Dekorohen patriotë dhe aktivistë të njohur në NY

617
Sigal

Nga Klara Matja

Më datë 28 nëntor 2018, Presidenti i Bashkisë Bronx, Nju Jork, Ruben Diaz Jr, mbështeti festën e 106-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë  dhe  në“The Bronx County Building” ngriti për herë të parë Flamurin Kuq e Zi shqiptar në ambientet përreth godinës me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar. Veprimtaria u organizua dhe sponsorizua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, “Bijtë e Bijat e Shqipërisë në Amerikë” dhe Qendra e Bashkësisë Shqiptare. Presidentit Ruben Diaz Jr, mikut të njohur të shqiptarëve në New York, i u dhurua me këtë rast një Çmim Nderi nga Kryetari i “Fondacionit Shqiptaro-Amerikan” Esad Rizai. Përshëndetën aktivitetin Presidenti i qytetit të Bronxit Ruben Diaz Jr., Përfaqësuesja e Qeverisë së Shtetit të Nju Jorkut Kathy Hochul, Senatorja Alessandra Biaggi, moderoi programin avokati dhe mbështetësi i kauzës së shqiptarëve Stiv Kaufman. U interpretimin  himnet kombëtare shqiptare dhe amerikane nga Merita Halili. Presidenti Diaz Jr., nderoi me Proklamatë Nderi disa figura të spikatura të komunitetit tonë në SHBA, Hajdin Alijaj dhe Mimoza Dajçi. Çmime iu ndanë, pas vdekjes edhe patriotëve Ali Hadri dhe Idriz Seferi. Znj. Kathy Hochul, paraqiti një deklaratë nga guvernatori Andrew Cuomo, se 28 Nëntori shpallet Dita e Flamurit Kuq e Zi, si  Festë Zyrtare që njeh Pavarësinë e Shqipërisë, në shtetin e Nju Jorkut. Interesante ishin edhe fjalët e Zj. Moza Dajçi: “Z. President, ne ju falënderojmë për çfarë ju keni bërë për komunitetin tonë, për vlerësimin e patriotëve shqiptarë, e veçanërisht ndalem tek figura e Isa Boletinit… Prandaj- tha ajo-mendoj se, ka ardhur koha që edhe ju të vizitoni Mitrovicën, Kosovën, pse jo, të bëni edhe binjakëzim të Bashkisë që ju drejtoni me Bashkinë e Mitrovicës”. Presidenti Ruben Diaz Jr, dha menjëherë premtimin e tij se, do të fillonte përpjekjet për këtë vizitë të mundshme në Kosovë, pasi në fakt ishte një kërkesë e përsëritur edhe kohë më parë e Zj, Dajçi pranë Presidentit Ruben Diaz Jr. New York, Nëntor 2018