Xhevat Lluri, humanist, intelektual, publicist dhe atdhetar

792

Në nderim të 83-vjetorit të lindjes – 15 qershor 1939

Sigal

Nga Izet S. Çulli

Xhevat Lluri, biri i Prongjisë së mirënjohur të Gjirokastrës, na ka lënë librin e jetës “DITAR I SHPIRTIT” (2020), mbas ndarjes nga jeta (23.03.2021), i cili u promovua në “HOTEL ROGNER” në Tiranë (16 qershor 2021). Aty paraqiten si në një roman familjar e më gjerë personazhe, mjedise, mesazhe të gjalla që ia ka sjellë jeta, të ngulitura në ditarin e tij, në fillim në vendlindje, që sipas S. Frashërit, konsiderohet si “atdheu i parë” e më pas në udhët e tjera të jetës.

Një fëmijëri e vështirë

Xhevati e nisi jetën si çdo fëmijë i asohershëm me mjaft vështirësi përmes një varfërie, që e diktonte edhe Lufta e Dytë Botërore, si edhe vitet e para të pasçlirimit. Ai i hedh hapat e para me “sandale, me rripa gome”. Më pas vazhdon i etur shkollën për më shumë dije dhe kulturë gjatë gjithë jetës. Jashtë dëshirës së vet shkon në teknikumin bujqësor të Fierit (1954-1958), sepse ata banonin në fshat dhe se ky, sipas mendësive të kohës, ishte në përgjithësi profesioni që u përshtatej më tepër (!). Ishin vite që edhe për një valixhe kompensate, duhej të vuaje shumë për ta gjetur. Ai përherë kujton me mall e nostalgji shokët, mësuesit, mjediset shkollore. Më tej në faqet e “Ditarit…” shpalos simbolin e shenjtërimit, sipas tij, atë të prindërve të dashur, mallin që e ka shoqëruar tërë jetën, sidomos për nënën Zabite, e cila e la tre vjeç, ajo që nuk ka një varr (që e kërkoi me ngulm, por pa sukses). Ishte kohë lufte. Fytyrën e saj, ndonëse tepër i vogël nuk ia harroi kurrë. Dhe gjen aty një varg: “Nënë, moj, seç më merr malli!”.

Në faqet e pasme të ditarit të shpirtit, ku sjell ndërmend babain Majko, një burrë fisnik, zemërmirë, të urtë, të mençur, të matur dhe atdhedashës, i ekuilibruar në çdo veprim që bënte, duke i mësuar të birit shqetësimet në ravat e jetës me tallaze të shumta. Ai ishte mësuesi i parë për Xhevatin. Ky baba me dy vëllezërit, morën pjesë në LANÇ-in e lavdishëm.

Po siç e cekëm pak më lart, Xhevati ishte mjaft i etshëm për shkollë, gjë që tregohet nga notat shumë të mira të shkollës 7-vjeçare të asokohshme. Ndërkaq pa e filluar mirë shkollën bujqësore, vetë i tretë për shkak të kushteve të këqija e braktis atë. Kur ndjekim në mënyrë kronologjike librin ditar pa data, do të vëresh se më vonë ai shkon ushtar në Elbasan dhe mbas dy dështimesh për t’i nisur studimet në B.S. kalon në seksionin e sigurimit dhe të sekretarisë sekrete të ministrisë përkatëse. Po nuk ishte e thënë, sepse në ditët e fundit të përfundimit të këtij shërbimi, e emërojnë pikërisht në repartin, ku kishte qenë ushtar…

Ai po i hidhte hapat e jetës, ashtu qetë-qetë, pa u nxituar, si ai i verbri që baret në rrugë vetmitar. Kur një ditë Xhevati i mirësjellshëm sheh një të atillë në rrugë e pyet se mos kishte nevojë për ndihmë. Dhe përgjigjja e kalimtarit të veçantë ishte tepër befasuese: “E gjej rrugën vetë. Kush nxiton kot, e pëson.” Ç’mësim të madh mori edhe atje në një rrugë të Elbasanit krejt rastësisht. Bukur fort shprehen latinët: “festina lente” – shpejto ngadalë!

Xhevati nuk qëndroi në vendnumëro. Vendosi të ndjekë fakultetin juridik me korrespondencë të përfunduar në vitin 1976 (degë të cilën e vazhdoi më pas vajza e vet, Elbana, që më vonë edhe u mor me magjistraturën).

