Në Vlorë është çelur Banka e Parë Tregtare shqiptare, më 1850

2019
Vlora, në çdo moment historik i ka dhënë peshë historisë së popullit dhe kombit shqiptar. Është Vlora ajo dhe janë Vlonjatët ata që gjithnjë kanë vendosur se, në çfarë kahu do eci Shqipëria. Në këtë shkrim nuk do përqendrohem te pushka, por do përqendrohem te pena, te pena Ekonomike vlonjate e lidhur me penën tepelenase. Lexova librin e zotit FAHRI SHASKA me titull “160 vjet bankë në Shqipëri”. Më bëri shumë përshtypje, krahas librave të Enver Lepenicës, të Bardhosh Gaçes, Albert Abazit, Foto Bixhilit, Eqerem Canaj, Ahmet Demaj, e dhjetëra e qindra vlonjatëve të tjerë ky i Zotit Shaska qe më i veçanti, sepse ishte në fushën e bankave. Si ekonomist e ndjeva veten shumë keq, sepse nga askush deri më sot nuk është thënë se, në Shqipëri Banka e Parë Tregtare është themeluar që në vitin 1850. Por në çdo analizë apo libër të shkruar për historinë e bankave në Shqipëri është shkruar: “Në Shqipëri deri në vitin 1913, nuk ka pasur Bankë Qendrore ose banka të nivelit të dytë. Nuk ka pasur as Bankë Kombëtare as monedhë kombëtare dhe as Bankë emetuese të monedhës. Monedhat e arit, argjendit apo kartëmonedhat që qarkullonin në Shqipëri, deri në këtë periudhë, kanë qenë të shteteve të tjera.
Banka Perandorake Osmane
Më 4 shkurt 1863, u krijua Banka Perandorake Osmane, që emetoi bankënota të konvertuara në ar. Kjo bankë ngriti degë në të gjitha vilajetet shqiptare të perandorisë si në Janinë, Manastir, Shkup dhe Shkodër. Në 1888 u krijua Banka Bujqësore e Perandorisë Osmane që shtriu veprimtarinë e saj nëpërmjet degëve dhe agjencive në qytetet Berat, Elbasan, Kavajë, Korçë, Shkodër etj. Në vitin 1912, kjo bankë ju kishte dhënë fermerëve shqiptarë 6.7 milionë groshë ar kredi, pjesa më e madhe me afat të gjatë kthimi. Në 1913, në Shqipëri u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Ŵienner Bank Verein që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar Italian. Kapitali i saj ishte austriak dhe italian dhe kapte shumën prej 10 milion korona ari. Në vitin 1925 u emetua monedha e parë me emrin lek por që njihet viti 1926 sepse monedha e prerë në 1925 e kishte shqiponjën me një kokë. Në 15 mars 1925, u themelua në Romë Banka Kombëtare Shqiptare. U miratua nga Senati Ítalian në shtator të 1925. Së bashku më të u miratua edhe Statuti i B.K.SH dhe ligji mbi veprimtarinë e arkës.

