Punëdhënësit shqiptarë mund të detyrohen të publikojnë pagat

Sipas një projektligji të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të nxjerrë për konsultim publik, punëdhënësit në Shqipëri do të duhet të publikojnë intervalin e pagës për çdo vend të lirë pune.

Dhe kompanitë me të paktën 125 punonjës do të përballen me kuota për punësimin e personave nga grupe të veçanta, sipas një projektligji të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të nxjerrë për konsultim publik.

Sigal

Projektligji, që ndryshon ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, zgjeron detyrimet e kompanive për deklarimin e vendeve të lira dhe të marrëdhënieve të punës, ndërsa parashikon gjithashtu një sistem të ri digjital për historikun profesional të punonjësve dhe përgatitjen e Shqipërisë për pjesëmarrjen në rrjetin europian të punësimit EURES.

Një nga ndryshimet kryesore për punëdhënësit është detyrimi për transparencë mbi pagën që në fazën e rekrutimit..

Relacioni i Ministrisë thotë se kjo kërkesë parashikohet për herë të parë dhe synon rritjen e transparencës gjatë rekrutimit dhe dhënien e më shumë informacioni punëkërkuesve përpara aplikimit.

Projektligji zgjeron edhe informacionin që kompanitë duhet t’u raportojnë institucioneve.

Çdo punëdhënës do të ketë detyrimin të deklarojë dhe përditësojë të dhënat që lidhen me marrëdhënien e punës të punonjësve.

Në rast largimi nga puna, punëdhënësi do të duhet të deklarojë largimin, ndërsa informacioni, përfshirë arsyen dhe kontaktin e punonjësit, do t’i përcillet automatikisht institucionit përgjegjës për punësimin.

Sipas relacionit, qëllimi është që institucionet e punësimit të mund të ndërhyjnë më herët me këshillim, orientim profesional, ndërmjetësim ose programe aktive të tregut të punës për personat që humbasin vendin e punës.

Kuota për kompanitë me të paktën 125 punonjës

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë për bizneset është regjimi tranzitor për punësimin e personave nga grupet e veçanta.

Deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, projektligji parashikon që një punëdhënës të punësojë një person nga kategoritë e përcaktuara në ligj për 125 punonjësit e parë, dhe një person shtesë për çdo 125 punonjës të tjerë.

Nëse kuota nuk plotësohet, punëdhënësi do të paguajë një kontribut në Fondin Social të Punësimit.

Projektligji përcakton se punëdhënësi që nuk plotëson numrin e kërkuar “derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit në masën 50% të pagës minimale”, për çdo muaj dhe për çdo person që duhej të kishte punësuar sipas kuotës.

Shkeljet e detyrimeve të parashikuara për punëdhënësit do të trajtohen si kundërvajtje administrative. Projektligji përcakton administratën tatimore si autoritetin që konstaton dhe sanksionon shkeljet, në përputhje me legjislacionin për procedurat tatimore.

Ndryshimet prekin edhe shërbimet e punësimit që ofrohen nga shteti. Shërbimet bazë për punëkërkuesit dhe punëdhënësit do të vijojnë të ofrohen pa pagesë, por institucioni përgjegjës do të mund të vendosë tarifa për shërbime të specializuara që u ofrohen kompanive.

“Për shërbime të specializuara që u ofrohen punëdhënësve, institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë vendos tarifa shërbimi,” thuhet në projektligj. Llojet e shërbimeve, kriteret, procedurat dhe tarifat do të përcaktohen më pas me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pasaportë digjitale për punësimin dhe aftësitë

 

Projektligji krijon edhe bazën ligjore për të ashtuquajturën Pasaportë Digjitale të Punësimit dhe Aftësive, një dokument elektronik ku do të regjistrohen të dhëna mbi historikun profesional të individit.

Sipas tekstit, pasaporta do të përmbajë të dhëna për “marrëdhëniet e punës, periudhat e punësimit, profesionin, kualifikimet dhe përvojën e punës së individit”. Ajo do të administrohet përmes një platforme të integruar me bazat shtetërore të të dhënave.

Të dhënat do të përdoren për ofrimin, administrimin dhe verifikimin e shërbimeve dhe programeve të punësimit, ndërsa rregullat e aksesimit, përditësimit dhe ndërveprimit me bazat e tjera të të dhënave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Relacioni thotë se sistemi synon të krijojë një burim të vetëm informacioni mbi profilin profesional dhe të shmangë kërkesat e përsëritura për dokumente fizike, duke mundësuar verifikimin elektronik të informacionit.

Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon krijimin e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës dhe Aftësive. Subjektet që disponojnë të dhëna për tregun e punës do të kenë detyrimin t’i shkëmbejnë ato në mënyrë elektronike përmes një baze të integruar.

Shqipëria përgatit lidhjen me EURES

 

Paketa krijon gjithashtu strukturën ligjore për integrimin gradual të Shqipërisë në Rrjetin Europian të Shërbimeve të Punësimit, EURES, i cili lidh shërbimet e punësimit dhe informacionin mbi vendet e lira të punës në tregun europian.

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë do të veprojë si Zyra Kombëtare Koordinuese e EURES-it.