Krijimi i familjes të shëndoshë

Krijimi i familjes së gjithsecilit, ngelet e shenjtë, e cila veç andrallave, që sjell ajo në jetë, shpërfaq edhe gëzimin e “papërshkruar”: lindjen e fëmijëve dhe mandej të mjaltit, të mjaltit – nipërve dhe mbesave. Dhe në faqet e tjera të librit, Xhevati, bën fjalë për tiktaket e shpeshtuara të zemrës, që erdhi nga dashuria me shikim të parë, duke parë një vajzë në fotografi dhe jo ende fizikisht. Ishte një nxënëse e vendosur në tabelën e nderit të shkollës së mesme. Ajo quhej Lejla Dollia. Dashuria iu ngjit menjëherë si me zamkë. Po kishte një pengesë: ai paskësh qenë lab! Mbas katër vjetësh fejesë, u martuan. Këtë akt vetë Xhevati e konsideron si një ngjarje të madhe në jetën e çdocilit. Ndërkaq nis jetesën familjare mes vështirësive dhe mungesave të kohës edhe për mobilimin e shtëpisë në Elbasan e mandej në Tiranë, ku u sistemuan diç më mirë. Gëzimin ua shton së tepërmi lindja e vajzës së parë, Anilës, dhe të dytës e Blertës.

Transferime të shumta dhe dalje jashtë shtetit

Vazhdimi i karrierës ushtarake nuk ishte pa probleme për një “kleçkë” në biografi, që atëherë zhvillohej ethshëm, ndonëse ish aq e pabaza dhe qesharake. Ndërkaq transferohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mbas Tiranës u caktua me punë në Shkodër, kur ndodhën ngjarjet politike të viteve 1981 e 1982. Po ai kudo punonte me përkushtim dhe atdhetarizëm, duke qëndruar përherë si një kuadër me bosht, pa servilizëm – si dhe bërrylime të ulëta si ca të tjerë, veçan mjaft vite më pas që e drodhën sa e si mundën. Shumë nga ata për interesa meskine, karriere e përfitime të pamerituara, morën edhe statusin e “ njeriut të persekutuar”! Edhe në Shkodër ku qëndroi për tre vjet, mendoi se i vlejti së tepërmi për veprimtarinë e mëtejshme në jetë.

Në ato vite Xhevat Lluri doli për herë të parë jashtë shtetit pikërisht në Bukuresht (shtator, 1973) dhe në Kinë (tetor 1974). Më gjatë flet për këtë të fundit ku qëndroi për 40 ditë. Vite më vonë, më 1982 u gjend në Austri ku shoqëroi ekipin e futbollit. Më pas siç do ta shtjellojmë më tej, ai ka shkuar edhe në vende të tjera të botës duke i përshkruar ato me emocion e nota nostalgjie… Niseshin për pushime vjetore, siç janë aventurat e udhëtimeve në Federatën ruse, në Londër, Gjermani dhe sërish në Austri.

Fëmijët të mbushin shpirtin

Lumturi që të nginjen në shpirt janë ato e lindjes së fëmijëve: Anila, Blerta dhe Elbana, të cilat babai i tyre i konsideron si kulme të bukura të jetës familjare në çdo prindërì. Ai i mëshon këtu edhe sakrificën që kërkon, thekson autori për rritjen, edukimin dhe arsimimin e tyre, duke u plotësuar gjithashtu çdo dëshirë e për t’u festuar përvjetorët jubilarë të ditëlindjes. Në plan të parë, autori thekson se ato duhet të vazhdonin me zell universitetin, si një detyrë dhe detyrim edhe për faktin se ishin të shkëlqyera në shkollat përkatëse. Rëndësi ato i kushtonin edhe përvetësimit të gjuhëve të huaja. Në vitet e mëpasme nisën njëra mbas tjetrës fejesat e vajzave pas studimeve me plot sukses të shkollave të larta. Lindja e fëmijëve të vajzave me nipa e mbesa shkaktonte një, si të thuash, festë në familjet e tyre: Klausit, Kristit, Noas, Helgës, Enxhit, Amës, Emilisë, – këta yje të bekuar.

