Mikrokreditë dyfishuan fitimet në 48 mln. euro për një vit

15
Sigal

Institucionet financiare jobanka dyfishuan fitimin vitin e kaluar rreth 48 milionë euro

 Institucionet financiare jobanka fituan pesë miliardë lekë ose rreth 48 milionë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i këtyre institucioneve u rrit me shumë se dy herë krahasuar me një vit më parë.Portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 540 milionë euro. Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me afërsisht 14% krahasuar me fundin e vitit 2022.

 

Info

Në Shqipëri, aktualisht, një numër operatorësh të prezantuar si “mikrokredit” kanë lulëzuar më dhënien e kredive pa kolateral, ku qytetarët bien që dështojnë të shlyejnë një fajde, bien në kurthin e një zinxhiri çnjerëzor zhvatësish deri në marrjen e pronave

Institucionet financiare jobanka fituan pesë miliardë lekë ose rreth 48 milionë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i këtyre institucioneve u rrit me shumë se dy herë krahasuar me një vit më parë.Megjithatë, duhet theksuar se një pjesë e fitimeve të institucioneve financiare jobanka mund të jenë të lidhura me dividendët e marrë nga shoqëritë ku janë aksionere. Dy prej institucioneve financiare jobanka janë aksionerë të bankave tregtare dhe fitimet e tyre ndikohen edhe nga shpërndarja e dividendëve të këtyre bankave.Banka e Shqipërisë vë në dukje se institucionet financiare jobanka vitin e kaluar raportuan në përgjithësi një vit pozitiv, me zgjerim të aktivitetit, rritje të fitimit dhe nivel të mirë të kapitalizimit.Në Shqipëri veprojnë aktualisht 27 institucione financare jobanka të licencuara. Ato janë të ndara në dy profile kryesore të aktivitetit: institucione të kredidhënies (përfshi veprimtari të lizingut, faktoringut apo mbledhjes së kredive të këqija) dhe insitucioneve të shërbimeve të pagesave apo parasë elektronike.

Në segmentin më të madh të tregut sipas totalit të aktiveve, atij kreditues, portofoli është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes individëve dhe bizneseve.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2023 arriti në 56 miliardë lekë ose pothuajse 540 milionë euro. Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me afërsisht 14% krahasuar me fundin e vitit 2022.

Sektori i aktiviteteve të tjera të shërbimit dhe ai i tregtisë me shumicë dhe pakicë janë sektorët më të financuar të biznesit, me nga rreth 25% dhe 16% të totalit të stokut për bizneset, ndjekur nga ndërtimi, me afërsisht 10%.

Edhe cilësia e portofolit të kredisë shënoi përmirësim gjatë vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 14% nga 15% një vit më parë. Rreth 78% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka është kapital vendas.

Mikrofinanca në Shqipëri përmbush kryesisht nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro. Ajo ka si objektiv kryesisht atë segment që ka vështirësi për të siguruar akses për financim nga sektori bankar, duke përfshirë subjektet me të ardhura më pak të formalizuara dhe fermerët. Megjithatë, duke shfrytëzuar teknologjinë, institucionet e modelit fintech kanë fituar një avantazh konkurrues në ofrimin e kredive në kohë shumë të shpejtë dhe me procedura minimale, madje pa qenë nevoja që klienti të paraqitet për tu identifikuar dhe për të firmosur fizikisht. Praktikat më dinamike u japin këtyre institucioneve një avantazh në raport me sektorin bankar, por ana tjetër e medaljes është se në përgjithësi kredia e dhënë prej tyre është ndjeshëm më e shtrenjtë krahasuar me sektorin bankar.

Institucionet e mikrofinancës kanë kosto më të larta të fondeve, marrin përsipër rreziqe më të mëdha dhe japin kredi në vlera mesatarisht të vogla. Të gjithë këta faktorë përcaktojnë një çmim më të lartë të kredisë.