Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Sfidat Shqiptaro-Greke në Bashkimin Evropian tani fillojnë

523
Gazeta Telegraf/
Sigal



Prof. Dr. Lisen Bashkurti 



Komisioni
Evropian pranoi  në Bruksel, më 28
shtator 2016, paketën e problemeve themelore që ekzistojnë në marrëdhëniet
midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm e RSh, Ditmir Bushati bëri një
parashtrim të tre grup problemeve bilaterale: problemet historike, ku vënd
prioritar zë çështja e Çamërisë; probleme të periudhës së tranzicionit, ndër të
cilat prioritizohet çështja e emigrantëve; dhe çështje aktuale, ku
prioritizohet çështja e delimitimit të kufirit detar midis dy shteteve. Kjo
paketë me prioritetet e problematikave Shqiptaro-Greke bëhet në kuadër të
detyrimeve që kanë vëndet kandidate për në BE për politikat e fqinjësisë bazuar
në parimet e politikës së jashtme të BE. Për herë të parë diplomacia zyrtare e
Shqipërisë parashtron formalisht çështjen e Çamërisë në institucione  ndërkombëtare, konkretisht në BE. Bazuar në
rezolutën e Kuvendit të RSh, Ministria e Jashtme prej vitesh ka ndërmarrë një
studim të thellë mbi çështjen e Çamërisë si dhe rrugët dhe mekanizmat e
zgjidhjes së saj. Fakti që Komisioni Evropian pranoi paketën
politiko-diplomatike të Ministrit Bushati është mjaft pozitiv. Kjo paketë
vendos në tryezat e BE probleme që deri pak vite më parë quheshin tabu në Tiranë
dhe Athinë. Tani këto probleme janë në axhendën e të dy vendeve si dhe të BE njëkohësisht.
Mbas dorëzimit dhe pranimit dosjes diplomatikë të MPJ të RSh tek Komisioni
Evropian, me rëndësi themelore është kërkesa e Komisionerit Johanes Hann për të
dy shtetet, Shqipërinë dhe Greqinë, për të gjetur “një mekanizëm
permanent” në vazhdimin e dialogut politik e diplomatik midis palëve. Prej
kohësh kemi insistuar për institucionalizimin e negociatave permanente
shqiptaro- greke lidhur me dosjen e Çamërisë. Tani erdhi direktiva e BE për
themelimin e “mekanizmit permanent” dialogues dhe negociues
Shqiptaro-Grek për gjithë prioritetet themelore të problematikave dypalëshe. Për
diplomacinë zyrtare të Shqipërisë tani është momenti për të ngritur grupe të
specializuara, sidomos për dy problemet më të mprehta: për çështjen e Çamërisë dhe
për çështjen e delimitimit të kufirit detar Shqipëri-Greqi. Grupet e punës për
të dy problemet kanë objekte mjaft të dallueshme bisedimesh. Në rastin e Çamërisë
grupi negociator lypet të përbëhet nga ekspertë të historisë, të gjeografisë, të
së drejtës ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut, të së drejtës ndërkombëtare
private si dhe nga negociatore me kulturë dhe përvojë diplomatike. Në rastin e
delimitimit të kufirit detar grupi negociator lypet të ketë ekspertë të së
drejtës ndërkombëtare, të së drejtës së deteve, të hartografisë, gjeologjisë,
sigurisë, ekonomisë, turizmit dhe përfaqësues të popullsisë kufitare detare.
Grupet duhen konstituar shpejt, të trajnohen edhe nga ekspertët tanë më të mirë
edhe nga ekspertë të huaj si dhe të nisin përgatitjen e dosjeve. Mbas
konstituimit të grupeve të punës, trajnimit të tyre dhe përgatitjes së dosjeve
specifike kalohet në fazën diplomatike. Në këtë fazë caktohen negociatorët, është
e nevojshme të hartohet strategjia e negocimit, taktika, prioritetet, teknikat,
stilet, format, afatizimet deri edhe detaje të njohura si “gjuha emocionale
dhe trupore” e ekipit negociator në proçes e sipër. Në këtë strategji parashikohen
skenare, alternativa dhe opsione varësisht sipas ecurisë së proçesit
negociator. Për të garantuar një proçes sa më të suksesshëm nevojiten të
studiohen rastet e përafërta ndërkombëtare si dhe praktikat më të mira të negociatave
ndërkombëtare. Sfidat kryesore Shqiptaro-Greke tani fillojnë rrugën e tyre ndërkombëtare
në trekëndëshin Tiranë-Athinë-Bruksel