Jeta jo gjithnjë rrjedh siç e dëshiron…

Në vitet e fillimit të demokracisë, familja Lluri ngeli vetëm me asistencën e Xhevatit. Ky vetë përgatiti dokumentet për pension pleqërie, ndërsa Lejlën e pushuan nga Ministria e Bujqësisë dhe e lanë pa punë tjetër, ndonëse kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik. Dhe sikur nuk mjaftonin të gjitha këto, ai u godit nga infarkti i miokardit. Kaluan ditë e vite të vështira se kur u pensionua, përfitoi 2800 lekë të rinj! U detyrua ndërkaq, pa iu përulur fatit, për të dalë shitës ambulant ku të paktën fitonte deri në 1000 lekë në ditë. Detyrën e avokatit nuk mund ta vazhdonte edhe për shkak të sëmundjes kardiake, ndaj doli në profesionin e parapëlqyer prej tij, atë të fotografit, ku fitimi ishte më i mirë, por natyrisht sa për të mbijetuar në sistemin e ri ekonomiko-shoqëror ku kishin hyrë me aq zell. Po Xhevati ka lënë një mesazh aksiomatik: “Njeriu nuk duhet të demoralizohet, por të jetë gjithmonë optimist në jetë, të mendojë e të kërkojë rrugë të reja për përballimin e vështirësive për të siguruar të ardhura.”

Dhe ia doli. Nuk u dorëzua.

Ndoshta karriera 35-vjeçare si ushtarak ka ndikuar në komunikimin me njerëzit dhe kudo që shërbeu me dashuri, urtësi, thjeshtësi e zemërgjerësi, duke krijuar marrëdhënie të mira e të sinqerta me të gjithë.

Në një krye tjetër të “Ditarit të shpirtit” (2020) jepen edhe probleme që sillte jeta. Veç sëmundjes koronare, pati edhe një incident në trenin e linjës Tiranë-Ballsh, ishte goditja në zemër më 1992 për të cilën e çuan me ndjenjahumbur në reanimacion, si edhe në Gjirokastër ku ndodhej me shërbim, që iu bë goditja elektrike. Më 2008-ën në spital përjetoi Gërdecin, që iu duk si një lloj tërmeti. Edhe sëmundjet e tij e të Lejlasë ngrinin krye herë pas here.

Ngjarje tejet e rëndë është dhe ajo kur u nda babai i vetë nga jeta, të njerkës që e kishin si nënë, të vëllait në këmbë të babait, Ruzhdiut, bashkëshortit të motrës Fatime, Sami Rrecka. Në prill 2009 mbas një aksidenti automobilistik në rërën e Durrësit në plazh, nga një vajzë adoleshente që guidonte, i merr jetën Xhonit të vogël 7-vjeçar, teksa luante futboll me shokët. Këtë ndodhì kaq të rëndë të lexuar nga gazetat, unë e kam përshkruar në librin tim “TË JESH MJEK…” (2012), si ta kisha të afërmin tim. Para se t’i jepej narkoza, ai gjeti forca dhe i tha mjekut këtë frazë shokuese, tronditëse: “Xhaxhi doktori, mos i merrni lekë babait tim, se ne jemi të varfër…!”. Nuk doli i gjallë nga operacioni. Sa herë përmend këtë ndodhì tragjike, sinqerisht dhe absolutisht më dridhet trupi, më ngjethet mishi! Në Tiranë kam vizituar nga ky fis Eleni Rreckën, 82 vjeçe, dy herë në vitin 2009 dhe 2012, sepse veç të tjerave vuante nga hipertensioni arterial dhe një dhembje koke kronike.

Përjetime dhe përkujtime që të mbeten gjallë në mendje

 

Gëzime të thella njeriu përjeton kur çonin nipër e mbesa në shkollë si Klausin, Helgën, Enxhin, Aman, Kristin, të cilëve ua shoqëronte ato me kartolina, dhurata për ditëlindje dhe i fiksonte në fotografi. Këto festa familjare ishin një traditë e bukur, ku i pranishëm me dhembshurinë e vet tipike ndodhej edhe gjysh Xhevati. Gjithnjë ai këto ngjarje i shoqëronte me përshëndetjet përkatëse për secilin prej tyre, të cilat zënë mjaft vend në libër.

Më 6 gusht 1997 u mbushën 30 vjet martesë dhe 20 vjet më vonë Xhevati – Lejla festuan 50-vjetorin e lidhjes së pandarë të tyre, ngjarje të gëzueshme që veçan zbukuroheshin nga cicërimat e paimitueshme të të vegjëlve të pranishëm. Tradita e surprizat e këndshme vazhdojnë për kënaqësinë e këtyre familjeve: 30-vjetori i Anilës në Budva dhe 50-vjetori i saj në Tiranë (2019). Më tej dhëndri i madh, Agim Çiraku, mbushi 50 vjeç, i cili ka dy fëmijë si pëllumba Klausin dhe Helgën e më pas edhe 60 vjetori i tij.

