Në prag të 5 majit/ Bujar Karagjozi: Lavdi heronjve antifashistë të LANÇ

1043
Sigal

Lavdi tё pёrjetshme heronjve e dёshmorёve tё luftёs antifashistonaziste nacionalçlirimtare

Të gjithë e dimë se, në koalicionin çlirues anglo-sovjeto-amerikan bënim pjesë dhe ne, populli shqiptar, me 75 mijë partizanët dhe partizanet ku dhanë 28 mijë heronjtë dhe heroinat, dëshmorët dhe dëshmoret për Lirinë dhe Pavarësinë e plotë të Shqipërisë sonë të dashur; ndërsa ballistët e zogistët bënin pjesë në koalicionin pushtues racist gjermano-italiano-japonez. Ç’është ky barazim që kërkojnë të vënë disa neofashistonazistë?! A ka poshtërsi më të madhe të përpiqesh të minimizosh Luftën më madhështore dhe më heroike e titanike të popullit tonë gjatë gjithë historisë së tij shekullore?! Si ua lejon ndërgjegjia deputetëve të djathtë të sjellin me nderime, me taksat e tatimet e popullit tonë  eshtrat e kryetradhëtarët Ahmet Zogut duke  i ngritur monument atij horrit? Le t’i binin zogistët me paret e tyre. Po ashtu si ua lejon ndërgjegjia deputetëve të ashtuquajtur të majtë të sjellin me nderime eshtrat e kryeballistit Mit’hat Frashërit duke ia vënë pranë babait të tij, Heroit të Popullit, Abdyl Frashërit, që ishte në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër pushtuesve turq dhe i biri i tij Mit’hat Frashëri pro pushtuesve gjermanë?!

Këto veprime të ulta do të ngelen në historinë e popullit tonë një njollë e zezë për ta në shekuj, brez pas brezi.

Një fakt i tillë është dhe vrasja e xhaxhit tim, Niazi Karagjozit, dëshmor i Luftës ANÇ, i vrarë në pabesi nga ballistonazistët në fshatin Gjin të Sarandës, më 4 janar 1944.

 

Ja një vjershë kushtuar xhaxhit tim , dëshmorit Niazi Karagjozit nga unë:

 

75 vjet më parë

Të vranë xhaxha, të vranë,

Ballistët tok me gjermanë

Në Devinë, në Sarandë,

Sepse ishe antizogist,

Antiballist, antifashit,

Të vrau hasmi, të vrau,

Sikur ti të ishe gjahu;

Ti e urreje fashizmin

Po ashtu edhe nazizmin,

Ndaj ballistët të dorëzuan

Tek ata që na pushtuan;

 

11 vjeç kur isha

Të vrau gjermani-bisha

Në janar Dyzet e katër

Në fshatin Gjinë të varfër;

 

Kur të vranë atje të lanë,

Familjes s’i çuan fjalë,

Por të gjithë që të donin

Ngushëllime ne na çonin;

 

Pesë Majin kur festojmë

Gjithë dëshmorët kujtojmë,

Në çdo festë lule çojmë,

Me grushtin lart i nderojmë,

Përmendoret do t’i mbrojmë

Dhe kurrë s’do t’i harrojmë

Partizanët që luftuan

Si dhe ata që punuan

Për Çlirim të Shqipërisë,

Për kauzën e Partisë,

Të Popullit, Mëmëdheut,

Shqiponj’yll të Skëndebeut,

Që drejtohej nga Enveri,

Kryetrimi si Skënderi;

 

Ne përherë brohorasim

Dhe me respekt ne thërrasim:

Lavdi Dëshmorë të Kombit!

Heronj’, Heroina të Popullit,

Që dhatë jetën për Liri,

Për Popullin, për Shqipëri!

 

 

 

Bujar Karagjozi