Këto Banka ndikuan në vendosjen e një stabiliteti relativ të ekonomisë. Nga 1928-1935 me politikën monetare dhe të kreditit të përdorur çoi në mbivlerësimin e lekut duke ngadalësuar ritmin e rritjes ekonomike. Në vitin 1934 u çel Banka Jugosllave e Eksportit, Banka Greke dhe në 1937 Banka Italiane e Bujqësisë. Më 13 janar 1945 Kryesia e KANÇ-it miratoi ligjin mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Ajo miratoi ligjin organik të Bankës së Shtetit Shqiptar duke krijuar në këtë mënyrë institucionin më të rëndësishëm të sistemit financiar të shtetit shqiptar. Në këtë periudhë sistemi bankar shqiptar ishte me një nivel. Banka e Shtetit Shqiptar mbështeti në mënyrë ekstreme shtetin e diktaturës së proletariatit. Ajo shërbente si bankë emisioni, krediti dhe pagesash. Pas Bankës së Shqipërisë, u themelua Banka Bujqësore në 1 janar 1979. Kjo bankë ishte tërësisht me kapital shtetëror dhe kishte si objektiv kreditimin dhe zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Karakteristikë për këtë periudhë ishte aplikimi i zbatimit të instrumenteve monetare direkte, si ai i “normave të interesit”, i “kursit të këmbimit” etj. ndërsa objektivi i saj ishte plotësimi i planeve 5-vjeçare, industrializimi i ekonomisë etj.
Pas viteve 1990
Pas viteve 1990, me vendosjen e sistemit të ri ekonomik u realizua dhe reforma e rëndësishme kombëtare në sistemin bankar për t’iu përshtatur situatave të reja ekonomike. Në vitin 1992, u themelua sistemi bankar dy nivelesh. U miratuan dy ligje themelore. Ligji Nr.7559 i datës 22.04.1992 “Për Bankën e Shqipërisë”dhe Nr. 7560 datë 28.04.1992”Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”. Pas tyre për aktivitetin bankar janë miratuar një sërë ligjesh të tjera të rëndësishme. Në esencë të tyre qëndronte sigurimi i pavarësisë funksionale të Bankës Qendrore nga Qeveria, përcaktimi i kompetencave ekskluzive të saj si emetimi i monedhës së vendit, hartimi dhe zbatimin e politikës monetare kombëtare, monitorimi i aktivitetit ekonomik të bankave të nivelit të dytë, licencimi i tyre, raportet me to etj. Kështu Banka e Shqipërisë mori të gjitha funksionet e një banke qendrore, ndërsa Banka Kombëtare mori funksionet tregtare të Bankës së Shtetit Shqiptar. Banka e Shqipërisë ka për qëllim krijimin e një institucioni bashkëkohor të modelit Europian. Modeli nga do të orientohet do të jetë ai i Bankës Qendrore Europiane. Një veprim i tillë është bërë për të pasur një përshtatje graduale me standardet e bankave europiane”. Nuk është normale që t’ju qëndrojmë disa datave që na janë fiksuar si të vërteta. Si shkolla e parë, teatri i parë, shtypshkronja e parë apo femra e parë poete apo etj, etj…. Të dhënat që janë zbuluar prej studiuesve të ndryshëm në çdo fushë tregojnë, se ne nuk e njohim sa duhet historinë tonë. Disa njerëzve ju ka mbetur ora në 1990. Pikërisht në këtë shkrim modest do hedh pak dritë mbi librin e Zotit Fahri SHASKA, në fushën e bankave, në mënyrë që ata që do shkruajnë për Historikun e Bankave të marrin deri tani atë çfarë është provuar.

Nuk është e vërtetë, që ne kemi pasur një Bankë në 1913. 
Ne kemi pasur një Bankë që në 1850. Kjo është një e vërtetë që po na e japin vetë vlonjatët dhe fatkeqësi që historianët apo shkruesit e historisë së sistemit bankar shqiptar, nuk e kanë ditur, sepse politika jonë do çojë në krye të saj vetëm militantë, miq të presidentëve apo të qeveritarëve, pa kurrfarë kontributi në fushën e mendimit ekonomik. Në faqen 8 të librit të zotit Fahri SHASKA thuhet: “Bezhanët e Vlorës sollën me vete mentalitetin e kapitalit të lëvizshëm, pasurimin nëpërmjet parasë, tregtisë. Aty nga fillimi i shekullit të XIX ndërtuan në lagjen Muradie të Vlorës një shtëpi për banim, e cila është edhe sot pronë e tyre e banon një familje Bazhani”. Në fasadën e kësaj godine ndodhet një pllakë bronzi, ku shkruhet “Assicurazioni Generali Trieste 1831”. Nga marrëdhëniet e Bezhane me shtetet fqinje, iu lindi dëshira për të krijuar një Bankë. Kjo u realizua në 1850, kur u çel e para Banka shqiptare, e cila ka 160-vjetorin e saj. Në Almanakun anglez, në faqen 716 Shkruhet: “P. I. Bezhani Valona Albania, themeluar fillimisht në 1850, Pandeli Bezhani, mbajtësi i Prokurës, Elefter Bezhani. Telegramet “Bezhani, Valona” Kodet; A,B,C botimi i 5; privatisht Agjent Londinez-Bank of Athens Agjent Nju-Jorkez- national City Bank of Neŵ York. Në këtë faqe të Almanakut paraqiten 4 Banka: Banka private Bezhani 1850, Banka private Philadelphia USA 1764, Banka Rumune 1872, Banka Birmingan USA 1887. Edhe në këtë faqe të Almanak, një bankë është më e vjetër se banka jonë[2]. 

