Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që rishikon rregullat për parandalimin e ndotjes nga asbesti.
Projektvendimi vendos detyrime konkrete për punimet në ndërtesa që përmbajnë këtë material, transportin dhe depozitimin e mbetjeve, si edhe kufij për shkarkimet në ajër dhe ujë.
Projektvendimi kërkon që përpara prishjes ose shembjes së ndërtesave, strukturave dhe instalimeve ku ka asbest, personi ose subjekti që kryen punimet të hartojë një plan pune me masat parandaluese për të kufizuar çlirimin e fibrave dhe pluhurit në mjedis.
Asbesti është emërtimi për një grup silikatesh me strukturë fibroze, ku përfshihen ndër të tjera asbesti blu, i bardhë dhe kaf. Për dekada ai është përdorur gjerësisht në materiale ndërtimi, veçanërisht në produktet e asbest-çimentos, për shkak të rezistencës së tij.
Rreziku lind kryesisht kur materialet që përmbajnë asbest dëmtohen, prishen apo copëtohen dhe fibrat e imëta çlirohen në ajër.
Sipas relacionit shoqërues, ato mund të futen në mushkëri përmes frymëmarrjes dhe ekspozimi lidhet me sëmundje të rënda që mund të shfaqen shumë vite më vonë.
Relacioni e cilëson asbestin si një nga kancerogjenët më të rëndësishëm profesionalë dhe thekson se materiali i izoluar dhe i padëmtuar nuk paraqet të njëjtin rrezik si në rastet kur fibrat çlirohen në ajër.
Problemi nuk është vetëm teorik për Shqipërinë. Sipas studimeve të cituara në relacionin e Ministrisë së Mjedisit, asbesti është përdorur në vend gjatë periudhës 1930-1990 dhe besohet se sasia e përdorur ka arritur rreth 200,000 tonë, kryesisht në produkte ndërtimi me asbest-çimento.
Përdorimi i tij si material termoizolues në ndërtesat për banim dhe përdorim publik u ndalua në vitin 1994.
Plan pune para shembjes së ndërtesave
Me rregullat e propozuara, çdo person fizik ose juridik që trajton produkte me asbest duhet të sigurojë që aktiviteti i tij të mos shkaktojë ndotje nga fibrat apo pluhuri.
Kjo kërkesë bëhet veçanërisht e rëndësishme në punimet për prishjen dhe shembjen e ndërtesave ose heqjen e materialeve që përmbajnë asbest.
Përpara fillimit të këtyre punimeve do të duhet të hartohet një plan pune, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e punëmarrësve, ku të përcaktohen masat për reduktimin e ndotjes së mjedisit.
Fibrat, pluhuri dhe produktet e ndotura me asbest që krijohen nga këto punime do të konsiderohen mbetje të rrezikshme. Trajtimi i tyre do të mund të kryhet vetëm nga persona fizikë ose juridikë të pajisur me lejen dhe licencën përkatëse mjedisore.
Edhe transporti dhe depozitimi do t’u nënshtrohen kushteve të posaçme. Projektvendimi ndalon çlirimin në ajër të fibrave ose pluhurit të asbestit gjatë transportit dhe depozitimit, si dhe derdhjen e lëngjeve që mund të përmbajnë fibra. Mbetjet që dërgohen në landfill duhet të jenë të trajtuara, paketuara dhe etiketuara në mënyrë që të parandalohet përhapja e fibrave në mjedis.
Kufiri në ajër, 0.1 mg për metër kub
Projektvendimi përcakton edhe kufij konkretë për shkarkimet. Përqendrimi i asbestit që çlirohet në ajër përmes kanaleve të shkarkimit gjatë përdorimit të tij nuk duhet të kalojë 0.1 mg/m³. Për disa impiante me shkarkime totale më të ulëta se 5,000 m³/orë mund të ketë përjashtim, me kusht që shkarkimi i asbestit të mos jetë më shumë se 0.5 gram në orë në kushte normale funksionimi.
Për rrjedhjet ujore që lidhen me prodhimin e çimentos me asbest, projekti kërkon në parim riciklimin e tyre. Kur kjo nuk është e mundur, parashikohet një kufi prej 30 gramësh lëndë totale pezull për m³ të ujit të shkarkuar. Matjet e shkarkimeve në ajër dhe ujë duhet të kryhen në intervale të rregullta, përfundon relacioni.





















