Ing.Ilmi Mancaj: Si u krijua Uzina e Azotikut dhe domosdoshëmria për bujqësinë, që sot importon plehra kimike

17
Sigal

Ne sot importojm plehra azotike për bujqësinë me ҫmime 200-250, herë më të larta sesa kur plehun e kishim nga kombinati i Fierit

Shitja e Kombinatit të Ballshit,  ka sjellë shitjen e naftës jashtë vendit si lëndë e parë “për 5 lekë”

  • – Qeveritë e dy krahëve janë treguar të paafta dhe për pasojë kanë përfituar grabitës, të vendit dhe të huaj
  • – Pasuritë strategjike të kombit duhet ti kenë në dorë shtetet shqiptare për shfrytëzim, ose së paku qeverite të kenë mbi 50% të aksioneve

Ing. llmi Mancaj, New York

Unë jam specialist pēr mjetet bujqësore dhe të transportit, por lidhem me lëndet energjitike, sepse këto mjete nuk kanë kuptim pa karburante. Kështu, edhe bujqësia të cilës ne “i falemi” tre herë në ditë, nuk do të arrinte të prodhonte ushqimin për popullin, pa këto mjete dhe pa karburante. Edhe prodhimi i plehrave azotike, aq te domosdoshme për prodhimin bujqësor, mundsohet nga nafta. Ne sot importojm plehra azotike për bujqësinë me ҫmime 200-250 herë më të larta sesa kur plehun e kishim nga kombinati i Fierit me burime vendore energjetike. Gjithashtu edhe TC me gaz në Vlorë po ndryshket në mungesë të gazit vendor që po e shfrytëzojnë të huajt ! Ne jemi dëshmitarë se ç’ka ndodhur këto 33 vjet të ndryshimit të sistemit në të gjitha fushat e ekonomisë. Qeveritë e të dy krahëve politikë në Shqiperi, filluan reformën e privatizimit integral, por koha tregoi se privatizimi në fushën e pasurive, ne fushen e naftes, jo vetem nuk ka shënuar progres në ekonomine e shqiptarëve, përkundrazi regresi është i dukshëm! Shembulli më i qartë është çuarja për skrap e uzinave të përpunimit të naftës “bruto”, siç është rasti më i fundit i Kombinatit te Ballshit, ç’ka ka sjellë shitjen e naftës jashtë vendit si lëndë e parë “per 5 lekë”! Kjo situatë ka venë në lëvizje specialistët e shkencëtarë atdhetarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro- shqiptar, që janë të pranishëm aty, si shumë të tjerë që nuk janë aty fizikisht, por me shpirt e mendje janë tok me ju, për të parë se ç’duhet bërë, lidhur me burimet tona energjitike, kryesisht të lëndeve djegëse fosile. Qeveritë e dy krahëve janë treguar të paafta dhe për pasojë kanë përfituar grabitës, të vendit dhe të huaj. Korrupsioni duket i pranishëm, ashtu si dhe mungesa e asistencës së duhur tekniko- ekonomike, ngase “specialistë” konsulentë të qeverive arrijnë deri aty sa, naftës tonë t’i ulin vlerën duke e cilësuar te “trashë”! Ndërkaq të trashë nga korrupsioni janë edhe këta “specialiste” dhe qeveritarët qe i kanë përzgjedhur. Kur nafta jonë qënka kaq e keqe, atëhere përse e blejnë të huajt! Uroj që përfundimet e kësaj konference, të shërbejnë si këmbane alarmi për gjëndjen e menaxhimit te lëndeve energjitike. Pasurit gjigante që natyra ua ka falur shqiptarëve me bujari, le ti shfrytëzojm si shina nga ku duhet ecur. Pasuritë strategjike të kombit duhet ti kenë në dorë shtetet shqiptare për shfrytëzim, ose se paku qeverite të kenë mbi 50% të aksioneve, përjashto kërkimet në det.

Pasuri të mëdha

Me pasuritë e mëdha që kemi, me gëlqerorë e dolomite, gjipse e anhidrite, argjila e kaolina, gurë dekorativë karbonatikë, ranorë e ofiolitikë, bazalte, e shkëmbinj bazaltikë,etj. në çdo rreh duhet të hapen karriera për prodhimin e lëndëve të para për ndërtim e infrastrukturë, duke filluar nga inertet karbonatike, deri tek gurët dekorativë, duke ngritur fabrika të reja çimentosh, tullash e tjegullash, kombinate për përpunimin e gjipseve e anhidriteve për prodhimin e allçisë dhe çimentos së bardhë, etj.

