Moody’s paralajmëron Shqipërinë: Çmimet e banesave në rritje rrezikojnë stabilitetin financiar

Rritja e shpejtë e çmimeve të banesave dhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme po shndërrohen në një nga rreziqet që mund ta ekspozojnë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të papritura.
Paralajmërimi vjen nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila, ndonëse përmirësoi perspektivën e Shqipërisë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, evidenton tregun e pasurive të paluajtshme mes dobësive që mund të cenojnë stabilitetin financiar në rast të një korrigjimi të fortë.“Nevojat relativisht të larta për huamarrje bruto dhe rreziqet e sektorit bankar të lidhura me rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave e ekspozojnë Shqipërinë ndaj goditjeve të mundshme të papritura”, vlerëson Moody’s.Moody’s e lidh rrezikun jo vetëm me çmimet e pronave, por me ndërthurjen e tyre me sektorin financiar. Nëse çmimet do të pësonin një korrigjim të fortë, rënia e vlerës së kolateralit mund të reflektohej në cilësinë e portofolit të bankave dhe në kushtet e kreditimit.Rëndësia e këtij rreziku bëhet më e qartë edhe te skenarët që Moody’s përcakton për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të Shqipërisë.
“Faktorët që mund të çojnë në uljen e vlerësimit ose në rikthimin e perspektivës në të qëndrueshme janë: Perspektiva mund të rikthehet në të qëndrueshme nëse rritja ekonomike ngadalësohet ndjeshëm, deficitet fiskale zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme, ose nëse rriten dobësitë e sektorit financiar, veçanërisht ato që burojnë nga tregu i pasurive të paluajtshme apo nga goditje të jashtme të papritura”, thuhet në raport.
Vlerësimi është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet kur tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme ka kaluar një cikël të gjatë rritjeje të çmimeve, i shoqëruar edhe me zgjerimin e kreditimit për blerjen e banesave.Rritja e ekspozimit të bankave ndaj tregut të pronave është bërë gjithnjë e më e dukshme. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 huaja për blerje banesash nga individët zinte 26.8% të portofolit të kredisë, ndërsa huaja për pasuri të paluajtshme e bizneseve 24.3%; së bashku, rreth 52% të stokut total të kredisë së sistemit bankar, me një vlerë rreth 470 miliardë lekë, ose 4.7 miliardë euro. Deri në fund të majit 2026, ekspozimi ishte rritur më tej në 477 miliardë lekë, mbi 5 miliardë euro, me një zgjerim prej 12.5% në një vit dhe më shumë se dyfishim krahasuar me fillimin e vitit 2020.

 

Sigal