Dështimi me Ballkanin “shkarkon” Escobar

14

Rënia e të dërguarit të SHBA-së në Ballkan, flasin njohësit e diplomacisë rajonale: Diplomati dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Agim Nesho, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi dhe Nezir Kraki pedagog në Universitetin e Parisit

Sigal

Publikimi i lajmit se se Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar është shkarkuar u hodh poshtë nga Departamentit amerikan i Shtetit. DASH i tha Zërit të Amerikës se Escobar, do të lëvizë gjatë javëve në vijim për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohe.

“Zv/ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt,” thuhet në njoftimin e zëdhënësit.

Reagimi i Departamentit të Shtetit erdhi pas publikimit në platformën pak të njohur dixhitale ‘Frontliner’, me autor Vedat Xhymshitin, i vetë-identifikuar si gazetar, ku pretendon se i dërguari Escobar është shkarkuar nga pozita e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor për shkak të, siç pretendohet në shkrim, konfliktit të interesit që komprometon pozitën e tij si ndërmjetës neutral në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në deklaratën për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i DASH, i hedh poshtë pretendimet e zotit Xhymshiti “si pretendime të rreme lehtësisht të verifikueshme.”

Në postimet e tij në rrjetin X dhe shkrimet e tij, zoti Xhymshiti pretendon se diplomati amerikan Escobar është larguar nga detyra si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së zotit Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.  “Vudi Xhymshiti së fundmi ka bërë një numër deklaratash në internet për zotin Escobar, të cilat janë të verifikueshme si të rreme. Përkundër pretendimeve të zotit Xhymshiti, bashkëshortja e zotit Escobar kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe zoti Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP,” thuhet në deklaratën e DASH.

 “Ato helmojnë diskursin shoqëror, thellojnë ndasitë dhe paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tonë”

Zëdhënësi thekson se Departamenti amerikan i Shtetit “fuqimisht mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rrugën për vendosjen e marrëdhënieve paqësore dhe produktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Uashingtoni është në të njëjtën linjë me partnerët evropianë dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut, përfundon njoftimi i zëdhënësit të DASH.

“The Frontliner” shkruante në investigimin e saj se Gabriel Escobar-i, zv/ndihmëssekretari i SHBA-së, është liruar nga detyrat si i dërguar në Ballkanin Perëndimor. Ky veprim sipas kësaj medie vinte pas një pune të hollësishme hetimore të revistës THE FRONTLINER, e cila zbuloi konflikte të mundshme interesi dhe hodhi dyshime mbi integritetin e tij diplomatik.

Raporti i publikuar nga THE FRONTLINER detajonte pretendimet për lidhje financiare midis familjes së Escobar dhe organeve qeveritare serbe, duke sugjeruar një komprometim të neutralitetit të tij në dialogun e ndjeshëm Kosovë-Serbi. Ky dialog është vendimtar për paqen në Ballkan, një rajon i dëmtuar nga konfliktet etnike dhe paqëndrueshmëria politike.

Duke marrë parasysh të gjithë pretendimet, edhe mediat serbe nuk mbetën duarkryq. Tanjug kërkoi përgjigje zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të mësuar nëse Escobar ishte shkarkuar ose jo nga detyra si i dërguar i posaçëm për rajonin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të pyetjes së Tanjug, nëse mund ta konfirmonte lajmin e publikuar nga portali britanik tha se e gjitha është një lajm i rremë. Sipas tyre, ai nuk është shkarkuar nga detyra, por thjesht duhet të ndryshojë post, pasi mandatit të tij po i vjen fundi.

“Të gjithë diplomatët e karrierës jashtë vendit ndërrohen çdo një deri në katër vjet, që është një praktikë e rregullt. Si oficer diplomatik, Escobar ka qenë në pozicionin e tij aktual për tre vjet dhe është planifikuar të kalojë në detyrën e tij të radhës në javët në vijim. Deri sa  tranzicioni të ndodhë, ai do të qëndrojë në pozitën e zëvendësndihmës sekretarit në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor,”-thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Tanjug.

Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar u emërua në detyrë në vitin 2021 dhe e njeh shumë mirë situatën në Ballkan. Ai flet disa gjuhë, përfshirë edhe serbishten, dhe që nga viti 1998 ai ka mbajtur pozicione të njëpasnjëshme në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali të Zi. Escobar, një diplomat karriere, është nderuar gjashtë herë nga Departamenti amerikan i Shtetit me Çmimin e Lartë të Nderit dhe një herë me Çmimin për Merita të Larta. Ai po ashtu është nderuar nga DASH-i për Çmimin për Shërbimin Civil si dhe ka marrë Çmimin për Shërbim Ushtarak. Po ashtu, ai ka mbajtur pozita të larta në Ambsadën amerikane në Bagdad, në La Paz, Peshavar si dhe ka qenë udhëheqës i ekipit amerikan për rindërtim në Kirkuk të Irakut.

Enver Bytyçi: Shkoi edhe Escobar? Por Escobarët nuk mbarojnë!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi për gazetën Telegraf: Diplomacia amerikane bazohet në parimet dhe rregullat e pragmatizmit politik. Si e tillë, ajo ndryshon vazhdimisht, sipas konjukturave të zhvillimeve ndërkombëtare. Prej disa vitesh kjo diplomaci ka ndryshuar kahjen në rajonin e Ballkanit në kuptimin se është bërë më luajale dhe kërkon që të operojë përmes një metode tipike që pranohet vetëm në konceptin e pragmatizmit.

Këto ditë ka dalë në sipërfaqe çeshtja Escobar. Gabriel Escobar është i njohur për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe për të gjithë rakonin tonë. Nga shtatori i vitit 2021 ai është i ngarkuar i SHBA-ve për Ballkanin Perendimor. Atëherë ai zevendësoi diplomatin tjetër, Palmer. Të dy këta patën një lidhje të ngushtë me Serbinë nga ana e grave. Palmeri e njihte shumë mirë dhe gjuhën serbe. Gjithnjë e kam vrarë mendjen se pse ndodh gjithnjë që ndërmjetësit amerikanë në Ballkan të jenë me lidhje specifike familjare me serbët dhe Serbinë. A është kjo një rastësi, apo është pjesë e diplomacisë pragmatike amerikane.

Ndërmjetësit quhen të tillë, sepse ata ndërmjetësojnë dy ose më shumë palë në konflikte. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë Palmer, Escobar dhe të tjerë kanë negocuar për uljen e tensioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Që kur në Shtëpinë e Bardhë erdhi Barak Obama diçka ndryshoi në raportet e Uashingtonit me Beogradin. Problemin e saj e la në dorë të disa diplomatëve, të cilët gradualisht u bënë objekt i lobimit serb dhe anuan nga ajo. Në kohën e Barak Obamës nisën ato që fillimisht u quajtën “bisedime teknike”! Pastaj o bënë politike e madje kontestuese për shtetësinë e Kosovës. Barak Obama dhe administrata e tij imponuarn krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.

Por edhe në tetë vitet e fundit pa Barak Obamën, SHBA-të vazhdojnë ta thellojnë interesin e tyre për Serbinë dhe të tërhiqen nga ky interes për Kosovën. Iu vunë punës që Serbia të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike. Dhe ndoqën rrugën e kulaçit, të karemit për ta peshkuar Serbinë në këto struktura. Skërrre në lëtë karem u përdor edhe Edi Rama. Por diplomatët e ngarkuar do të duhej patjetër të ishin miqtë e Serbisë. Palmer, Escobar e të tjerë, deri te Lu, Kim në Shqipëri, u zgjodhën për të bërë atë që Vuçiq dhe Edi Rama e qiajtën “Pajtimi dhe vëllazërimi shqiptaro-serb”! Rama, Thaçi, Ali Ahmeti, Baton Haxhiu e sa e sa të tjerë e kanë artikuluar nevojën e këtij “pajtimi” pa kushte për Serbinë shumë herë. Madje qenë të gatshëm që ta arrijnë atë me faljen e territoreve të Kosovës, mbështetjen e minishengenit dhe Open Balkanit e shumë lëshimeve të tjera.

Ne e kemi vënë re se vetëm amerikanët dhe francezët në Europë ishin për shkëmbimine territoreve dhe ndarjen e Kosovës. E dimë gjithashtu se vetëm këto dy diplomaci e mbështetën Open Balkan. Sepse u vunë në funksion të interesave të Serbisë në rajonin tonë. Në këtë kuadër Escobar, Palmer, Juri Kim etj goditën të gjithë politikanët shqiptarë, të cilët ishin kundër këtyre politikave. Shpallën non-grata Sali Berishën, sepse në momentin që liderët e politikës së Kosovës morën kontakt me zotin Berisha, ata u deklaruan kundër ndarjes së Kosovës. Sepse Berisha ishte kundër politikave të dominimit serb në hapësirat shqiptare e në rajon. Kjo është arsyeja e vërtetë e angazhimit aq të fuqishëm të Escobar dhe Palmer kundër opozitës dhe Sali Berishës.

