operacion policor në terren, sipas juristëve mund të jemi në kushtet e nenit 301, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, i cili parashikon se: “Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Tashmë mbetet në dorën e Prokurorisë në rast se ndaj Demirajt, i cili ka vetëm një javë në krye të Ministrisë së Brendshme, do të nisin hetimet apo do t’i ngrihet akuzë.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, është regjistruar nga një kamera e fshehtë duke penguar përfaqësuesit e prokurorisë të marrin provat e nevojshme për hetimin e ngjarjes ende të mistershme të 27 majit, ku mbështetësit e opozitës u shfaqën me shenja helmimi pas përfundimit të një mitingu në Tiranë. Gjithashtu, prokurorët po diskutojnë të kërkojnë ndihmën e autoriteteve gjermane për të marrë një përgjigje në kohë rekord mbi incidentin e ndodhur gjatë mitingut të Partisë Demokratike, ku u dëmtuan 146 tubues. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur për mediat se asistenca e të huajve do të kërkohet, pasi nga komunikimet me ekspertët e mjekësisë ligjore është thënë se në Shqipëri ky proces zgjat sepse nuk disponohen aparatura të fjalës së fundit. Kjo ekspertizë do të konfirmojë se çfarë elementesh ndodheshin në gjakun e 22 shtetasve, të cilët u regjistruan për ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që pjesa tjetër u paraqiten me shqetësime të lehta. Por nga ana tjetër, Prokuroria po pret edhe ekspertizën e ushtrisë që këqyri, jo vetëm vendngjarjen në një perimetër të caktuar në bulevard, por edhe veshjet e protestuesve që shfaqen dhimbje sysh dhe në trup. Jo zyrtarisht, thuhet se ekspertiza e Forcave të Armatosura tregon se në bulevard nuk është gjetur asnjë element i rrezikshëm. Por ndërkohë zyrtarisht Prokuroria nuk e regjistroi çështjen hetimore sipas referimit të policisë për dyshimet e ndotjes së ajrit, por për veprën 325 që është pengim i subjekteve elektorale për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Po ashtu, dyshohet se simpatizantët mund të jenë lënduar nga dritat e projektorëve, por në një videoregjistrim, oficerët e policisë gjyqësore duket se janë penguar të bëjnë detyrën e tyre nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili nuk i lejon t’i sekuestrojnë të gjitha pajisjet e përdorura gjatë mitingut. Gjithçka është kapur nga kamerat në trupin e policëve. “Ktheji të gjithë mbrapa. Merrni vetëm një dhe vazhdoni procedurën. Do marrësh vetëm një… Të tjerat… Merr një dhe bëj hetimin. Kush i ka ngarkuar këto? Ktheji mbrapsht. Siç i keni kthejini mbrapsht. Nuk është se duhen të 12 për të bërë hetimin. Hetimi bëhet mbi një dhe dilet në një konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen të 12 armët”, dëgjohet në video të ketë thënë ministri.

Oficerët e policisë gjyqësore ishin mesnatën e së dielës pranë zyrave të kompanisë që realizoi ndriçimin e mitingut të Partisë Demokratike dhe sapo kanë marrë pajiset për hetim, janë gjendur përballë ministrit teknik që kërkonte të ndërprisnin punën.

Opozita nga ana e saj ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes që shkaktoi dëmtimin e mbështetësve të saj në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të 25 qershorit. Edhe vetë kryedemokrati Basha përfundoi në spital për të marrë kurim, ndërsa pjesa më e madhe e 140 të dëmtuarve shfaqën problem në sy dhe lëkurë.
Ministri Demiraj: Janë për fushatë nesër.
Oficeri: Po dakord që janë për fushatë, por.
Ministri Demiraj: Ktheji të gjitha mbrapa. Merrni vetëm 1 dhe vazhdo procedurën konform ligjit. Dakord? Jo të 12-ta.
Oficeri: 11 kam unë këtu, aq sa kanë qenë në miting.
Ministri Demiraj: Po pra, por s’mund t’i marrësh të 11-ta se nesër ka miting subjekti politik. Ne nuk jemi këtu për të penguar subjektet politike.
Oficeri: Jo mo shef, se as e vë në diskutim fare unë këtë…

Ministri Demiraj: Të marrësh vetëm 1. Të tjerat… merre, 1 dhe bëje hetimin. Kush i ka ngarkuar ata? Ktheji mbrapsht! Ku është ai i zoti i kësaj? Ke nesër aktivitet politik?
Përfaqësuesi i kompanisë: Po

Ministri Demiraj: Ku e ke?
Përfaqësuesi i kompanisë: Po s’e di, se na u ndërpre e gjithë procedura nga kjo punë. 
Ministri Demiraj: Kjo s’ka sens mo… O çuna, kjo s’ka sens. Si merren 12 drita të objektit, të firmës që ka aktivitetin për subjektin politik. Me ç’a do e bëjë aktivitetin nesër ky. Atë nuk është se… duhen të 12 –ta për të bërë hetim. Hetimi bëhet mbi 1 dhe dilet në konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë.
Oficeri: O shef, ne kështu na kanë thënë…
Ministri Demiraj: Kthejini shpejt, shpejt. Urgjent! Kthejini mbrapa, vetëm 1 do merrni.
Sigal