Ja pse 29 Nëntori nuk është ditë zie për Shkodrën

936
Sigal

Silvana Berki

Voltana Ademi: ” Komenti im mbi 29 Nëntorin si ditë zie për Shkodrën është vetëm një e vërtetë”

Po ndalem pak tek kjo e vërteta që zj. Ademi ngre në deklaratën e saj. Kur flasim për ditën 29 Nëntor, i gjithë kombi i referohet fitores dhe mbarimit të luftës anti-fashiste. Deri në atë ditë askush nuk e dinte çfarë drejtimi politik do të merrte vendi më mbrapa ose të paktën mund të pranojmë që askush nuk e dinte çdo të thoshte në realitet kjo ideologji e re komuniste që mendohej se do të lëshonte rrënjët edhe në vendin tonë. Lufta Nacionale Çlirimtare si vetë emri i këtij termi, përfshiu të gjithë vendin, sepse i gjithë vendi e ndiente rrezikun e okupimit dhe këtu i përfshi të gjitha klasat shoqërore. Luftën anti-fashiste nuk ma merr mendja që Shkodra në 1944 e përjetoi si ditë zie. Mendoj dhe besoj me dashamirësi, se edhe Shkodra si i gjithë vendi ka ndier në atë kohë aq patriotizëm sa t`i jap dëshmorë të kombit plot të rinj nga familjet e tyre. Dhe këtu dua të ndalem: Përse Voltana Ademi nuk respekton të drejtën qytetare edhe të këtyre bijve shkodran që atë ditë, kur gjyshi Yt klerik falej në kishën e ngrohtë e flinte gjumë në atë krevatin me jastëk plot pupla, këta djem kishin rrëmbyer armët dhe bridhnin maleve të akullt, pa menduar rehatinë e tyre, e të parfumosur me aromën e barutit. Mendon se ishte zgjedhja e tyre? Ishte ndjenja, që interesi i kombit duhet të dilte mbi atë personal. Mendoj që ky gjest duhet nderuar dhe jo poshtëruar.

Ju flisni për persekutimet e shkodranëve dhe se ju është marrë jeta pa të drejtë. Po e drejtë! Por kur flasim për marrje jetësh, pa të drejtë u vranë edhe qindra e mijëra të rinj në lule të rinisë deri atë ditë në 29 Nëntor, që përveç të tjera do të thotë se aty e mbrapa nuk do të kishte më nevojë të Merreshin jetë dëshmorësh nëpër dyluftime guerilase apo beteja terreni. Kjo është arsyeja e vërtetë, meqë kërkon të vërtetën e arsyes së celebrimit të asaj dite. Pra interpretimi i kësaj dite dhe mpleksja e saj me persekutimet më mbrapa është thjesht propagandë në shërbim të politikës që përfaqëson. Ajo që dita e 29 Nëntorit mëkon me fillimin e një sistemi diktatorial ku shumë nga popullata në mbarë vendin u bënë viktimë të sistemit politik, nuk të jep të drejtë të mohosh arsyen e vërtetë të kësaj dite, as ty e asnjë shkodrani demokrat. Kjo ditë nuk ka lidhje fare me abuzimet politike më mbrapa. Nëse kërkon drejtësi mbi abuzimet e bëra më mbrapa mbi familjet e persekutuara, bashkohu me Agron Tufën dhe institucionin ku ai funksionon. Ke të drejtë të ndjesh atë që ndjen për pjesëtarët e familjes tënde dhe të gjithë atyre të persekutuar, por këtë duhet ta kërkosh në vend tjetër e me forma të tjera e jo duke abuzuar me ditën e festës kombëtare. Edhe njëherë, unë kurrë nuk e lidh ditën e 29 Nëntorit me ideologjinë komuniste për të cilën Shkodra ka aq urrejtje. Unë këtë ditë e lidh me një luftë kundër një okupuesi të huaj, e cila nuk kishte qenë e para eksperiencë për popullin tonë, por që mbas andej rezultoi të jetë i fundit në historinë tonë, sepse fakt është që nuk kemi pasur më pushtime siç ishim mësuar në të kaluarën. Kjo pra është arsyeja pse unë e festoj dhe nderoj jetët e humbura të të rinjve të atyre ditëve. Gjithsesi të përgëzoj për guximin që shfaqe duke folur sinqerisht atë që ndjeve, paçka se mund të ishte edhe i gabuar. Le ta shikojmë komentin tuaj si një çelës dhe nevojë për të sqaruar këtë mpleksje paradoksale të qëllimshme në shërbim të të gjithë kombit. Ndërsa për të gjithë Ju që dilni në ditën e dëshmorëve me foton e diktatorit nëpër duar, mund të them vetëm kaq: “It Sucks”.