Dritëro Agolli në Devoll në 2006/ Fuat Memeli: Takim me Miqtë e Dritëroit: Shqiptarët të duan njëri-tjetrit, të mos jenë fanatikë të partive e të feve

385

VIZITA E FUNDIT E DRITËROIT NË DEVOLL

“Uroj që shqiptarët të duan njëri-tjetrin e mos jenë fanatikë të partive e të feve“.

– Nga vizita e Dritëro Agollit në Devoll, në takimin me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Miqtë e Dritëroit” në gusht të vitit 2006 –

  Nga  Fuat Memelli

Në vitin 2004, një grup devollinjsh krijuan në Bilisht Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Miqtë e Dritëroit”. Ishte kjo një ngjarje e veçantë për Devollin e më gjerë. Kur ende vazhdonte krijimi i partive të reja, krijuesit devollinj me në krye poetin Bashkim Gjoza por edhe krijues të tjerë si Thanas Jorgji, Bujar Braho, Skënder Demolli, Hajdër Lilo, Lefter Babi Viktor Hoxha dhe Valentin Dedgjonaj, krijuan këtë Klub duke i vënë emrin e birit të Devollit, poetit e shkrimtarit tonë të shquar, Dritëro Agolli.  Statutin e kishte hartuar shkrimtari i njohur Thanas Jorgji. Gjatë dy vjetëve të krijimit, Klubi kishte zhvilluar një sërë veprimtarish, si promovime librash të anëtarëve të tij, ndarje çmimesh vjetorë për veprat e autorëve, anëtarë të Klubit, pranime të anëtarëve të rinj, si dhe veprimtari letare-artistike në vigjilje të ditëlindjes së Poetit të shquar, etj.  Gjatë dy vjetëve ata e kishin ftuar Dritëroin për të bërë një takim me ta, por poetit nuk i qe dhënë mundësia. Kjo mundësi u krijua në gusht të vitit 2006. Klubi do festonte dy vjetorin e krijimit të tij. Kryetari Bashkim Gjoza e ftoi Dritëroin për të marë pjesë në këtë ngjarje letrare – kulturore. Ato ditë Dritëroi me Sadijen ndodheshin me pushime në Pogradec dhe i premtuan se do mernin pjesë në atë kremtimin e atij përvjetori. Dhe e mbajtën fjalën. Si anëtar i Klubit, Bashkimi më kishte ftuar edhe mua për të marë pjesë në atë veprimtari. Kisha shkuar një natë më parë në Bilisht. Të nesërmen në mëngjes tok me Bashkimin u nisëm me një makinë për në vendin e shenjtë Inonisht që ndodhet në fshatin Kuç të Devollit. Bashkimi pat zgjedhur këtë vend të shenjtë për ta zhvilluar veprimtarinë pasi e dinte se Dritëroi kishte një lidhje shpirtërore me bektashizmin. Për më tepër, Baba Ahmeti i kish vënë emrin Dritëroit.  Bashkimi ishte i gëzuar atë ditë. Tek ecnim me makinë për në Inonisht, poeti lirik recitonte poezi të veta. Një ndër poezitë që recitoi, ishte ajo me titull „Peruniga“, një lloj lule që rritet në Poloskë, fshatin e tij të lindjes. Ja disa vargje të kësaj poezie:”

                                   Ç’më ndjell larg një aromë livadhi

                                   perunigash zverdhur plot dritë

                                   qënka e thënë të digjem nga malli

                                   pa të gjetur kurrë një ditë

 

Duke ditur thjeshtësinë e Dritëroit, Bashkimi kish marë dy poste delesh. Zgjodhëm një vend në krye të një lëndine të bukur ku kishte hije e pastaj vizituam mjediset e atij vendi të shenjtë. Ndërkohë erdhën një nga një pjesëtarë të Klubit si dhe të ftuar si ish kryetari i bashkisë së Bilishtit Valter Miza, regjisori dhe aktori i njohur, Artisti i Merituar, Dhimitër Orgocka (tani edhe Mjeshtër i Madh), i cili kish qenë edhe herë të tjera në veprimtari të krijuesve devollinj.  Anëtari i Klubit dhe krijuesi i njohur Skënder Demolli, atëherë drejtor i TV Korçës, kishte marë me vete një operator për ta pasqyruar veprimtarinë te ky stacion. Rreth orës njëmbëdhjetë erdhi Dritëroi e Sadija. Pasi u ulën në poste, Dritëroi tha: – Këto poste janë kolltuku më i mirë për mua e Sadijen.  Pasi i uroi mirëseardhjen miqve të shquar, kryetari Bashkim Gjoza, foli për veprimtaritë e Klubit gjatë vitit të fundit dhe ngriti shëndete për Dritëroin e Sadijen. Më pas fjalën e mori Dritëroi.

