Dita vendimtare për Demarkacionin, Delawie: Vota kundër, votë kundër lëvizjes së lirë

651
Pas tri viteve, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet sot t’i japin fund çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Kuvendi i Kosovës mban seancën plenare ku në rend dite është Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Për miratimin e këtij Projektligji nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, saktësisht nevojiten së paku 80 vota.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe grupi i deputetëve 6+ kanë thënë se do ta votojnë Demarkacionin, derisa Vetëvendosje ka bërë të ditur se do ta kundërshtojnë.
Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend e që do të jetë sot në rend dite në Kuvend figurojnë edhe raporti i Komisionit shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi dhe marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve, Hashim Thaçi e Filip Vujanoviç.
Zëvendëskryeministri i vendit, Enver Hoxhaj mbrëmë ka ftuar të gjithë deputetët që ta votojnë atë.
“Nuk do te ketë arritje më të madhe për qytetarët e Kosovës në pesë vitet e ardhshme se sa liberalizimi i vizave sa i takon raportit tonë me BE-në sepse anëtarësimi në BE është orientim gjeopolitik dhe ekonomik, diçka që mund të merr kohë më shumë se 10 vite. Por lëvizja pa viza është e menjëhershme dhe do të përfitojmë drejtpërdrejt”, ka thënë Hoxhaj.
Madje ai ka thënë se “liberalizimi i vizave në një masë varet nga vota e deputetëve shqiptarë të enjten”.
Por, deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se qeveria e ka sjellë në Kuvend projektligjin kontradiktor për ratifikim.
Sipas Dedës ky projektligj është kontradiktor sepse përmban marrëveshjen e vitit 2015, raportin e Shpejtim Bulliqit dhe deklaratën e dy presidentëve atij të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Domethënë para deputetëve vjen projektligj që mund të përmblidhet kështu: demarkacioni është vepër penale, që është bërë mirë, e që do të rishikohet sepse është bërë gabim”, ka shkruar Deda në Facebook.
Po kështu Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie tha se ndodhet sot në seancën e Kuvendit të Kosovës për t’i nxitur deputetët të votojnë pro Demarkacionit.
Ai në një prononcim për media tha se vota kundër Demarkacionit është votë kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Jemi këtu për t’i nxitur deputetët e Kosovës që ta votojnë këtë marrëveshje pasi është e drejtë dhe ka të bëjë me lirinë e qytetarëve”, tha ai. Delawie tha se Marrëveshja për Demarkacionin është e saktë dhe si e tillë ftoi deputetët ta votojnë.
Sigal