Albert Habazaj: Botimi i parë historik për Luftën e Vlorës

542
Sigal

Akademiku Aleks Buda një personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare, ideoi dhe konceptoi këtë tekst madhor për kohën

Botimi i parë historik i nivelit akademik për Luftën Kombëtare të Vlorës

 MSc. Albert Habazaj

 Vepra kolektive e nivelit akademik “Historia e Shqipërisë” (vëll. I – II, 1959, 1956 përkatësisht) është dëshmia e parë dokumentare historike, që paraqet në mënyrë të përgjithshme historinë e Shqipërisë nëpër rrjedhat e kohës. Pikërisht në vëll. II të HSH marrim një informacion sintetik edhe për Luftën e Vlorës. Ishte Akademiku Aleks Buda (1910 – 1993), një personalitet i historiografisë dhe i kulturës shqiptare, ai që ideoi dhe konceptoi këtë tekst madhor për kohën, të rëndësishëm si pikë reference për periudhat  e pastajme dhe dëshmi historike krahasuese e përfillshme për studiuesit. Një vepër krejt e re për kohën, si nga përmbajtja e gjerësia e trajtimit dhe e vështrimit, ashtu edhe nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të procesit historik në rrjedhën e ngjarjeve.  Kishin shkruar edhe më parë për LV disa autorë të veçantë. Ndoshta i pari apo ndër të parët që rrok temën e LV në botimet e viteve ’20 – të të shek. XX është Sali Hallkokondi, jurist, publicist dhe historian nga Vranishti i Vlorës, ndër intelektualët e njohur të kohës (1877 – 1936). Ai la gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve me librin me kujtime “Histori e Shqipërisë së re” (1923), ku përveç pasqyrimit të ngjarjeve të lëvizjes kombëtare e demokratike pas shpalljes së Pavarësisë, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në LV, na paraqet të dhëna interesante, të pasura e të vlefshme për ndërtimin e historisë së kësaj ngjarjeje, aq më tepër që avokati i njohur i ka botuar shkrimet e tij në gazetat “Mbrojtja Kombëtare” e “Fjala e lirë”, gjatë v. 1921 dhe në “Politika” në v. 1923 – ‘24. Sejfi Vllamasi (1883 – 1975), duke qenë dhe senator, deputet, si dhe dy herë anëtar kabineti, luajti rol të rëndësishëm në përkrahjen e LV më 1920, apo edhe në përballimin e ndërhyrjes së  forcave ushtarake jugosllave në Koplik më 1920. Në dorëshkrimin e tij “Shënimet dhe kujtimet historike”,  një kopje të të cilit ia dorëzoi AIH nga fillimet e vitetve 1960, por që dritën e botimit për herë të parë  e pa vetëm më v. 1995,  me titullin “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897- 1942”, autori i ka kushtuar dhe 10 faqe LV, të cilat, sipas studiuesit Maringlen Verli, janë të vlerësuara për informacionin historik dhe analizat politike[1]. Gjithashtu, ky studiues na sjell informacionin se, “falë ndershmërisë dhe ekuilibrit që e karakterizonte, S. Vllamasi u konsiderua nga qeveria e Sulejman Delvinës si personi i përshtatshëm për të përballuar misionin delikat të tatimit të pulsit të Beogradit dhe të sigurimit të armëve jashtë vendit për Luftën e eVlorës[2].

