Dr. Vangjel Kasapi: Kiço Janku, lider në biografinë e Artilerisë Kundërajrore

1267
Ndodh që nisesh të rrëmosh në historikun e një arme dhe shfleton natyrshëm jetën dhe karrierën ushtarake të një njeriu. Nuk janë thjesht vitet e shumta të shërbimit pranë saj, por kontributet e veçanta të ushtarakut dinjitoz, që lë shumë nga jeta dhe emri i vet në atë të armës kundërajrore, ku ka drejtuar e shërbyer. Kjo përqasje e personalitetit dhe e biografisë së MKA-së mbart një udhë të gjatë disavjeçare, me një rritje të dyfishtë, ku ushtaraku shembullor ndikon ndjeshëm për ta rritur armën, kur kjo e bën personalitet ushtarak, një kuadër jo më të zakonshëm. Teksa ecën paksa i kërrusur, Kiço Jankut duket se i ka ikur ajo gjallëria e dikurshme, por, gjithsesi, ka mbetur po energjik e impulsiv në bisedë. Nuk është e rastit që në bisedën e parë me Kiçon, vendin kryesor e zë dhimbja e veçantë e tij për shkatërrimin e sistemit të MKA-së të shtetit shqiptar në vitin e mbrapshtë 1997 e këndej. “U rrënua një armë e tërë komplekse dhe perfekte, e cila u konsolidua për vite e vite të tëra me shumë sakrifica e fonde, duke u bërë sa masive aq edhe perfekte dhe e sigurt për mbrojtjen e hapësirës ajrore”,- analizon me keqardhje kryeartiljeri Kiço Janku. Njeriu fisnik mbetet gjithmonë i tillë, pavarësisht nga kushtet e jetës. Kjo ka qenë dhe mbetet cilësi e individit të ndërgjegjshëm e atdhetar që gjithçka nga vetja e vuri në shërbim të detyrës. Kritika e tij është në raport me pozicionin e përgjegjësisë që ka pasur. Ish-komandanti i MKA-së së Ushtrisë Shqiptare në vitet 1960-1975 shërbeu në një periudhë kur kjo armë arriti nivelet më të larta të kompletimit, pajisjen e saj me armët më moderne të kohës dhe sasinë e nevojshme të mbrojtjes së hapësirës ajrore e lirisë kombëtare. Më shumë se kritikë për atë që ndodhi në armën e tij, ai përjeton brengën e një dhembjeje të madhe. Kur e pyesin për udhën e mundësitë e pajisjes së ushtrisë shqiptare me një sasi e llojshmëri të konsiderueshme armësh kundërajrore në një periudhë disavjeçare, ai përgjigjet me mendime tejet koncize dhe objektive: “Nuk e kompletova unë, por shteti shqiptar. Unë bëra vetëm detyrën. Pas një analize që bëmë me specialistët përkatës, e bindëm udhëheqjen e shtetit se kjo sasi dhe llojshmëri armësh ishte e domosdoshme për t’u mbrojtur me çdo kusht nga çdo lloj sulmi ajror. Veçse fillimisht e formonin domosdoshmërinë vetë dhe në fund eprorët tanë. Kishim bindjen se edhe në luftërat e ardhme rolin kryesor do ta luante aviacioni. Për rrjedhojë, sulmet e aviacionit mund të përballoheshin vetëm nëpërmjet ndërtimit të një mbrojtjeje të fuqishme dhe dinamike kundërajrore”. Këto argumente, prej një doktrinari dinjitoz dhe drejtuesi largpamës, bënë që fondet e caktuara për armatim të ushtrisë AKA të zinin mbi 60 për qind të buxhetit. Sigurimi i teknikës dhe i armatimit për AKA-në ishte “A”-ja e problemit. Ardhja e tyre nga Bashkimin Sovjetik dhe Kina u shoqërua me shumë probleme të vështira. Sigurimi dhe përgatitja e kuadrit drejtues komandues, strehimet e nevojshme për këto armë e aparatura, përgatitja e kontingjentit eksplorues për vënien dhe mbajtjen në gatishmëri të tyre etj., kërkonin shumë punë e përgjegjësi. Këto sprova të rëndësishme e të vështira, në radhë të parë binin mbi komandantin e AKA-së, si drejtuesi kryesor i saj, por edhe si specialist i mirëfilltë, i cili për këto armë kishte studiuar me rezultate të shkëlqyera shtatë vjet jashtë atdheut. Në përballimin e këtyre vështirësive që lidheshin me hedhjen e bazave të sistemit të AKA-së me ritme të larta e të shpejta, Kiço Jankun e ndihmoi niveli i lartë teorik e profesional që ai vetë kishte arritur, përkushtimi e sakrifica e specialistëve të përgatitur rishtas, vizioni i qartë e mendimi bashkëkohor për vendvendosjen e reparteve në mbarë atdheun, instalimi i aparaturave, por edhe përvoja si drejtues e kuadër i radhëve të LANÇ-it dhe AKA-së. Parësor ishte problemi i kompletimit të shtabit të AKA-së me komandantë dhe specialistë të aftë që e ndjenë përgjegjësinë e detyrës, jo vetëm me bindjen ndaj ligjit e rregulloreve, por që japin gjithçka që të mësojë, drejtojë e frymëzojë vartësit e tyre oficerë e ushtarë. Përgjegjësia është karakter, por dhe kurajë. Përzgjidhja e kuadrove më të zotë profesionalisht, më kërkuesit në detyrë dhe më organizatorët mundëson në ndjekjen e veprimtarisë.