ARTI I BASHKON NJERËZIT

 

Megjithëse i ruaja në kujtesë fjalët e Dritëroit, për të qenë më i saktë i kërkova ndihmë Endri Fifos, këngëtar i shquar dhe mik i Dritëroit. Ai e kishte në video gjithë fjalën e tij. E zbardhi e ma dërgoi. Ja fjalët e Dritëroit:

…Jam i nderuar që marr pjesë në këtë vatër të ngrohtë të krijuesve devollinj. Bashkë me Sadijen ishim me pushime në Pogradec dhe nuk mund të rrinim pa ardhur. Krijimet tuaja si dhe veprimtaritë që zhvilloni i ndjek hap pas hapi, pasi Bashkimi më informon vazhdimisht.  Kur isha fëmijë, mësuesit na sillnin në Inonisht. Mbaj mend që këtu kishte shumë gjelbërim, kishte lisa e drurë të tjerë. Kur po vija rrugës, mendoja: a do të ketë gjelbërim si atëherë? U kënaqa kur pashë gjelbërim dhe juve të bashkuar, pa dallime partiake apo pushteti.  Poemën e Naim Frashërit “Bagëti e bujqësi” e recitojnë të gjithë, pa dallim. Inonishtin e ka themeluar Baba Kasëmi, ndërsa mua ma ka vënë emrin Baba Ahmeti. Ai nuk vinte emra në turqisht. Pasi e mendoi emrin, doli në dritare dhe thirri dy herë:– Dritëro!  Siç më ka treguar nëna, ai nuk kishte shumë zë, prandaj edhe ajo thirri emrin  Dritëro që më vuri baba Ahmeti.  Shkova një herë në kryegjyshatë te baba Reshati. Ai kishte shtruar një darkë. Më kishte dëgjuar në një intervistë që kisha lavdëruar bektashizmin, por kisha thënë se nuk para e besoja fenë. Në atë darkë, ai më tha:-Ma ke prishur qejfin me atë fjalë që the se nuk beson fenë. -More baba Reshat, – i thashë. – mua më ka hyrë lugati i marksizmit dhe nuk më le të besoj. Ti bëj nja tridhjetë darka të tilla dhe mua do të më dalë lugati. Mirë, – më tha baba Reshati. Po mua akoma nuk më ka dalë ky lugat. Sadija, gruaja ime, beson dhe ne kështu plotësojmë njëri-tjetrin. Megjithatë unë i respektoj të gjithë fetarët, – i thashë baba Reshatit. Më pas Dritëroi u ndal te krijuesit që ka nxjerrë Devolli. Ai përmendi Teodor Laçon, Sotir Andonin, Petraq Zoton, Kostë Çekrezin, Skënder Rusin, Bashkim Gjozën, Skënder Demollin, etj. – Devolli ka nxjerrë edhe akademikë, – tha ai. – si Alfred Uçin, Josif Adhamin, Petrit Skënden e një ndër ta jam edhe unë. Në fjalën e tij Dritëroi vlerësoi edhe një herë devollinjtë duke thënë:  Devollinjtë janë njërez të punës, të këngës e të dollisë. Për ta bërë punën sa më mirë, bishtin e shatës nuk e bëjnë të gjatë që të punojnë më këmbë, por të shkurtër që të përkulen e të punojnë sa më mirë. E kam thënë edhe herë tjerër: sikur të ngrihet një monument kushtuar Punës, ky monument duhet të ngrihet në Devoll.  Dritëroi e mbylli fjalën duke thënë:  Uroj devollinjtë si dhe gjithë shqiptarët që ta duan njëri-tjetrin. Të mos jenë fanatikë të partive dhe të feve. Unë i jam ruajtur këtij fanatizmi dhe kur partia ka patur gabime, ia kam thënë.  Fjala e Driëroit u duartrokit nga pjesëmarrësit. Pastaj Dhimitër Orgocka recitoi poemën e njohur të Dritëroit “Devoll, Devoll” i cili gjithashtu u duartrokit.

 

