Një ndër publicistët më të njohur, Kim Mehmeti në një intervistë tha se kryeministri shqiptar po e ndihmon Aleksandër Vuçiçin për të krijuar atë që Mehmeti e quajti “Serbosllavinë”. I pyetur lidhur me atë se çfarë duhet të bëjë Rama për qëndrimin në raport me Kosovën Kim Mehmeti tha se Rama duhet thjesht të ketë turp. “burrështetas që qenkan kaq të mirë për të huajt, por për ne nuk vlejnë asnjë lek” – tha Kim Mehmeti. Pyetjes se: Ku po gabon Rama?- Mehmeti i’u përgjigj: “Unë e kam një parim, vëllai juaj mund edhe të mos jetë i tillë siç e dëshironi ju, por atë ju ka lindur nëna dhe s’mund ta ndërroni… dhe s’mund që para vëllait tuaj asnjëherë të vendosni ndonjë tjetër, aq më shumë nuk mund ju t’ia ktheni shpinën vëllait tuaj, kur ai ka ndonjë problem, ka ndonjë të keqe që i ka ardhur në shtëpi dhe atë e bën vetëm vëllai i keq. Kjo është ajo që më bën që të jem kritik, të mendoj se nuk është asgjë normale. Në rrethana ku Kryeministri i Kosovës lufton me armikun tënd shekullor, jo me ndonjë problem që i ka dalë sot për sot që ne nuk e kemi ditur, ju të vazhdoni ende të mbani qëndrime, të cilat do ju shpallin si mendjehapur, si njeri të matur. Ajo do të thotë që ti je pervers në sjelljen tënde politike. Ajo shpreh vetëm monstruozitetin, pandjeshmërinë ndaj asaj që i ndodh një pjesë të popullit tënd, sepse edhe po të jetë e gjitha ashtu si ti e paramendon, ju nuk mund të silleni ashtu, ju nuk mund t’i shpëlani mëkatet armikut të popullit tënd dhe kjo është një absurd që këtë e bën vetëm “Dodiku i Shqiptarëve”. Ai në një farë mënyre, presidentit të Serbisë, ia kryen atë punë që ia kryn Dodiku në Bosnjë, që është i dëgjueshmi i Presidentit Serb dhe ky del që të jetë “Dodiku shqiptar” i Presidentit Serb… dhe ky nuk guxon që Presidentit Serb t’ia prish me asgjë… Shikoj që ai është më afër me Beogradin sesa me Prishtinën, që është një gjë perverse. Shikoj që ai është më i kujdesshëm ndaj Vuçiç sesa ndaj kryeministrit të Kosovës, që është diçka monstruoze dhe të gjitha këto t’i shikosh dhe të mos i thuash, është mëkat.” – tha Kim Mehmeti. Më tej i pyetur se përse mendon që Rama mban një qëndrim të ftohtë me Kurtin, publicisti i përgjigjet: “Vuçiç-in Kryeministrin e Shqipërisë, Opozitën e Kosovës i bashkon urrejtja ndaj Kryeministrit të Kosovës, sepse është i vetmi kryeministër i pashantazhueshëm, sepse ai ka ideal.

Ideali i tij është që ky popull edhe pse mund të jetë i vogël, të mos jetë i mjerë, të mos jetë pa dinjitet. Ne jemi të vegjël, ne jemi të varur nga SHBA, Bashkimi Evropian. Po ne s’mund të jemi aq të mjerë sa të mos kemi dinjitet sa të themi që sa herë që kërkoni të na gënjeni, ne të kërkojmë të shkojmë të protestojmë para Ambasadës Amerikane e të themi:“Na shpëtoni se do të hamë dajak!”. Le të themi edhe “Jo”, le të themi që ne nuk trembemi, se ne jemi të gatshëm ta realizojmë atë që duhet. Për një njeri që do të ketë shtet e do që të ketë liri. Liria dhe shteti janë gjëja më e shtrenjtë dhe paguhen më shtrenjtë. Ato nuk mund t’i kesh dhuratë nga të tjerët. Nuk mund shteti, të ndihmojë shumë veta që të ndërtosh shtëpi, por shtëpinë ti duhet ta mirëmbash. Nuk mund të vijnë ata që të kanë ndihmuar të rregullojnë edhe dhomën e gjumit, edhe të të tregojnë sesi duhet të flesh, edhe dhomën e fëmijëve sesi duhet të flenë fëmijët, edhe sallonin… Shteti është i yti! Liria është gjëja më e shtrenjtë. Jo më kot, për liri japin edhe jetën njerëzit… Ai që ta merr lirinë, t’i ka marrë të gjitha dhe prandaj ngulmi i Serbisë, që Veriun e Kosovës ta shndërrojë në një “Republika e Re Serbska”, sepse ai me atë të merr lirinë e Kosovës. Pse ta merr lirinë? Sepse sa herë që do mund të destabilizojë shtetin. Edhe ai që ta ka marrë lirinë, t’i ka marrë të gjitha.” – tha Kim Mehmeti. I pyetur lidhur me mendimin e tij se çfarë duhet të bëjë Edi Rama për qëndrimin në raport me Kosovën, publicisti dhe shkrimtari i njohur kthen këtë përgjigje: “Duhet thjesht të ketë pak më shumë turp. Duhet ta kthejë turpin duhet ta di që ka disa gjëra të turpshme. Që të jesh kryeministër, nuk do të thotë që mund të bësh çdo gjë! Të jesh kryeministër i Shqipërisë është përgjegjësi. Që të jesh kryeministër i mëmëdheut shqiptar është përgjegjësi e madhe dhe kërkon nga ai që të ketë pak turp mos më shumë dhe të ndihesh përgjegjës domethënë mund të mos t’i kesh të gjitha, por për hir të popullit, që përfaqëson, ti duhesh të bësh pak, nuk duhet të ulesh deri atje sa të na thuash ne shqiptarëve ‘që patriotizmi është i turpshëm, që ndjenja etnike qenka e turpshme, ne duhet te jemi’… Pse vetëm ne u dashka në këtë Ballkan të jemi kozmopolit? Pse nuk kërkohet kjo edhe prej të tjerëve? Pse vetëm Kryeministri i Shqipërisë është kozmopolit? Pse nuk është Presidenti Serb kozmopolit? Pse nuk është Presidenti Grek kozmopolit? Pse nuk është Presidenti i Maqedonisë? Pse nuk është kozmopolit? Nga na dolën, nga na dalin ne këta drejtues apo burrështetas tanë, që janë aq të mirë për të huajt dhe për ne nuk vlejnë as pesë pare, as pesë lek që ta kuptojë edhe Kryeministri i Shqipërisë. Pse? Mbase të tillë i bën inferioriteti. Mbase të tillë i bën ajo, ndjenja që ne të jemi të pëlqyer nga të tjerët e jo nga populli ynë. E kam thënë njëmijë herë, ne duhet të kemi drejtues shteti pro-shqiptar, ne si popull do jemi pro-perëndimor, do jemi pro-amerikan e nga ata, kërkohet vetëm të jenë pro-shqiptar. Kryeministri i Shqipërisë duhet të shoh përparësitë që i jep interesave shqiptare. Nuk mund të ndërtosh Ballkan të Hapur me shqiptari të copëzuar e të mbyllur. Me shqiptari që ta ka mbyll ai Presidenti Serb, ta ka mbyll një pjesë të popullit të luginës së Preshevës dhe bën ç’të dojë me të atje. Kemi në Malin e Zi një Kryeministër Shqiptar i cili s’ka rregulluar mbiemrin e vetë e jo të rregullojë gjërat e shqiptarëve. Ne sot si shqiptari, kur thuajse komunikojmë me njëri-tjetrin, nuk mund të ndërtojmë një të sotme të barabartë. Ne mund të jetojmë në më shumë shtete po ne s’mund të kemi koncepte të shqiptarëve të Shqipërisë, shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi. Ne, nuk mund të kemi shqiptarë malazez, shqiptarë serb, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë kosovarë e shqiptarë shqiptar. Ne duhet të kemi vetëm shqiptar. E normalisht të drejtat tona qytetare, do i realizojmë ne të Maqedonisë, në Maqedoni, ata të Malit të Zi në Malin e Zi. Mirëpo nuk mund vetëm nga ne të kërkohet kozmopolitizëm, vetëm nga ne të kërkohet të jemi paqësor. Prandaj të tjerët përfitojnë nga kjo. Pse s’janë paqësor? Nuk e shihni çfarë ndodh sot. Sot Serbia merr shpërblime se është e keqe, jo se është e mirë. Domethënë i bie puna që më shumë paguhesh të jesh destruktiv sesa të jesh i njerëzishëm edhe të jesh i matur.” – tha ndër të tjera Mehmeti. Gjatë intervistës së tij Mehmeti tha edhe se: “Mund edhe të ndodhë që të fortët e kësaj bote të vendosin ta ‘shpërblejnë’ Serbinë duke e barazuar kryeministrin e Kosovës të dalë nga burgjet serbe me Presidentin Serb, që projektoi zhdukjen e jo-serbëve, por është monstruoze që një gjë të tillë ta bëjë Tirana zyrtare…”





