Kryerja e detyrave
Kryerja e detyrave kërkonte punë të vazhdueshme deri 24 orë në ditë, por shpejt erdhën arritjet e para; koeficienti i gatishmërisë së armës së AKA-së ishte 100 për qind, u zgjeruan njësi e reparte të tëra, si dhe u perfeksionuan specialistë të aftë. Gjithë konsolidimi i plotë i armës kundërajrore përshkuan edhe karrierën më vitale e të suksesshme të Kiço Jankut, ku ka mjaft stacione, nga të cilat mund të evokosh jo thjesht portretin dhe udhën e rritjes dinjitoze të një komandanti të suksesshëm, që ka lënë emër në historikun e ushtrisë, por edhe biografinë e rritjes së kësaj arme shumë të rëndësishme për mbrojtjen e hapësirës ajrore. Ndër ta, stacioni i përpunimit të “teatrit të mbrojtjes kundërajrore” të kryeqytetit të Tiranës, i porteve, aeroporteve, veprave të mëdha dhe qyteteve të mëdha gjeostrategjike, mbart autorësinë e mendimit dhe drejtimit të Kiço Jankut. Këto janë përjetuar si arritje të mëdha jo thjesht të armës së AKA-së, por të gjithë ushtrisë. Një kapitull më vete është kontributi i mendimit të tij në ndërthurjen e mbrojtjes kundërajrore me aviacionin dhe armët e tjera dhe shtimi i vazhdueshëm i kalibrave të armës së AKA-së, që nga mitralozat IMKA dhe dhjetëra topat kundërajrorë (KA) të kalibrave 37, 57, 85 e 100 m/m e deri te raketat tokë-ajër, ekuivalent me ushtritë në Ballkan.
Zhvillimi i stërvitjeve komplekse
Zhvillimi i stërvitjeve komplekse në të gjitha njësitë dhe repartet KA, rezultatet e qitjeve me të gjitha llojet e kalibrave, ku vlerësimet rrallë zbrisnin në nivelin “Mirë”, si dhe zhvillimi për herë të parë në Shqipëri i qitjeve me raketa tokë-ajër janë një pjesë e udhës dhe e biografisë së AKA-së. Një pjesë të këtij kontributi e ka dhënë edhe komandanti të saj i shquar Kiço Janku, i cili për një periudhë 30-vjeçare pune të zakonshme u shndërrua si rol përcaktues në konsolidimin e armës KA dhe në një leksion të hapur për breza të tërë artiljerësh, që i lidh misioni me ruajtjen dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit. Duke vlerësuar rolin e komandës dhe të shtabit të AKA-së, Kiçua u vu në krye të punës për hartimin e rregulloreve, instruksioneve e manualeve teorike e instruktive, për përkthimin e literaturave të huaja në përgatitjen e teksteve metodike për kuadrot e baterisë dhe avionit për qitje. Ai ishte nismëtar e drejtues i revistës “Roja i ajrit” me objekt zgjerimin e njohurive tekniko-shkencore dhe arritjet e njësive të AKA-së. Kjo revistë u shërbeu kuadrove të të gjitha armëve kundërajrore, ndërsa Kiço Janku në biografinë e AKA-së mbahet mend si “komandanti mjeshtër për përgatitjen e shtabeve me specialistë e ekspertë të aftë. “Kur diskutohej për oficerë të veçantë,- thotë ai,- dhe ngriheshin probleme, nuk pranoja të vazhdonte diskutimi. Prezencën e atij për të cilin diskutohej e kisha bërë një normë ballafaqimi që sillte nxjerrjen sa më objektive të problemit për vazhdën e punës së mëtejshme.” Të gjithë komandantët e njësive KA që drejtuan në periudhën e komandantit Kiço Janku, si N. Gjinikasi, P. Prifti, M. Përtena, K. Doko, J. Isaia, Th. Mamillo, B. Burimi, Zh. Vreto, F. Toçi, C. Rama e shumë të tjerë e vlerësojnë atë për talentin që shfaqte në mësimdhënie dhe ia dedikojnë atij një pjesë të madhe të suksesit e karrierës së tyre. “Teknikat dhe armët e reja që erdhën kërkonin mënyra të reja pune, dije e aftësi të zhvilluara, veti këto që në radhë të parë i manifestonte në mënyrë të shkëlqyer vetë komandanti i AKA-së. Efektiviteti i AKA-së kërkonte një lidership të mirë si Kiço Janku”,- thotë Koço Dokoja. Një nga të rejat që futi në organizimin e punës së gjithë strukturave të AKA-së ishte vendosja e shtabit të AKA-së në rol të rëndësishëm në marrjen e vendimeve. “Lufta nuk është aktivitet i veprimeve të rastësishme. Ajo kërkon shtabe të përgatitura mirë, një drejtim profesional që arrihet me zotërim dijesh bashkëkohore,- shprehet ish-komandanti Kiço. Lënia në harresë e artilerisë KA kohët e fundit, nga disa drejtues ushtarakë, duke e justifikuar se është një armë anakronike, është e dëmshme dhe me pasoja. Shteti ynë duhet të ketë bindjen se në çdo luftë lokale armët konvencionale kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe këtu një rol të madh kanë edhe armët kundërajrore”. Mënyra e arsyetimit dhe logjika me të cilën ai e bën argumentimin, tregojnë më së miri lidhjen e jetës së tij pazgjidhshmërisht me armën, në të cilën shërbeu dhe dëshirën e tij, që AKA-ja të ngelet gjithmonë një strukturë pararojë në strukturën e përgjithshme të mbrojtjes së hapësirës ajrore të Shqipërisë.
Sigal