Projektligji për studentët/ Forum në Telegraf me Dhurata Çupi, Ndue Pjetra dhe Apostol Vaso: Projektligji për studentët e mjekësisë devijon dhe cënon elementet demokratik dhe ligjor të shtetit

28
Sigal

Studentët duhet të trajtohen si misionar jo si punonjës. Kjo mazhorancë nuk respekton ligjin dhe nuk ka vullnetin të zbatojë vendimet e GJK. Ja propozimi ynë

Forum/ Flasin Dhurata Çupi, Ndue Pjetra dhe Apostol Vaso:

Projektligji për studentët e mjekësisë devijon dhe cenon elementet demokratik dhe ligjor të shtetit

-Kjo mazhorancë nuk respekton ligjin dhe nuk ka vullnetin të zbatojë vendimet e GJK

– Në formularin e aplikimit studentët duhet të pyeten nëse kanë plane për të ikur jashtë shtetit apo jo!

– Studentët duhet të trajtohen si misionar jo si punonjës

Albert Z. ZHOLI

A është i drejtë projektligji i qeverisë për studentët e mjekësisë? Disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë, që i detyronte këta të fundit që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar ndryshimet në ligj. Argumenti i Gjykatës Kushtetuese se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite. Afati është ulur edhe për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, nga 3 vite që parashikonte ligji më parë, në 2, dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë, që ligji parashikonte dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë duke e ulur me një vit. Ndryshimet në ligjin e hedhur për konsultim, zgjidhin edhe boshllëkun që sipas Gjykatës Kushtetuese kishte ligji, për studentët, që shteti nuk i punëson brenda vitit pas përfundimit të studimeve. “Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike.”- thuhet në projektligj.

Avokat Ndue Pjetra:

Në formularin e aplikimit studentët duhet të pyeten nëse kanë plane për të ikur jashtë shtetit apo jo!

Duke qenë se profesioni i mjekut nuk konsiderohet punë, por konsiderohet mision dhe ligji ka për qëllim t’i trajtojë si aset kombëtar, është e padrejtë dhe e pandershme që të studjojnë për 6 vite në Shqipëri dhe dijet e tyre t’i vënë në funksion të një shteti tjetër, konsideruar që pranimet bëhen me koeficient. Për mendimin tim, përpara se të aplikojnë studentët duhet të pyeten në formularin e aplikimit nqs kanë plane për të ikur jashtë shtetit apo jo, nqs po të mos pengojne studentët që duajnë të qëndrojnë në atdhe duke i zënë vendet nëpër universitete. Sipas aplikimit të mirret vendimi.

Dhurata Çupi-juriste (deputete PD): Kjo mazhorancë nuk respekton ligjin dhe nuk ka vullnetin të zbatojë vendimet e GJK.

Vendimi nr. 1, datë 25.1.2024, shpallur më 26.2.2024, nga Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje nga 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nga një grup studentësh të Fakultetit të Mjeksisë. Gjykata Kushtetuese ka vendosur: “1. Pranimin pjesërisht të kërkesës. 2. Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 2, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. 3. Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e pagesës së periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. 4. Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. 5. Heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”. Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ditën e hënë datë 20 Maj, do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit në Kuvend, drejtuar nga Unë. Në këtë mbledhje do të vendoset nëse do delegohet në Këshillin e Ministrave për të pregatitur projekt ligjin duke reflektuar Vendimin e GjK, apo do të delegohet në Komisionin përkatës përgjegjës në Kuvend. Si opozitare do më duhet të citoj që kjo mazhorancë nuk respekton ligjin dhe nuk ka vullnetin të zbatojë vendimet e GJK. Dhe kjo padyshim devijon dhe cënon elementet demokratik dhe ligjor. Ne jemi në krah të studentëve. Kemi qenë ne që kemi firmosur kërkesën e studentëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe do të jemi gjithmonë në krah të tyre. Pasi të njihemi me përmbajtjen e projektligjit, si dhe qëndrimin e studentëve të mjekësisë mbi këtë projektligj, ne do të mbështesim plotësisht studentët, mjekët e rinj të vendit tonë.

Apostol Vaso-mjek: Studentët duhet të trajtohen si misionar jo si punonjës.

Unë jam dakort që mjekët të trajtohen jo si punonjës, por si misionar. Ky ligji ka për qëllim t’i trajtojë ata si aset kombëtar. Nëse ata marrin këtë trajtim nga shteti, qeveria dhe njerëzit, përfitimi është i shumëfishtë. Ka ndryshim të thellë të qenit punonjës me misionar. Aq më tepër kur sot flitet që mjekët janë të kërkuar kudo në botë.