Studentët i thanë “jo” shkencave natyrore, bien me 43% regjistrimet në këto degë, rriten në “Mjekësi”

13
Sigal

Shifrat më të fundit nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se numri i regjistrimeve në arsim në vendin tonë ka rënë ndjeshëm gjatë vitit akademik 2023-24, me 3.7%. Në total, bëhet fjalë për 533,711 nxënës të regjistruar, nga 554,222 që ishin gjatë vitit pararendës akademik.

Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik. Pra, në vetëm një vit janë regjistruar 20,511 nxënës më pak. Kjo rënie e ndjeshme e numrit të regjistrimeve padiskutim që ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimin e struktrës demografike të vendit tonë, dhe veçanërisht me plakjen dhe me emigrimin.

Por, ndërkohë që shifrat në nivel makro nxjerrin në pah tendencat dhe problemet e mëdha demografike të Shqipërisë sot, në nivel mikro na japin një panoramë të qartë të tendencave të të rinjve sa i përket degës së studimeve. Edhe gjatë vitit akademik 2023-2024 janë konfirmuar tendencat e viteve të fundit, madje me nuanca edhe më të theksuara, sa i përket “braktisjes” së shkencave të natyrës dhe preferencat për degët e mjeksisë.

“Shkenca natyrore, matematike dhe statistikë” është dega që ka regjistruar rënien më të madhe me 43.4% të regjistrimeve. Shkencat sociale dhe artet po ashtu kanë shënuar rënie të regjistrimeve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT vetëm në dy degë është regjistruar rritje e numrit të regjistrimeve. Në degët “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri” janë rritur regjistrimet me 8.8% dhe 1% përkatësisht.

Por pse të rinjtë janë më të orientuar drejt mjeksisë? Nisur nga tendenca vitet e fundit tendenca mund të lidhet me emigrimin. Siç dihet, në disa vende të Europës ka vështirësi për punëtorë në sektorin e shëndetësisë dhe kjo mund të shihet si mundësi edhe nga studentët shqiptarë. Bluzat e bardha po zgjedhin gjithnjë e më shumë të punojnë e jetojnë në vende jashtë Shqipërisë, ku duket se kanë gjetur kushte më të mira. Pra, të rinjtë zgjedhin mjeksinë, por profesionin duan ta ushtrojnë jashtë.

Në vitin akademik 2023-24, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116,994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3.6% krahasuar me 2022-23. studente femra, ose 58.4% e numrit të përgjithshëm të studentëve në arsimin e lartë.

Megjithatë, pavarësisht ndryshimit vjetor të regjistrimeve sipas degëve, ne vitin akademik 2023-24, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve. Fusha të tjera më të preferuara janë: “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me përkatësisht 20.9% dhe 19.7% të numrit gjithsej të studentëve të regjistruar.