Bardhyl GOLEMI / Gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë, Shqipëri!

590
Sigal

Ky është urimi më i përzemërt i ditës, që evokon historinë, shqiptarizmin, heroizmin, atdhedashurinë, burrërinë, besnikërinë, dhe të gjitha vlerat më të larta morale të kombit tonë që e gatuan atë dhe që në mënyre të natyrshme e çuan edhe te ngjarja tjetër e madhe  ajo e çlirimit të vendit; është urimi, që pa asnjë mëdyshje, buron nga shpirti i çdo shqiptari dhe që në heshtje na fton për bashkim, për bashkim mbarëkombëtar, për vëllazërim për mirëkuptim dhe që na obligon për të ngritur më lartë dinjitetin e Shqipërisë, të shqiptarit dhe të shkollës shqiptare. Unë jam tepër i nderuar, që si veteran i këtij Universiteti, m’u dha mundësia që vlerat e mëdha të kësaj feste të madhe, bashkë me kolegët e tjerë t’i sjell në këtë auditor të nderuar, që simbolizon shkencën dhe arsimin politeknik, pjesë përbërëse e atdhetarizmit tonë, dhe që në heshtje premton se gjithçka do ta vejë në dispozicion të prosperitetit tonë kombëtar! Këto ditë tepër domethënëse të festimit të këtij 100 vjetori, na bëjnë të përkulemi me nderim të veçante ndaj figurave lapidare të tij, rilindësve tanë, intelektualëve dhe luftëtarëve të shquar, mësuesve martirë të shkollës shqipe, që e pararendën atë në luftime të gjata e të përgjakshme; në një sfond të madh, na del edhe heroi ynë kombëtar, Skënderbeu dhe burra të shquar si Ismail Qemali, Isa Buletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Fan Noli, Shtjefen Gjecovi, Avni Rustemi etj., Për të gjithë këta,  mbarë populli ynë shpreh mirënjohjen dhe respektin më të madh. Këta janë e do të mbeten përgjithmonë yje të ndritshëm në konstelacionin shqiptar të lirisë dhe pavarësisë, dhe “jo kometa të veçanta që janë shfaqur dhe shuar, vetëdjegur shpejtë dhe aq me pak  xixëllonja sezonale”. Në qiellin shqiptar, ka vend vetëm për yje që tërë jetën e tyre kane shkëlqyer dhe vazhdojnë të rrezatojnë patriotizëm, atdhedashuri, liri, demokraci dhe jo tirani. Ky konstelacion është në radhë të parë krenaria jonë kombëtare zëmra e historisë sonë dhe ai nuk mund të kthehet në “një pemë të vitit të ri ku mund të vësh dhe të heqësh yje për ta zbukuruar atë”. Nga të gjithë është e njohur se gjatë këtij shekulli, plot me përpjekje për liri, pavarësi, për shqiptarizëm dhe prosperitet, ato gjithnjë janë shoqëruar me gjak, me djersë, me mund; në tallazet që ndeshen edhe sot e kësaj dite, janë përplasur dhe vlerat njerëzore dhe shpesh vlerat e vërteta, kanë mbetur në fund te detit dhe është me shumë vlerë që ato të nxirren, të vlerësohen dhe të kthehen në modelin e jetës sonë, sepse ka ndodhur që te merremi “me algat që nxjerr deti edhe pse ato janë të pavlera”. Gjatë gjithë kësaj lufte për liri e pavarësi, kujtojmë me krenari se shkolla ka qenë një nga arenat kryesore të shqiptarizmit dhe sot e kësaj dite ajo e kryen këtë funksion si arena kryesore e dijes dhe e prosperitetit tonë kombëtar. Të bëjmë të gjithë që këtë funksion ajo ta kryej sa me mirë. Në këta 100 vjetor nga pavarësia jonë, Universiteti  Politeknik ka shtrirë në mënyrë magjistrale 60 vjet të jetës së tij, edhe pse në situata të vështira dhe herë- herë problematike ka superpozuar kontributet e veta që kanë ndihmuar për ta lartësuar Shqipërinë. Ky është kontributi kryesor i tij. Por duke festuar këtë 100 vjetor, të frymëzuar nga detyra të zhvillimeve të sotme europiane, Universiteti ynë ka përpara sfida të mëdha, për të bërë kthesa të ndjeshme në cilësinë e mësimit dhe të shkencës. Ajo nuk duhet të mbetet në nivelin e një aforizmi, por duhet të kthehet në një aksion të fuqishëm, për të përgatitur inteligjencën e vërtetë universitare jo vetëm duke i mësuar shkencën, metodën e përvetësimit të saj, por mbi të gjitha duke edukuar pareshtur nëpërmjet kërkesave të larta, vullnetin pasionin, përkushtimin, motivimin për të çuar përpara shkollën tonë. Në këtë rrugë afirmohen vlerat, që shkolla të ketë edhe ajo konstelacionin e vet. Në këtë mënyrë do të forcojë dhe kristalizojë personalitetin dhe dinjitetin e saj, aq të nevojshme aktualisht për vetë atë si institucion i vlerave, i patriotizmit dhe atdhe dashurisë, për ta lartësuar akoma më tej Shqipërinë. Këtë e kam dëshire, besim dhe shpresë për zhvillime të tjera të mëtejshme të Universitetit Politeknik. Rroftë 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe ditë më të mira, të pritshme me padurim nga të gjithë, paçim!