Kryeministri Edi Rama, në eventin Rilindja 2.0 me energji të re, bëri të ditur se qeveria synon të investojë 1.5 miliardë euro për projekte të reja zhvillimi.
Rama u ndal tek rasti i një proteste komunitare, për problematikat e tyre, teksa theksoi se “sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon”.
“Një program kombëtar ambicioz për të kaluar tek Rilindja urbane 2.0, duke i vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 mld eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot, lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij program të ri dhe program të parë të Rilindjes urbane por me arsyet që na çojnë në këtë program. Përpara disa ditësh pata një komunikim me njërin prej jush që ishte shumë i acaruar me një grup njerëzish që i kishin dalë në një lloj proteste për një çështje komunitare.
Po thoshte që i kam gjetur në llum, s’kishin rrugë, ndriçim, mbushur me ferra, mes plehrave. Ia kam bërë lagjen me rrugë, me drita, me pemë, edhe stola kam vënë, por janë mosmirënjohës. Unë besoj që ky është leximi më i gabuar i mundshëm i një reagimi për të cilin normal atij nuk i vinte mirë, askujt nuk i vjen mirë, për më tepër kur ke parasysh atë që ai thoshte.
Nga ishte nisur dhe nuk e kuptonte dot se si një komunitet të cilit i kishte bërë të gjitha të hyzmet t’i kthehej kundër. Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy, si e papranueshme ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera. Shoqëritë e varfra, ne kemi qenë e tillë, nuk jemi më një shoqëri e varfër, nuk thash që nuk kemi varfëri, por nuk jemi shoqëri e varfër”, tha Rama.




