Po ashtu kremtohet edhe përvjetori i 70-të dhe 75-të i Xhevatit. Në një nga këto ngjarje të bukura kam marrë pjesë dhe unë, më 27.01.2019, ku m’u dha fjala e me gotën në dorë bëra një urim të shkurtër. Theksova pak a shumë se është rast i rrallë që kam hasur në jetë edhe si neuropsikiatër të takoj njerëz të këtillë me një fytyrë të pastër babaxhani, të cilëve s’u mungon kurrë buzëqeshja që u rrjedh vazhdimisht. Për këtë, shtova me humor, se ndoshta duhet edhe mendimi i dy dhëndurëve: Agim Çirakut dhe Engjëll Musait, – gjë që sigurisht kaloi po me humor…

Natyrisht në këto takime familjare të ngrohta, është festuar edhe përvjetori i Lejlës, 65 e 70-të i saj, kur në datën e fundit merrnin pjesë edhe fëmijët e Elbanës: Emilio e Noa dhe gjithçka qe e bukur si në festë mes gëzimesh, lotësh, emocionesh dhe dashurish të pambarimta. Në një atmosferë të tillë u përcoll edhe një nga përvjetorët jubilarë të ditëlindjes së Engjëllit e kështu me radhë…

Atdhetarinë e kishte në gjak

 

Xhevat Lluri gjithnjë ndihmonte dhe ndikonte në organizatën e veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ-it e në gazetën e saj “KUSHTRIM BREZASH”, si pasardhës veterani që ishte me baba e dy vëllezër pjesëmarrës në luftën çlirimtare. U zgjodh kryetar i organizatës së mësipërme për njësinë nr. 3 në Tiranë, sikurse qe edhe fotoreporter i gazetës. Është vlerësuar me titullin “Nderi i organizatës së veteranëve e pasardhësve” (2015). Për 5 vjet punoi e hulumtoi për historikun e fshatlindjes “Prongjia dhe banonët e saj” që u promovua në vendlindje (tetor 2006).

Vendosja në qendër të Prongjisë i bustit të patriotit të flaktë Bajram Ligu, i njërit nga të dy atentatorët e bimbashit turk (mars 1908), për të cilin vetë Xhevati u interesua aq shumë për t’u realizuar, ishte një ëndërr e kahershme e tij”, siç shprehet ai në libër. Vepra skulpturore u ndihmua financiarisht nga fshati dhe jo nga Qeveria, e cila ka punë të tjera të mëdha! Ajo u ngrit madhështore më 18 korrik 2019, ku Xhevati mbajti një fjalim mbi 5 faqe te “Ditari i shpirtit”. Protagonisti kujtohet edhe për vepra të tjera atdhetare, jo vetëm për vrasjen e bimbashit turk.

Veprimtaria e Xhevat Llurit është e dendur dhe e lavdërueshme edhe në shoqatën “Labëria “Nderi i kombit”, për të mbajtur gjallë folklorin, traditat, doket, kulturën e lashtë dhe atdhedashurinë e saj, si një aktivist i palodhur, fisnik. Gjithnjë ndodhej i pranishëm jo vetëm fizikisht, por edhe me fjalmençurinë e me aparatin e vet fotografik, ku ka ngulitur mirë jetën e gjallë, historinë, siç dinte ai.

Në librin “Ditari i shpirtit” Xhevat Llurit, gjen edhe vjersha të krijuara e të kënduara në raste festash për Petro Zhulatin, Idriz Sullin, Abdyl Frashërin, Bajram Prongjinë, Bilbilenjtë e famshëm të Progonatit etj. Ky botim mbyllet me shprehjen e gjetur dhe optimiste të vetë Xhevatit: “Jam i lumtur dhe i gëzuar që agimi i së ardhmes do të vazhdojë i qetë me hijet e së kaluarës.”. Albumi fotografik mbyll librin e ditarit të shpirtit.

*          *          *

Le të jetë ky shkrim një homazh për ditëlindjen e të paharruarit Xhevat Lluri, i cili këto ditë (15 qershor) do të mbushte 83 vjeç. Jeta e njeriut, dihet, nuk matet aq shumë me vitet e jetuara, por me jetën e jetuar për qëllime të larta e fisnike, me gjurmët që lë, qoftë edhe një tullë të vendosësh në shërbim të njerëzve, atdheut (të cilin, siç shkruan një poet, kudo që shkonte e merrte me vete)…