Si u ndërtua PES (Pengesa Elektro Sinjalizuese), ose ndryshe edhe si “kloni”

157
Sigal

– Sistemi tregonte dhënien e sinjalit në sektor me gjatësi 500 dhe 250 metra.

-Nga viti 1946-1990 nga Shqipëria, u arratisën 14 mijë persona.

– Në nëntor 1990, kanë kaluar kufirin ne mënyrë të paligjshme, 198 persona, 158 banorë të atij rrethi, 11 ushtarë të kufirit dhe 29 persona nga rrethe të tjera, duke dhënë një shifër në gjithsej

Më 8 maj 1990, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, miratoi ndryshimin në Kodin Penal, sipas të cilit, kalimi i kufijve, nuk përbënte më tradhti ndaj atdheut. Pas vendosjes së regjimit komunist dhe gjatë gjithë periudhës së këtij regjimi, shumë shqiptarë të pa trysnuar nga propaganda e fortë komuniste, u larguan nga vendi. Por gjatë këtyre orvatjeve për arrati, me mijëra shqiptarë, u vranë në kufi apo humbën përgjithmonë. Shifrën zyrtare e jep Ministria e Punëve të Brendshme, e cila informonte Partinë e Punës se deri në vitin 1990 (pa përfshirë këtu të ikurit e 2 korrikut), ishin larguar në moshë të madhe nga Shqipëria, 14 mijë persona. Kësaj shifre, sigurisht, nuk i është shtuar shifra tjetër e të ikurve në vitin 1944, kur pushtetin e morën komunistët. Pas shumë vitesh sundimi të Partisë Komuniste, në vitet 1988-1990 shënohet një rritje e numrit të arratisjeve nga vendi, të shoqëruara këto edhe me vrasje në masë në kufi. I gjithë viti 1990, nga fillimi e deri në fund, mbulohet nga vrasje pothuaj të njëjta, të vetëdijshme e të dhimbshme. Ky libër, pra, është një përmbledhje e plotë e dokumenteve për këto vrasje në kufi. “Dita e Europës”, e kremtuar gjerësisht në kontinent si fitore mbi nazizmin dhe totalitarizmin, në Shqipëri, 45 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dëshmonte se tentativat për arratisje vijonin të rezultonin fatkeqe”. “Në themel të punës edukative, ushtarako — profesionale e teknike të Forcave të Kufirit qëndrojnë: Teoria Marksiste — Leniniste e Partisë sonë, mësimet e shokut Enver Hoxha dhe të sekretarit të parë të KQ të PPSH-së shokut Ramiz Alia, arti ushtarak i luftës popullore dhe i ruajtjes së kufirit”. (“Rregullore e shërbimit të kufirit; njësit, piketë, pikë, postë, anije kufitare; miratuar me urdhrin e ministrit nr.01-40, datë 13.10.1989). Kufiri i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ishte teli i fundit i burgut të madh, ku jetonin rreth 3 milionë njerëz të shformuar gjatë regjimeve të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Burgu i madh i ndërtuar përgjatë viteve të sundimit komunist, niste nga shtëpia e individit e përfundonte matanë telave të klonit të kufirit shtetëror. Që të kaloje në botën e lirë, në një shtet ku nuk respektohej e garantohej asnjë e drejtë, duhej patjetër të kaloje midis shumë hendeqeve. Rrethanat gjeografike, e kishin bërë kufirin shtetëror të Shqipërisë, një zonë të vështirë kalimi. Duke u shtuar këtyre edhe ashpërsinë e regjimit, dilnim në një gardh të vështirë për t’u kaluar nga popullsia, që kërkonte ta kalonte atë për shkaqe politike ose ekonomike. Në praktikën e përcaktimit të kufijve ndeshen:

-Kufijtë orografikë, që hiqen me ndihmën e veçorive gjeografike të vendit, duke marrë për bazë shtratin e lumit, kodrën, pyllin, bregun e detit, etj.

-Kufijtë gjeometrikë, që ndajnë territorin e një shteti me një tjetër në vijë të drejtë nga njëra pikë te tjetra. Përveç këtyre, hasen edhe kufijtë astronomic, që përkonin me paralelin ose meridianin.