Por edhe me qeverinë Kurti kanë mbajtur deri tani qëndrime gati armiqësore. Pse kjo qeveri nuk pranoi kompromiset e rekomanduara nga Escobar e të tjerë.

Nezir Kraki: Escobar me një qasje totalisht në disfavor të interesave amerikane në Ballkan

Pedagogu në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki: Normalisht që zoti Escobar është formuar diplomatikisht dhe politikisht në sferën sllave , këto 20 vitet e fundit ai ka qenë ekskluzivisht në sferën sllave dhe ka qenë dhe mbetet mik i ekipit që është në listën e zezë amerikane, dhe flet serbishten më mirë se ata ashtu dhe Lajçak, qe do thotë këta të dy janë gjendur në situatë.

Escobar me një qasje totalisht në disfavor të interesave amerikane në Ballkan

Gabriel Escobar nuk është Amerika. Kërkesat e kërcënimet e tij nuk janë amerikane por serbe. Kosova është për zgjedhje te reja ne veri dhe qasja e Albinit është më proamerikane në afat të gjatë sesa qasja e Escobarit i cili është në kërkim të një suksesi personal momental. Nuk është më koha kur rrëzohen e emërohen Qeveri demokratike në zemër të Evropës. Nuk është Kosova, Sudan as Libi. Vjen si kauboj i Teksasit duke abuzuar me fuqinë e Amerikës dhe me miqësinë që ne kemi me të. Miroslav Lajçak nuk është Evropa. Kurrë s’ka qenë. Si ministër i Jashtëm i

Agim Nesho: A ka dështuar politika e jashtme e SHBA në Ballkanin Perëndimor?

Diplomati dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Agim Nesho: Politika e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor ka dështuar në atë pikë sa duhet menjëherë ta rindërtojë një strategji të re. Ajo ka dështuar kur ka mbyllur sytë para armatosjes ekstreme të Serbisë me raketat kineze, aeroplanet dhe shtrirjen e inteligjencës ruse në Ballkan; ajo ka dështuar kur nuk ka sanksionuar Serbinë për sulmin terrorist të sponsorizuar në Banjskë dhe veprimtarinë e Serbisë për të mbajtur veriun e Kosovës një konflikt të ngrirë; ajo është treguar tolerante kur ka lënë Serbinë të vetmin shtet në Europë që nuk ka pranuar sanksionet kundër Rusisë revizioniste; ajo ka dështuar duke i besuar projekteve të Alex Soros dhe autokratëve ballkanikë Vucic-Rama për stabilitet dhe paqe në Ballkan.

Gjithmonë kur gazetarët e guximshëm kanë investiguar në politikën amerikane presioni është bërë ndaj gazetarëve për të treguar burimet. Investigimi ka shumë vlerë. Është i detyruar me llogjikën e paraqitjes së fakteve që ka një konflikt interesi. Eskobar u përzgjodh nga vetë ambasada amerikane në Serbi. Me këto gjetje, amerikanët duhet ta investigojnë këtë gjë.

“Ajo që është një skandal është çështja e ekspozitës. DASH duhet të bashkëpunojë me gazetarin e Frontline për të verifikuar faktet, pasi përfaqësuesi i tyre për të gjithë zonën e Ballkanit duket hapur që ka konflikt interesi. Bashkëbisedimi është me autorin e shkrimit”

Krijimi i qeverisë së re të Serbisë dhe evidentimi i figurave ultra nacionaliste proruse si Vulin është një goditje e fortë për politikën perëndimore dhe strategjisë së saj për të afruar Serbinë drejt BE-së. Dashamirësisë së ambasadorit amerikan Hill, që thoshte se ‘Serbia është më pranë NATO-s se Kosova’, nacionalistët e Vuçiç iu përgjigjën me një arrogancë të shfrenuar duke promovuar Vulin, nacionalistin serb të hapësirave serbe, njeriun e dekoruar së fundmi nga Putin me dekoratën më të lartë, nacionalistin që hapur ka kërkuar që Serbia ti bashkohet aleancës së Global South dhe vendeve me axhendë anti-perëndimore.