Prof. Përparim Kabo: Ajo është drama me titull “Heshtja”

41
Sigal

Autori??

Autori nuk dihet…, është i fshehur. Mund të jetë edhe një grup, mundet edhe një pasion i verbër. Por drama është shumë e çuditshme. Ajo nuk ka tekst, pra, nuk ka dialogë, monologë apo biseda në grup. Heshtje do të thotë “ pafjalësi”, një lloj memecllëku.

Kjo dramë , edhe pse e tillë, ka objekt dhe subjekt. Madje ka një subjekt- objekt. Në qendër është një hije 100- vjeçare, e cila vjen nga bota e përtejme. Vjen…, sepse sot mbush 100 vjeç.

Një pjesë të këtij shekulli e kaloi në jetën e sosur…, pjesën tjetër, në jetën e pasosur. Si quhet?

Hije e bukur e skenës! Kohët e fundit e ripashë në youtube , te drama “ Hijet e natës”, të autorit Vedat Kokona. Kishte partnere yllin e skenës, Drita Pelinkun. Jashtë bëhej luftë, por brenda kishte shumë ankth…

“Ku do i fshehim florinjtë?”…

Diku quhet Bektash Shkoza, diku Abdyl Frashëri, diku Princ Hamlet…, por kryeemri i tij skenik është Arturo Ui, me devizën: “Kokën lart, djema!”

Në film ka disa emra, por ai që mua më pëlqen më shumë është “Parandili i pakët si kandili”…

E pra, sot Kadri Roshi i Madh mbush 100 vjeç…

Drama “ Heshtja” u realizua për nder të tij.

Kujtimet nuk vlejnë…, as kujtesa…

Nuk thuhet kot se “Fati i kulturës” është në duart e kujtesës. Në këtë dramë takon heshtjen e artistëve të vjetër, të mesëm dhe të rinj. Të tri palët janë të lodhur. Ata as e dinë se ku e ka derën e shtëpisë apo banesën e fundit. Kinemaja që mban emrin e tij në Kuçovë, nuk u hap sot.

Edhe dikush që premtoi se do financonte për një statujë të tij, që do vendosej para kinemasë, u tërhoq. Në Univetsitetin e Arteve nuk u mbajt simpoziumi shkencor me titull “Arti i Kadri Roshit në tri dimensione: lojë artistike, përjetim emocional dhe ndërtimi i karaktereve”.

Sa pashë tv sot, jo shumë, sigurisht, nuk gjeta gjë…

Edhe atje u luajt drama “Heshtja”

Pashë lajme për normalë, gjysmë normalë, aspak normalë dhe tejet anormalë…, por për Kadri Roshin jo, asgjë, as edhe një fjalë…

E pse duhet folur për të?! Pak gjëra të tjera shumë të rëndësishme kemi ne?! Arti???

Po ç’na duhet arti?! Një popull i edukuar me art, ka indin e ndryshimit, ndryshimi ushqen shpirtin e protestës, kjo ngre valën e revoltës dhe revolta emancipon shoqërinë. E dimë ne se sa art duhet…, me pikatore. E dimë ne sa kujtesë duhet! Na duhet amnezi!

Po artistët e shquar, pse na duhen?

Jo, jo…, krijojnë kulte jashtë politikës, i bëjnë hije udhëheqësve.

Ata si Kadriu ynë i Madh, janë personalitete publike dhe bëjnë jo thjesht hije, por Eklips.

Eh…, eklipsi na zë dritën dhe njerëzit pelegrinojnë kah tempullit. Ndaj urdhri suprem: Të realizohet kudo dhe ngado drama tragjike” HESHTJA”!

Na fal Kadri, mbase në pranverë diçka do bëj për ty në Pragë, atje ku studiove…, do ta shpie një film. Atje, në universitetin ku ti studiove…

Bëre mirë që nuk erdhe në këtë 100- vjetor, Kadri Roshi! Shumë dëshpërim do merrje pas. Mund të takoje edhe pyetjen: “ Kush jeni ju?”

Duhen pritur kohë të tjera, mjeshtër!…