Territori i shtetit shqiptar, ka një kufi të gjatë në 1094 kilometra, i përbërë nga 627 km. tokësor, 316 km. detar (vijë bregdetare 472 km.), 73 km liqenor, 48 km. lumor, 30 km. përrenjor. Me shtetin e atëhershëm jugosllav, kufiri ishte i gjatë 529 km, (380 km tokësor, 39 km, lumor, 66 km. liqenor, 22 km. përrenjor, 22 km. detar).

Me shtetin grek. kufiri ishte i gjatë 349 km. (247 km. tokësor, 78 km. detar, 9 km. lumor, 7 km. liqenor dhe 8 km. përrenjor).

Kufiri. tregohej me piramida kryesore e ndërmjetëse. Me shtetin e atëhershëm jugosllav, ishin vendosur 176 piramida kryesore dhe 1254 të ndërmjetme. Me Greqinë, 177 kryesore. Në liqene, vija e kufirit tregohej me shenja ndriçuese. Në lumenj e përrenj, vija ishte në mesin e rrjedhjes kryesore të ujit, ndërsa në lumenj të lundrueshëm, në thellësinë më të madhe të tyre. Në det vija e kufirit fillon 15 milje në thellësi të ujërave. Në kapitullin e dytë të rregullores së sipërtreguar, “Ruajtja e kufirit shtetëror në sektor malor me dëborë dhe të pyllëzuar”, të rregullores nr. 01-40, i jepej e drejtë njësiteve kufitare, të hapnin zjarr, apo të shkonin më shumë me “shpirtin sulmues”, duke përdorur bombat. Duke u nisur nga fakti që pjesa më e madhe e kufirit shtetëror të Shqipërisë, shtrihet në sektor malor dhe të pyllëzuar, automatikisht, njësitet kishin të drejtë të qëllonin, në rrethanën natyrore të sipërthënë. E njëjta rregullore, në kapitullin e; “rregullave për mënyrat e hapjes së zjarrit”, ndër të tjera ka sanksionuar se; hapja e zjarrit; bëhej; “kundër civilëve e ushtarakëve të RPSSH-së; që tentojnë të arratisen në sektorë tokësor, lumor, liqenor, detar me; ose pa mjete”. Njësiti u bën thirrje “duart lart”, kur nuk binden, u bën një qitje paralajmëruese (në ajër), në rast se vazhdojnë tentimin, hapet zjarr neutralizues, në pamundësi neutralizimi dhe asgjësues”.

PES (Pengesa Elektro Sinjalizuese), njihej ndryshe edhe si “kloni”.

Ai shërbente si “Pengesë mekanike”, që sillte “ndikim psikologjik te shkelësi. Sistemi tregonte dhënien e sinjalit në sektor me gjatësi 500 dhe 250 metra. Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, kufiri ruhej nga Forcat e Kufirit. Drejtoria e Kufirit, ishte një prej tri shtyllave kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Sigurim, Polici, Kufi). Ajo e ushtronte detyrën e ruajtjes së kufirit, përgjatë kufirit tokësor, lumor, liqenor e detar, nëpërmjet batalioneve kufitare të ndodhura në çdo rreth kufitar, përfshi këtu edhe zonën bregdetare. Përgjithësisht, caktohej një fshat kryesor i afërt me vijën kufitare, ndërsa koordinimin, e bënte Dega e Punëve të Brendshme e rrethit përkatës. Batalionet në fjalë, kishin në varësi postat kufitare, në, të cilat shërbenin kuadro dhe ushtarë, që kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ushtarët, ishin përzgjedhur nga një punë paraprake, e Punëtorëve Operative, të lagjeve apo fshatrave ku ato banonin. Një hulumtim i kujdesshëm, sillte në kufi ushtarë të bindur ndaj regjimit, me origjina komuniste të garantuara, të ushqyer skajshëm me urrejtjen ndaj “armikut”, qoftë ky i jashtëm apo i brendshëm. Ky agjitacion, që derdhej mbi trutë e tyre, shto edhe injorancën apo paformimin e atyre që mbanin në duar “Kallashnikovët”, i bënte ata një instrument të rrezikshëm në duar të pushtetit.

Çdo “shkelës kufiri”, nga brenda apo “diversant” nga jashtë, kishte krijuar tmerrin për kufitarët.