SOFRA E KËNGËS DEVOLLITE

Rreth kësaj sofre të bukur të shtruar në natyrë, nuk munguan këngët devollite të cilat ishin çaste të tjera të bukura të asaj veprimtarie. Nuk mund të rrinin pa kënduar bilbilat e këngës popullore të Devollit Ali Kondi, Endri Fifo, Nafiz Babi, Zija Pajo, Fatmir Dangëlli, Nasho Andoni, etj.  Në një moment ia mori këngës edhe Dritëroi. Ishte kënga “Çeli manushaqja, s’bëra me shëndet”. Ia mbante xha Aliu dhe zjenin të tjerët. Endri Fifo e bëri në dy kolla këngen, (kur e pësërit një dyshe tjetër) Dritëroi këndoi me Endrin edhe këngë të tjera. Endri kishte kënduar edhe më parë me Poetin e shquar dhe i dinte këngët që kishte për zemër ai.  Operatori i TV Korçës e ka filmuar këngën e kënduar nga Dritëroi “Çeli manushaqja, s‘bëra me shëndet”, por për fat të keq, operatori nuk e ka futur në kuadër artistin e merituar, Ali Kondin i cili ia mbante këngën Dritëroit. Me xha Aliun i kisha dëgjuar të këndonin bashkë edhe në Tiranë.  Kjo veprimtari e bukur vazhdoi disa orë, aty rreth sofrës devollite. U ngritën dolli, u kënduan këngë, u bënë fotografi. Në fund kryetari i Klubit Bashkim Gjoza shpalli çmimet vjetore për krijimet letrare të anëtarëve të Klubit. Ai i dorëzoi Dritëroit simbolin e Klubit që mban emrin e tij.  Duke e marë atë, Dritëroi tha:  Këtë simbol do ta ruaj si një kujtim të shënjtë.Më pas Dritëroi e Sadija, shoqëruar nga Bashkimi dhe Endri, vizituan teqenë e Kuçit dhe  ndalën te varri simbolik i Baba ahmetit që i i kishte vënë emrin Dritëroit. Ata çast Endri ia thiri këngës që sajoi në çast, e cila emocionoi Dritëroin :“Ngrehu baba Ahmeti, ngrehu/ të ka ardhur djali/ të ka ardhur Dritëroi/ shpirt e zemër behari“.U mblodhën aty plot fshatarë dhe vazhdoi muhabeti deri në mbrëmje.

 

DEVOLLI MË NDJEK PAS KUDO QË JAM

 

Për Devollin e devollinjtë, Dritëroi ka folur edhe në vitin 2008 në intervistën e dhënë për dokumentarin “Devolli-djepi që përkundi devollinjtë”, ku ndër të tjera thotë:” Devolli më ndjek pas kudo që jam në Shqipëri, më ndjek pas trokitja e tokës së tij, më ndjek fëshfërima e fletëve, cicërima e zogjve, më ndjekin pikat e shiut që bien pik-pik në strehë, më ndjek gurgullima e lumit të Devollit, më ndjekin këngët nëpër dasma, vallet, më ndjekin të gjitha këto”.  Dritëroi ndërroi jetë më 3 shkurt të vitit 2017. Ai iku por la pas krijimtarinë e tij të begatë, dashurinë për njerzit, fjalën e mënçur e kurajoze, humorin e tij me kripë si dhe thjeshtësinë e tij. Ai la pas pavdekësinë dhe Dritëron, siç e ka patur emrin.

NË VEND TË MBYLLJES

Kanë kaluar 14 vjet nga gushti i vitit 2006, nga ajo ditë e shënuar për krijuesit devollinj. Klubi është rritur dhe janë shtuar veprimtaritë e tij. Siç na thotë kryetari i sotëm, Lefter Babi, Devolli ka krijues të njohur si Skënder Rusi, Skënder Demolli, Kosta Nake, Agim Isaku, Arben Shaholli, Demir Gjergji, Andon Andoni, Sefer Hoxhalli, Endri Fifo, Lida lazaj, Eli Kanina, Fatos Hoxha, Sali Zaimi, Pandeli Bardhi, Olivert Topçiu, Sami Begolli, të rinjtë e talentuar Andrea Dangëlli, Kristina Maneshi, etj.(Ndjesë për emra që nuk kujtohen.) Anëtarë të Klubit, thotë Lefteri, janë bërë edhe krijues nga rrethe të tjerë si Pogradeci, Korça, Durrësi e Përmeti, si Istref Haxhillari, Bujar Balliu, Dhimitër Orgocka, Arjan Kallço, Agron Elezi, Maksi Kulla, Ilir Koro, Qazim Muska, Besnik Bedollari, Anila Mihali si dhe plot dashamirës të artit e kulturës. Ka edhe disa krijues devollinj të njohur që janë në emigracion si Thani Naqo, Thanas Jorgji, Luan Xhuli, Luan Kalana, Merita Bajraktari, etj. Për disa vjet me rradhë Klubi ka botuar edhe gazetën “Bilishti”. Disa nga anëtarët e Klubit, kanë ndrruar jetë, si Ali Kondi (Artist i Merituar), Bashkim Gjoza, Pëllumb Agolli, Fatmir Dangëlli e Vaskë Eski. Le të jetë ky shkrim një homazh edhe për ta.  Ka ca kohë që Klubi ka rënë në qetësi. Ka ndikuar situata e virusit dhe kjo është e natyrshme. Por ka edhe një arsye tjetër që nuk do desha ta shkruaj. Në radhët e Klubit ka patur përçarje, e cila vazhdon. Driëtëroi sikur e parandjente dhe porositi që të jeni të bashkuar. Le t’i lemë përçarjet. Klubi ka një emër të madh, atë të Dritëroit. Le të bashkohen rreth këtij emri krijuesit devollinj si dhe ata nga rrethe të tjerë, pa ngjyra partiake, xhelozie, etj. Le të mos i ngjasim partive. Në radhët e Klubit ka figura me integritet që mund ta shërojnë këtë plagë, pa e lënë të thellohet.