SPAK hap “tenderin” për burg? dy vjet për dy milionë euro

Av. Ndue Pjetra

 

Sigal

Qytetarët nuk presin vetëm fotografi me pranga. Ata presin që paratë e fituara në kundërshtim me ligjin të mos mbeten më në qarkullim dhe të rikthehen në interes të publikut.Vetëm atëherë satira “Dy vjet burg për dy milionë euro” do të humbasë kuptimin e saj.

 Arrestimet e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve kanë dominuar lajmet në vitet e fundit. Për një pjesë të opinionit publik, kjo është shenjë se askush nuk është mbi ligjin. Për një pjesë tjetër, lind një pyetje e pakëndshme: a mjafton burgu, nëse pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme mbetet e paprekur?

Kjo është arsyeja pse në rrjetet sociale po qarkullon një satirë e hidhur:“Dy vjet burg për dy milionë euro. Ku bëhet aplikimi?”

Është një ironi, por ajo pasqyron një shqetësim real. Nëse një person humbet lirinë për disa vite, por familja ose persona të lidhur vazhdojnë të gëzojnë pasuritë e krijuara nga korrupsioni, atëherë shumë qytetarë pyesin nëse dënimi e ka arritur vërtet qëllimin.

SPAK ka treguar se mund të godasë edhe zyrtarë të nivelit të lartë, duke zhvilluar hetime dhe duke kërkuar masa sigurimi ndaj ish-ministrave, ish-kryetarëve të bashkive dhe funksionarëve të tjerë të rëndësishëm. Kjo është një provë se askush nuk duhet të jetë i paprekshëm nga ligji.

Por beteja nuk përfundon me prangat. Goditja vendimtare është sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë që provohet se buron nga korrupsioni ose veprimtaria kriminale.

Nëse pasuria mbetet, rreziku është që dënimi të perceptohet si një kosto e pranueshme përballë përfitimit ekonomik. Pikërisht ky perceptim ushqen satirën që po qarkullon sot.

Prandaj, sfida më e madhe nuk është vetëm arrestimi i personave nën hetim apo i të pandehurve. Sfida është identifikimi i çdo pasurie të pajustifikuar, sekuestrimi i menjëhershëm i saj kur plotësohen kushtet ligjore dhe konfiskimi përfundimtar kur kjo provohet nga gjykata.

Qytetarët nuk presin vetëm fotografi me pranga. Ata presin që paratë e fituara në kundërshtim me ligjin të mos mbeten më në qarkullim dhe të rikthehen në interes të publikut. Vetëm atëherë satira “Dy vjet burg për dy milionë euro” do të humbasë kuptimin e saj.