Tajar Zavalani (1903 – 1966), që ishte sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve (1923), ka një botim tjetër më vonë “Histori e Shqypnis” në dy vëllime: vëll. 1 “Nga ilirët e deri në kongresin e Berlinit”, Londër, 1957, dhe “Nga 1878 deri 1965”, Londër, 1966. Në vëll. 2, te “Lirija e rifitueme”, ka dhe shënimet entuziaste “Triumfi i Vlonës”, që gjithsesi na pëlqejnë, por problemi është se në tekstin e botuar ka edhe pasaktësira. Po citojmë një paragraf “…Mesazhin e dorëzoi trimi legjendar Selam Musai, i cili ra i vramë te praku i Vlons, porsa u lanque ofensiva kundër okupatorit[3]. E vërteta historike është se bëhet fjalë për ultimatumin që fshatari trim nga Mallkeqi i Vlorës, Mehmet Selim Shahaj, dhe jo kryeheroi i LV dhe  legjenda e EHLV, Selam Musa Salaria, i dorëzoi gjeneral Piaçentinit, etj. Edhe historia e shkruan këtë fakt, edhe folkori e këndon bukur e fortë këtë histori trimash. Ne e dimë të vërtetën, por jo të gjithë e njohin në Shqipëri. Aq më tepër që ky libër është botuar dhe jashtë shtetit e pikërisht në Angli, ku mendojmë se nuk ka se si të mos jetë lexuar nga të huajt ky tekst. Informacioni i pasaktë krijon imazh të shtembëruar dhe qortohemi për mungesë të korrektesës shkencore dhe të seriozitetit në trajtimin historik. Personat që përmendëm e të tjerë si Ago Agaj e Gani Abazi, që kanë shkruar libra individualisht dhe jo si bashkëautorë në grup pune, janë mbështetur kryesisht në kujtimet e tyre si autorë, aktorë apo faktorë (aqsa) për LV. Gjithsesi janë gjurmë a përshtypje vetiake, jo të zyrtarizuara, dhe vetvetiu vërtetësia e fakteve apo argumenteve mund të jetë e diskutueshme, nga që subjetiviteti nuk shmanget dot, kur bëhet fjalë që autor është një person i vetëm dhe jo grup autorësh apo kolektiv hartuesish, si dhe kur autorët nuk përfaqësojnë institucione të larta shkencore shtetërore, organizata apo shoqata të përhershme dijetarësh e njerëzish të kulturës që merren me organizimin e drejtimin e punës shkencore dhe me kërkime e me studime për zhvillimin e shkencës e të diturisë në tërësi dhe të disiplinave të veçanta si historia (e periodizuar, në rastin konkret për LV, 1920) apo folkoristika (konkretisht mbledhja, seleksionimi, përzgjedhja, studimi, përgatitja dhe botimi i EHLV). E ndjejmë veten më të qetë në studimin e tekstit HSH, 2, sepse mendojmë që Profesor Buda ka patur krahë të fortë, për temën që ne na intereson, punimin e Kristo Frashërit  “Lufta Çlirimtare e Vlorës” (1920) dhe “Shqipëria prej fillimit të luftës së parë botërore gjer në mbarimin e luftës së Vlorës” të Muin Çamit. Futemi në situatë: Lufta e Vlorës zhvillohet në një etapë të re për historinë e vendit. Përballë nuk kemi më pushtuesin osman, fantazmën pesë shekullore, që ishte perandori e botës për kohën, por u katandis në një gërdallë. Ikën ata. Erdhën të tjerë. Pushtues të rinj dalin në teatrin luftarak, më të hollë, të veshur “allafrënga”, me kollaro, borsalinë e pantallona të cohta, më të dhemshur për hallet e shqiptarëve. Për fatin tragjik të shqiptarëve memorandumi që paraqiti në Konferencën e Londrës më 17 dhjetor 1912 delegacioni i qeverisë së Vlorës, i përbërë nga Mehmet Konica, Filip Noga dhe Rasih Dino, nuk u përfill nga të mëdhenjtë e të fortët dhe la jashtë Shqipërisë Kosovën dhe Çamërinë. “Gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër” shkëputën nga trungu i Atdheut krahinat më pjellore, që kishin qenë dhe vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare”.