Ata duheshin arrestuar, apo duheshin ekzekutuar. Mbi të gjitha këto, propaganda kishin krijuar edhe mitet për “kufitarë trima”, për të tjerë, që kishin dhënë edhe jetën për të mbrojtur “fitoret”, për pionierin Nik Pjetër Ndreka, që ishte vrarë nga “diversantët”, etj. Po ashtu, dekoroheshin “për vigjilencë dhe trimëri” fshatarë të zonave kufitare, që bënin të mundur kapjen e “shkelësve”. Përveç forcave kufitare, në ndihmë të tyre ishin edhe forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, nënrepartet dhe repartet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe MPB-së. Për çdo kufitar, Shqipëria, ishte një parajsë dhe bota jashtë një ferr i të këqijave. Shërbimi në kufi, bëhej në formën e patrullimit sipas rastit në tokë, liqen apo det. Pikërisht këtu mund të ndodhte edhe përplasja e atyre, që donin të arratiseshin, me ata që ishin caktuar, për të mbajtur të fortë gardhin komunist në vend. Struktura e një poste kufitare, përbëhej nga komandanti, komisari, nënoficeri i shërbimeve, nënoficeri i qenit dhe ushtarët. Afër çdo poste kufitare ishin të gatshme forca vullnetare vendore. Kufiri para se të shkohej në vijën zyrtare ndërmjet dy shteteve ishte i rrethuar nga një gardh me tela që quhej klon. Kjo ishte sinjalistika për çdo kalese, që mund të bëhej. Më 2 shkurt 1989 anëtari i Byrosë Politike Simon Stefani për herë të parë emërohej zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Kjo ministri kaloi në një organizim të ri.

Zëvendësministrave, iu ndryshuan profilet dhe varësitë e drejtorive. Ndërsa Drejtoria e Kufirit, ndryshoi emërtesë, duke u bërë Komanda e Forcave të Kufirit. Simon Stefani, ishte personi që më së shumti tregoi zell të madh në ekzekutimet në kufi. Ish saldatori Stefani, i rehatuar prej vitesh në karrigen e pushtetarit, (anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror i PPSH-së) i dha garanci forcave kufitare, se vetëm me vrasje, mund të ndalej eksodi i pandalshëm që kishte nisur. Në korrik 1990, vjen ministër Hekuran Isai. Ky duke parë se vrasjet në kufi, ishin bërë vërtet problem, u mundua që të tilla të mos kishte aq shumë, por realiteti nuk ndryshoi shumë.

Në një informacion të datës 1 dhjetor 1990, të kryetarit të Degës së Punëve Brendshme Gjirokastër, Jorgaq Mihali, për Komandën e Forcave të Kufirit dhe MPB-në, thuhej se gjatë periudhës janar — nëntor 1990, kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, 158 banorë të atij rrethi, 11 ushtarë të kufirit dhe 29 persona nga rrethe të tjera, duke dhënë një shifër në gjithsej, 198 persona. Të kapur ishin gjithsej 113 persona, prej të cilëve, 48 nga Gjirokastra dhe 75, nga rrethet e tjera. “Në zbatim të detyrave e orientimeve të Komitetit të Partisë së Rrethit, në organin tonë u bë diskutimi e ballafaqimi me letrën e Komitetit Qendror të Partisë, drejtuar organizatave bazë të partisë, ku me frymë autokritike, u nxorën të metat e dobësitë për çdo sektor e kuadër dhe u përcaktuan detyrat për eliminimin e tyre e, për të ndërtuar punën për t’ju përgjigjur ashtu siç na mëson shoku Ramiz Alia, veprimtarisë armiqësore aktuale të armiqve të jashtëm e të brendshëm”. Nga diskutimet e ballafaqimet me letrën e Komitetit Qendror drejtuar organizatave — bazë të Partisë, doli se konkluzioni i tërhequr nga Komiteti Qendror, se në këto situata, sulmi kundër socializmit, është më i egër se kurrë dhe kjo qëndron edhe për rrethin tonë” — thuhet në informacionin që kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Peshkopi, Enver Ademi, i dërgon më 12 shtator 1990 sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së, Osman Murati. Ne të njëjtin material, propozohet që kufirin ta marrë në ruajtje ushtria, pasi kishte forca të shumta, për ta bërë një gjë të tillë. Marrë nga “Vrasjet në kufi në vitin 1990”, botuar nga ISKK. /Memorie.al