Na ishte njëherë Azotiku i Fierit

Azotiku në Fier, një tjetër gjigand i industrisë komuniste, ishte pjesë e një kompleksi të madh dhe punësonte rreth 1200 punëtorë. Paisjet e Azotikut u blenë me financim kinez, pas nënshkrimit të një marrëveshje të posaçme kredie të nënshkruar në vitin 1966. Kredia kineze për Azotikun, ndryshe nga afro 30 vepra të tjera të mëdha industriale, nuk u lëvrua në makineri e pajisje e teknologji nga RP e Kinës, por në vlerë monetare, duke blerë teknologjinë dhe një pjesë të makinerive e pajisjeve nga “Monte Catini” – sot “Monte Edison” një nga firmat lider në industrinë kimike në Itali e në botë, si dhe një pjesë tjetër në Gjermani. Për montimin e teknologjisë dhe vënien në shfrytëzim të veprës kanë punuar së bashku specialistë italianë, kinezë dhe shqiptarë.  Azotiku ishte një nga veprat më madhështore të ndërtuar gjatë periudhës socialiste. Ngritja e Azotikut, të Nitrat Amonit, do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore në atë kohë. Po ashtu edhe nënproduktet e tij, si oksigjeni dhe azoti, do të përdoreshin në industrinë e metaleve dhe atë të shëndetësisë.

Azotiku ishte në vazhdën e projekteve strategjike të zhvillimit të vendit.

Për ngritjen e një Uzine Kimike, Azotike ishte folur qysh në vitet 1957-1958, që do të ngrihej nga ish-Bashkimi Sovjetik. Me prishjen e marrëdhënieve dypalëshe, ky projekt nuk u realizua. Më pas u mendua të lidhej me ish-Republikën Demokratike Gjermane. Por me shkëputjen e Shqipërisë nga ish-kampi socialist, përsëri ky projekt dështoi.

Pas vitit 1961, Shqipëria drejtoi kursin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kinën. Në këto kushte, vendi ynë kërkoi të ndërtoheshin disa vepra të industrisë kimike, metalurgjike dhe hidroenergjetike, ku Kina i  mbështeti projektet e paraqitura. Në këto kushte, qeveria shqiptare në planin e tretë pesëvjeçar 1961-1966, deklaroi objektivat që do të realizonte në fushën e industrializimit të vendit, për kalimin e vendit tonë nga etapa e një vendi bujqësor industrial, në një vend industrial-bujqësor.

Për ndërtimin e uzinës së Nitrat Amonit, shteti i kohës dhe Kina bënë marrëveshje për blerje të makinerive dhe pajisjeve dhe të patentës firmës së prodhimit të industrisë kimike më të fuqishme në botë “Montecatini”, me qendër në Novara të Italisë.

Për të përcaktuar rajonin më të mundshëm, se ku do të ndërtohej Azotiku, specialistët shqiptarë dhe ata kinezë, përcaktuan mundësitë klimatiko-gjeografiko-gjeodezike, por edhe ato ekonomiko-sociale, dhe ato dolën më të përshtatshme në Fier, ku do të ndërtohej edhe TEC-i 100 Mega (100 mijë kV orë).

Fieri ndodhej në afërsi të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz. Në fshatin Kafaraj ishin zbuluar sasi të mëdha ujë të pijshëm, do të ndërtohej së shpejti hekurudha Fier-Rrogozhinë, që do të zgjidhte problemin e plehrave kimike dhe te produkteve të naftës nga Rafineria e Naftës aty pranë. Transporti urban i punonjësve prej 5 km, ishte më i favorizuar. Pas te varianteve, në luginën e Peshtanit, në Levan nëpërmjet Frakullës dhe Kafarajt, në fushën e fshatit Drizë, buzë Gjanicës, u pa më e përshtatshëm ai i ndërtimit në fushën e Drizës.  Më 25 nëntor 1964, në fushën e Drizës, u vendos guri i themelit, që lajmëroi nisjen e punimeve të Azotikut. Për udhëheqjen dhe ndërtim-montimit u ngarkua inxhinier Rrahman Hanku, që më vonë u ngrit në detyrë deri edhe Ministër i Industrisë. Për administrimin e Uzinës, në gusht të vitit 1964, u krijua përfaqësia e Uzinës me inxhinier kimist, Petrika Ballauri, disa muaj më vonë, zv/drejtor u emërua Koço Nika, që vinte nga detyra e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tepelenës.

Për ndërtimin themelor të kolonave të uzinës, atyre të kompresorëve, u angazhuan rreth 3000 punëtorë, midis tyre edhe ushtarë të reparteve të punës që punonin me tre turne.