[4]               Siç po rridhnin ngjarjet, erdhi momenti që shqiptarin “ta puthë halla në të dy faqet”. Çfarë dy faqe?! Nga të katër anët. Serbi lart e greku poshtë, italiani para e francezi prapa. Dublikatë malli shfaqën edhe austrohungarezi e malazezi. Por, shqipo – lumi ishte rrahur me vaj e me uthull dhe, si komunitet, nuk qe aq naiv  sa ta hante sapunin për djathë. Gjendja social – ekonomike zvarritet me ritme të ngadalshme. Ndyshimi i kushteve ekonomike shoqërore ishte metaforizimi më i keq i shembullit të gaforres, pra, bëhej me “hapin e breshkës”. Nuk mund të themi qartësisht se shoqëria shqiptare u shkëput nga marrëdhëniet feudale, sepse nuk buisën shëndetshëm marrëdhëniet kapitaliste në prodhim as në Vlorë, as në Shkodër, as në Korçë, as në Janinë, as në Shkup, as në Prizren e as në Ulqin e Durrës. Përmbajtjen social – politike e përbëjnë  lëvizja kombëtare kundër pushtuesve të ndryshëm fqinjë, ballkanikë dhe matanas, si dhe lëvizjet demokratike për përmirësimin dhe përparimin e mënyrës s ë jetesës së shqiptarëve në komunitet. Objektivi themelor i luftës ishte ruajtja e pavarësisë së fituar e të njohur në arenën ndërkombëtare. Historikisht e shkurtër, LV është shumë e pasur me ngjarje me karakter të ndryshëm, gjë që ndoshta e ka bërë të nevojshëm një miniperiodizim të saj, duke u nisur nga përmbajtja dhe rëndësia e fenomenit historik në këtë fazë të caktuar, në kuadrin e periudhizimit të historisë së Shqipërisë, nga koha e shpalljes së Pavarësisë në nëntor 1912, deri në pushtimin e vendit nga Italia fashiste dhe fillimin e lëvizjes Antifashiste Nacional – Çlirimtare në prill 1939, që sot cilësohet e tëra periudha e Pavarësisë, brenda së cilës ka peshën e saj specifike dhe LV. Shqipëria, e dalë nga tallazet e luftës, e gjysmuar nga diktati i Fuqive të Mëdha imperialiste, filloi jetën e saj të pavarur si një shtet çifligaro – borgjez, i rrethuar prej armiqsh lakmitarë, të cilët nuk hoqën dorë nga synimet për ta copëtuar ose për ta vendosur në orbitën e ndikimit të tyre. LV, si pjesë e HSH, në këtë fazë lidhet ngushtë me ngajrjen e madhe të historisë botërore, luftën e parë imperialiste botërore, gjatë së cilës FM dhe shtetet fqinje ballkanike e pushtuan atë ushtarakisht dhe rrezikuan ekzistencën e saj, jo më rimëkëmbjen e shtetit kombëtar shqiptar. Nuk bëhej dot fjalë për demokratizim të jetës së brendshme shtetërore e sociale. Italia po luante rolin e babaqaforit…Shqiptarëve po u rëndohej ajri, po u bëhej e padurueshme jeta, sidomos me sjelljet morale të matanasit apenin.  Retë e zeza tregonin se do të vinte furtunë…

 

 

[1] Shih “FESH, vëll. 3”, Tiranë, 2009, f. 2908.

[2] shih VLLAMASI, Sejfi, “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897 – 1942)”. Bot. 2 me il. Përg. për bot. dhe il. Prof. Dr. Maringlen Verli: “Parathënie”, f. 6, Neraida, Tiranë, 2000.

[3] shih ZAVALANI, Tajar : “Histori e Shqipnis”; PHOENIX, Tiranë, Bot. 2, 1998, f. 261.

[4] HABAZAJ, Albert, “Në nderim të gjakut të derdhur për vatrën”, gaz. “Dielli/ on line”, 30. 03. 2013; gaz. “Telegraf”, 02. 04. 2013, f. 17; gaz. “Kombëtare”, 02. 04. 2013, f.10.