Lumi i Vlorës, shtylla që nuk e la kurrë vetëm Vlorën!

Ergys Alushi

Historia i ka lidhur aq ngushtë, sa nuk është rastësi që kjo trevë mori emrin “Lumi i Vlorës”. Ishte lumi që rridhte drejt qytetit, por edhe njerëzit e tij që, sa herë e kërkoi koha, zbritën drejt Vlorës për ta mbrojtur, për ta ushqyer dhe për t’i dhënë jetë.Që kur Vlora nisi të formësohej si qytet, banorët e Lumit u bënë pjesë e fatit të saj. Ishin ata që sollën librat e parë shqip, kur fjala e shkruar ishte ende një akt guximi. Burra si Xhafer Drashovica nga Drashovica, Hamit Lumi nga Vërmiku dhe shumë të tjerë hapën rrugën e dijes shumë përpara se të shpallej Pavarësia.Kur Ismail Qemali vizitoi për herë të parë Vlorën në vitin 1908, ai nuk u mjaftua me qytetin.Shkoi edhe në Lumin e Vlorës për të kërkuar mbështetjen e burrave të kësaj treve, sepse e dinte se pa ta, rruga drejt lirisë do të ishte shumë më e vështirë.Në ditët vendimtare të vitit 1912, fshatarët e Lumit rrethuan Vlorën për të garantuar sigurinë e qytetit deri në shpalljen e Pavarësisë. Ata ishin aty më 28 Nëntor 1912. Por nuk u larguan as pas festës.Kur rebelët e Haxhi Qamili kërcënuan Vlorën, Lumi u ngrit përsëri për ta mbrojtur.Kur qyteti u përball me urinë gjatë pushtimit grek në vitin 1913 dhe më pas gjatë pushtimit italian, banorët e Lumit ndanë me Vlorën bukën, mundin dhe sakrificat.Në Luftën e Vlorës të vitit 1920, ishte përsëri Lumi i Vlorës që mbajti një nga barrët më të mëdha të luftës, me heronj si Zigur Lelo nga Bashaj e Kanan Maze nga Shkoza.

Sigal

Për një periudhë, edhe Prefektura e Vlorës u vendos në Drashovicë, duke e kthyer këtë krahinë në një qendër të rëndësishme të organizimit të rezistencës kundër pushtuesit italian.Ago Agaj, nga Ramica, la dëshmi të çmuara për Luftën Çlirimtare të Vlorës.Në revolucionin e vitit 1924, burrat e Lumit ishin në ballë të ceremonisë mortore për Avni Rustemi dhe të lëvizjes kundër Ahmet Zogu.Dhjetëra e dhjetëra emra të tjerë nga Lumi i Vlorës kanë qenë në vijën e parë të çdo ngjarjeje që lidhej me fatin e qytetit. Me pushkë e priti Lumi pushtimin italian më 1939, ku dëshmori i parë i luftës është pikërisht Hamit Vasho nga Gumenica.Dhe kur erdhi Lufta e Dytë Botërore, ishte përsëri kjo krahinë që mbajti peshën kryesore të rezistencës dhe të Luftës çlirimtare në qarkun e Vlorës.Historia e Vlorës nuk mund të shkruhet pa Lumin e Vlorës.Sepse, në çdo kthesë të saj, kur qyteti kishte nevojë për njerëz, për armë, për bukë, për dije apo për sakrificë, Lumi ishte aty.Gjithmonë pranë Vlorës, gjithmonë bashkë me të.Në të mira e në të këqija. Si pjesë e pandashme e shpirtit dhe historisë së saj.Historia vazhdon…