Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë Fadil Tërnova, i njohur me nofkën “i forti i Dibrës” ku e pret përballja me disa akuza të rënda penale.
Tërnova ishte shpallur në kërkim për tre ngjarje kriminale, mes tyre vrasje me dashje, mbetur në tentativë, goditje për shkak të detyrës dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik.
Sipas dosjes hetimore, në vitin 2024 ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, pasi akuzohet se në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë tentoi të vriste me armë automatike shtetasin Afrim Peti, pas një konflikti verbal.
Ndërkohë, për një ngjarje të vitit 2023, 38-vjeçari akuzohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ushtroi dhunë ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Bulqizës, vepër për të cilën rëndon akuza e “Goditjeve për shkak të detyrës”.
Tërnova rezulton gjithashtu i dënuar në vitin 2018 me dy muaj burg për mosbindje ndaj punonjësve të Policisë së Rendit Publik, dënim që sipas autoriteteve nuk është shlyer.
Historia e përplasjes së tij me drejtësinë nis që në vitin 2009, kur u përfshi në një ngjarje ku plagosi rëndë një person. Ndërsa në vitin 2013 ai u dënua për vrasjen e biznesmenit të kromit, Shefqet Shehu.
Me mbërritjen në Shqipëri, 38-vjeçari iu dorëzua autoriteteve dhe pritet të përballet me proceset gjyqësore për akuzat që rëndojnë ndaj tij.






















