Ahmetaj: Do krijojmë 90 mijë vende punë për qytetarët

650
Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Arben Ahmetaj, ka deklaruar sot se oferta për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë shqiptare. Sipas tij, brenda 30 ditësh do të shpallet fituesi për zonën e Spitallës. “Brenda 30 ditësh do të shpallet fituesi për zonën e Spitallës. Ky është një hap i rëndësishëm, pasi janë 1.5 miliardë dollarë të mundshëm që në 9 vitet e ardhshme do të injektohen në ekonominë shqiptare, në industri të ndryshme, me teknologji të lartë. Por mbi të gjitha janë 90 mijë vende të reja pune që do të krijohen për qytetarët shqiptarë”, ka deklaruar Ahmetaj. Ai ka nënvizuar se ekzistenca e dy ofertave për krijimin e kësaj zone, ajo e grupit kinez dhe ajo e kompanisë italiane, që ende nuk e ka finalizuar vlerën monetare, vjen si pasojë e reformave të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. “Sot kemi oferta sepse kemi iniciativë për këtë zonë, që do ta kthejmë në një ndër zonat më konkurrueset në rajon. Kjo është ekonomia reale që ofron mundësi punësimi dhe zhvillimi ekonomik”, ka shtuar Ahmetaj.
Sigal