Krahas të dhënave të mësipërme Shaska jep edhe një dokument tjetër ku pasardhësi i themeluesve z.Pavllo Bezhani i shkruan më 15/28 nëntor 1908 kunatit të tij Sotir Kolesë në Aleksandri. Origjinali i kësaj letre ndodhet në Vlorë në familjen e z. Pavllo Bezhani, nipi i autorit të letrës. Zoti Shaska e jep të plotë letrën, e cila mbart shumë të dhëna historike mbi lindjen e Bankës sonë kombëtare. Sa thamë më lartë janë njoftime shumë me vlerë dhe tepër interesante për llogari të mendimit ekonomik shqiptar dhe të financave publike shqiptare që janë shumë pak të njohura. Dalja në dritë e këtyre tregon, se në Shqipëri kapitali financiar ka qarkulluar shumë kohë para, se të mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Zoti SHASKA jep origjinalët e shkrimeve në gjuhën shqipe, dhe këto janë një vlerë më vete e librit të tij, i cili megjithëse është vetëm 32 faqe ka vlera të pallogaritshme, shkencore në fushën e ekonomisë, gjuhësisë, letërsisë në fushën shoqërore dhe në aspektin e bashkëpunimit të trevave shqiptare jugore. Është detyrë dhe përgjegjësi e historianëve tanë të studiojnë librin e zotit Fahri Shaska. Në libër jepen kartëmonedhat e Bashkisë së Vlorës. Ne duhet të jemi krenarë me ato kartëmonedha, sepse janë me vlera historike tepër të rëndësishme si produkte financiare. Ato mbajnë siglat që i mban çdo kartëmonedhë e sotme, i paguhen prurësit me të parë, paguhet me t’u paraqitur”. Vendim i Këshillit të Bashkisë më 11 maj 1924. 

“Falsifikonjësit dënohen sipas ligjit”. Bashkia e Vlorës, Kryetari i Bashkisë, Arkëtari”. Vlonjatët duhet të jenë krenarë, sepse Vlora që në atë kohë i ka treguar shqiptarëve se kapitali financiar, ashtu si në Evropë ka ekzistuar dhe qarkulluar edhe në Vlorë, në krenarinë e kombit shqiptar. Vlora që në 1850, ju ka treguar shqiptarëve se, çfarë është BURSA, që ne shqiptarët edhe sot nuk e kemi një Institucion të tillë. Botimi i librit të Zotit Fahri SHASKA është një shembull i shkëlqyer i shqiptarizmës, i historisë së popullit shqiptar në lëmin e ekonomisë, i atij kontributi që nuk mund ta jepnin historianët tanë për dhjetëra vjet. Është një shembull i shkëlqyer i patriotëve Vlonjatë, që si gjithmonë kanë qenë në pararojë jo vetëm të pushkës, por edhe të penës shqiptare. Si ekonomist e ndjej për detyrë t’ju servir bashkive të rretheve tona librin e zotit Shaska, që të mësojnë të emetojnë letra me vlerë për zhvillimin e qyteteve tona, pa rënë në delirantizëm dhe eufori shpellarësh. Të tregohen qytetarë dhe me mendjen e Lekljotëve-Vlonjatë të mundësojnë zhvillimin për punësimin e fëmijëve tanë.
Sigal